“Askush nuk më ndalon dot të flas për UÇK-në”. Fehmi Lladrovci, 3 mars 1998, Mynih
Bedri Islami:
Le të sjell një shembull nga vitet e mëvonshme. Në fillimin e marsit të vitit 1998, ka qenë dita e tretë e muajit, Lëvizja Popullore e Kosovës në qytetin e Mynihut, ku asaj kohe dalloheshin shumë aktivistë si Selim Krasniqi, Afrim Emini, Sadete Zhitia (Emini), Menderez Zogu, Qemal Idrizi, Besnik Mehaj, i cili ishte i vëllai i Naser Idrizit, por kishte gjithashtu edhe një traditë të hershme familjare atdhetare, Remzi Shala, Vesel Qerkini, Abdyl Hima, Gani Lipe, kishin organizuar një tubim me bashkëatdhetarët dhe ishim ftuar, së bashku me Fehmiun, për të marrë pjesë. Nga Kosova kishin ardhur lajmet e para të disa vrasjeve dhe nuk ishte gjendje e qetë.
Sapo hyra në sallë, disa minuta më herët, Afrim Emini më tha se aty ishin edhe dy përfaqësues të shtetit gjerman, të organeve të specializuara të tij, të cilët kërkonin që para se të fillonte tubimi, të bisedonin me ata që do të flisnin. Shkova. Fehmiu nuk kishte ardhur akoma. Në një tavolinë, në qoshe, rrinin dy nëpunësit dhe përkthyesit e tyre. Biseda ishte e shkurtër. Sipas informatave që kishin marrë, kishin drojen se pas tubimit ne do të dilnim nëpër rrugët e qytetit, dhe ashtu si kurdët, do të fillonim thyerjen e dyqaneve, djegiet, ndoshta edhe të makinave e të tjerë. Iu përgjigja shkurt se kjo as që ishte menduar dhe se nuk kishte ndodhur ndonjëherë, ndaj informatat ishin të gabuara dhe qëllimkëqija. Duam të besojmë, tha njëri prej tyre, por kërkojmë që në këtë tubim të mos flitet për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Një ditë më parë, një zyrtar i lartë amerikan kishte bërë një përcaktim të shpejtuar dhe thellësisht të gabuar për UÇK-në dhe si duket, jehona e këtij përcaktimi, kishte shkuar edhe tek organet gjermane. I thashë edhe një herë se ishin informuar gabim dhe se për kërkesën e tyre do të bënim kujdes, por ishte e pamundur të mos flitej për diçka që ekziston. Sidoqoftë, shtova, UÇK-ja nuk është cilësuar as ekstremiste dhe as terroriste, prandan nuk mendoj se biseda për të do të nxisë njerëzit. Sidoqoftë, thënë të drejtën, isha disi i drojtur, në mos për tjetër, por tubimi mund të ndërpritej dhe jehona e kësaj ndërprerjeje do të merrej nga bashkëatdhetarët si shenjë e dëbimit nga shteti gjerman, ndërsa nga udbashët shqipfolës do të ishte një ditë feste. Nuk kam dashur kurrë t’i jap “kënaqësi” të tilla, por e mblodha mendjen të isha i kujdesshëm. Salla ishte e mbushur si asnjëherë. Pak minuta më vonë erdhi Fehmiu dhe i thashë për njerëzit e shërbimeve të posaçme gjermane që janë në sallë dhe për kërkesën e tyre.
Fehmi Lladrovci ishte i pari njeri që më ka thirrur “bacë” dhe ende nuk e di përse. Sidoqoftë më ka pëlqyer kur më ka thirrur kështu. Më ndërpreu butësisht:
“Bacë, ky është problemi më i vogël. Për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës do të flasim sa të mundemi. Flakë do ta bëjmë. Mos u mërzit”.
Pastaj shkoi tek dy njerëzit e ardhur nga informacione të rreme dhe diçka foli me ta. E pashë se ishte shumë më shkurt se biseda ime dhe se të dy të ardhurit u tendosën. Unë fola fillimisht në tubim dhe duhet të them se isha i kujdesshëm. Thënë të drejtën, ende kisha droje, sepse ndërprerja e tubimit nga autoritetet gjermane, nëse do të ndodhte kështu, ishte shenjë jo e mirë dhe dikush mund të revoltohej, megjithëse Fehmiu më kishte qetësuar me fjalët e tij. Pas meje foli Fehmiu dhe e bëri flakë mbledhjen. Nga fjala e parë deri tek e fundit ishte në mbështetje dhe në përkrahje të UÇK-së. “Kush është burrë dhe që e don Kosovën, sot ka ardhë koha me i diftue të dyja; edhe burrërinë, edhe sa bën ai për Kosovën”.
Por nuk bëri asnjë thirrje për rebelim, asnjë thirrje për dalje në rrugë apo përmbysje, ishte një fjalë e mençur, pasi shumë kujdesshëm dhe ndoshta qëllimisht, falenderoi shtetin gjerman dhe parashikoi se një ditë ky shtet që kishte vuajtur nga fashizmi dhe nazizmi, më shumë se sa shtetet që kishte pushtuar në Luftën e Dytë Botërore, do të jetë i pari që do të na ndihmojë, se prania e dy përfaqësuesve të shtetit gjerman është shenjë besimi e mbështetjeje e jo shenjë dhune, se duhet t’i falenderojmë që ky shtet po mban në tokën e tij ndoshta gjysmë milioni shqiptarë, por tashti është koha t’i themi “ju faleminderit” dhe të kthehemi të luftojmë për vendin tonë, sepse Kosova ka tashmë zot, ka ushtrinë e vet, se kur burrat e Kosovës luftojnë, nuk na shkon ta çojmë jetën nëpër heimet (strehimoret) gjermane, duke pritur si lëmoshë ndihmën sociale. Pastaj tha se shqiptar i mirë është ai që dëshmohet i tillë edhe në jetën e përditshme, që e njeh ligjin e shtetit ku jeton dhe nuk ia nxin, por ia zbardh faqen vendit të tij. Dy përkthyesit i ndiqja tek bënin punën e tyre, por ndiqja gjithashtu se si po hapeshin fytyrat e vërejtura të nëpunësve të ardhur. Kur ai përfundoi, siç ishte e zakonshme atëherë e do të vazhdonte edhe më tej, njerëzit kërkuan të bëheshin pyetje.
Fehmiu ishte i prerë:
– Tash ka ikur koha e pyetjeve dhe e përgjigjeve. Tash ka ardhur koha e burrave. Kush është burrë dhe i thotë vetes se ka gjak shqiptari, edhe pyetjen, edhe përgjigjen, e bën në Kosovë.
Të pasnesermen është nisur për në Kosovë. Atë ditë nuk qëndrova gjatë me Fehmiun. Duhej të nisesha për në Shtutgart dhe udhëtova me Selim Krasniqin. Kur po ndaheshim, Fehmiu kishte qëndruar në një tavolinë në fund të sallës me disa bashkatdhetarë dhe po flisnin gjallërisht. I rashë në sup dhe i thashë se po shkoj. “Ndoshta takohemi shpejt”, i thashë. Pak ditë më parë kishim qenë në një takim të përbashkët me Paskal Milon, Ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, pikërisht aty në Mynih, dhe meqënëse kishin filluar tubimet e pothuajse çdo fundjave me bashkatdhetarët, mendova se do të takohemi përsëri. Fehmiu u ngrit, diçka u tha shokëve që qëndronin me të dhe erdhi me mua deri tek porta e jashtme. Doli pak, më dha dorën, tjetrën e vendosi në supin tim dhe si asnjëherë tjetër, më tha:
“Atëherë, mirupafshim bacë. Nesër ose pasnesër unë ndoshta nuk jam më këtu. Mos më thuaj gjë dhe mos më pyet për asgjë. Ti e di se ku mund të shkoj, do të vijë edhe Xheva. Tani nuk ka mbetë gjë tjetër veç kthimit. Dëgjohemi”. Ishte takimi i fundit me të dhe shpeshherë më duket se e ndjej në sup dorën e tij dhe atë fjalën e fundit “dëgjohemi”…
Pastaj më tha diçka mes asaj që ishte lamtumirë ose mirupafshim, e dija se tash nuk kishte më kthim për të. Tek dera, disa metra më tej, prisnin dy nëpunësit e shtetit gjerman. “Nuk e kemi ditur kështu”, – tha njëri prej tyre. “Kemi pasur informacion krejt tjetër dhe këtë e kemi pasur nga shqiptarët, nga bashkëvendasit tuaj”. Më tregoi një letër, ku mbi ftesën tonë për tubim ishin shkruar edhe fjalë të tjera. “Po ta dinim kështu, nuk do të kishim ardhur. Fjalët që tha vendasi juaj, ai i gjati (megjithëse ia dinin mirë emrin, nuk ia thanë) do të kishim dashur t’i dëgjonin të gjithë bashkatdhetarët tuaj”.
Disa muaj më pas kur, mjerisht, do të organizohej Tubimi i parë Përkujtimor për rënien e Fehmiut dhe të Xhevës, i cili pa dyshim ka qenë njëri ndër më të jashtëzakonshmit, me cilësinë e atëhershme të drejtuesit të Lëvizjes Popullore të Kosovës, mbajta fjalën e rastit. Kur po dilja nga salla, pikërisht ky nëpunës gjerman, i pranishëm, më ndaloi dhe më tha në gjuhën e tij: “Më vjen keq, vërtet më vjen keq. Ishte i jashtëzakonshëm”.
Por Fehmiu u bë në radhë të parë i jashtëzakonshëm për bashkadhetarët e tij. Edhe ata që nuk i donin idetë e tij, dashje pa dashje, e kishin respektin ndaj tij. Ai të imponohej natyrshëm, edhe pse nuk e doje nganjëherë një imponim të tillë.