Epilogu

Si i la Ministria e Punëve të Brendshme pa arritur marrëveshje Albin Kurti me Isa Mustafën?


Isa Mustafa e Albin Kurti dolën pa marrëveshje nga takimi që supozohej se do ta bënte Kosovën me Qeveri. Gazeta Express mëson se Mustafa bëri kërkesën e parë, të cilën Vetëvendosje nuk po mund ta pranojë. Duhet dorëzimi i VV’së para kërkesës së Mustafës, i cili në negociata ka arritur të marrë edhe postin e kryeministrit, ose tërheqja e LDK’së përballë opozitarëve të përhershëm.

Gazeta Express

Historia shpresëdhënëse për një marrëveshje mes Vetëvendosjes që i fitoi zgjedhjet dhe LDK’së përfundoi me daljen e Albin Kurtit me fytyrë të ngrysur nga takimi me kreun e LDK’së, Isa Mustafën, të cilin Kurti pëlqen ta thërras “profesor”.

Nga aty, lideri i Vetëvendosjes, tha se takimi me profesorin përfundoi pa arritur marrëveshjen përfundimtare.

Kurti, që ishte shumë optimist që sot do të arrihej koalicioni, nuk tregoi pse nuk u morën vesh, por tha se negociatat me LDK’në do të vazhdojnë.

Por, çka e bëri të pamundur që dy liderët deri dje opozitarë, sot të formonin qeverinë e re?

Gazeta Express mëson se Mustafa me kërkesën e parë ua la në fyt Vetëvendosjes negociatat për krijimin e Qeverisë.

Dy partitë janë marrë vesh për 12 ministri. Dy nga to u takojnë minoriteteve e 10 janë në duart e dy partive që bashkë kanë 57 deputetë. Burime të Expressit brenda VV’së tregojnë se LDK’ja nisi me kërkesë për ta marrë Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Kjo ministri ka qenë një nga bazat e fushatës së VV’së.

LDK më herët e ka udhëhequr këtë dikaster, ndërsa VV’ja e kërkonte pushtetit për të çkapur  shtetin, që synonin ta arrinin duke udhëhequr ministrinë e Punëve të Brendshme.

Mustafa, i cili pas zgjedhjeve të vitit 2014 nga vendi i dytë kishte arritur ta marrë postin e kryeministrit, sipas burimeve të Expressit, ka pasur edhe kërkesa të tjera.

LDK’ja dëshiron që marrëveshja të përfshijë edhe zotimin se do t’i jepet posti i presidentit të vendit në vitin 2021, kur Hashim Thacit i përfundon mandati i rregullt.

Ndërkaq nga LDK’ja nuk është treguar pse nuk u arrit marrëveshje për të cilën partitë ishin zotuar se do të ndodhte menjëherë pas certifikimit të zgjedhjeve të 6 tetorit.

Mustafa pasi doli nga takimi, ndaras nga Kurti, refuzoi të flasë për mosmarrëveshjet me Vetëvendosjen.

Ai tha se kur të përafrohen, do t’u tregoj mediave se cilat ishin problemet.

“Sot nuk ka marrëveshje për koalicion ka marrëveshje që të punojmë e të hulumtojmë rrugë që të përafrohemi me qëndrimet tona. Dallimet tona do të jua tregojmë kur t’i përafrojmë”, ka thënë ai.

Exit mobile version