Si i bënte Rusia presion Gjykatës Speciale për ngritjen e aktakuzave ndaj UÇK-së
Në mesin e vitit 2020 u bënë publike aktakuzat ndaj udhëheqësve të UÇK-së. Por, pikërisht, në gusht të vitit 2019 për Gjykatën Speciale kishte folur publikisht edhe zëdhënësja e diplomacisë ruse Maria Zaharova.
“Deri më tani, nuk ka rezultate nga puna e Hagës për krimet e UÇK-së. Askush nuk është akuzuar, megjithë dyshimet për vrasje dhe krime të tjera”, thoshte ajo. Sipas saj, Specialja duhet të tregojë rezultatet e veta në punën e saj.
Dhe, nuk shkoi shumë gjatë aktakuzat u ngritën.
Ideja për themelimin e një Tribunali Ndërkombëtar për Kosovën që më vonë u quajt Gjykata Speciale, fillimisht ishte prezantuar se ka rrjedhë në bazë të hetimeve të iniciuara nga Këshilli i Evropës që si bazë kishin dyshimet e supozuara të zviceranit Dick Marty, mbi trafikimin e organeve të serbëve nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty ku çoi në themelimin e Gjykatës Speciale dhe hetimin e ish-luftëtarëve të UÇK’së ku sot po qëndrojnë në Hagë.
Shaqir Vukaj, ish-ambasador i Shqipërisë në Rusi, tha se raporti i Dick Martyt ka filluar dhe është nisur në Rusi, ai thotë se iniciator i këtyre materialeve është nga Rusia.
“Historia me Dik Martin në Rusi është e vjetër. Fillon me Karla Del Ponten që në vitin 99’, pra sapo kishte mbaruar lufta në Kosovë. Një delegacion shkoi dhe takoi Del Ponten dhe ajo e la natën e Krishtlindjeve dhe u mor me nje raport të jashtëzakonshëm që kishte përgatitur Duma për krimet e UÇK-së në Kosovë. Më vonë siç e ka deklaruar dhe vetë Dik Marti, Rusia ishte iniciatorë e këtij problemi, pra e materialeve të raportit të Dik Martit”, u shpreh Vukaj për Euronews Albania.
Vukaj tha se qysh me daljen në skenë të UÇK’së, menjëherë institucionet zyrtare ruse filluan sulmet ndaj UÇK’së, ku quhet si “terroriste, kriminele dhe trafikante”.