Para disa vitesh nga pozita e deputetit u rrahën mes vete fort Rexhep Selimi dhe Bekim Haxhiu-Kamishi i PDK-së.
Rrahja kishte ndodhur në dalje të Kuvendit të Kosovës ku në rrahjen e këtyre dy deputetëve ishin përfshirë edhe disa deputetë të tjerë duke përfshirë Florin Krasniqin dhe Latif Gashin. Asokohe, deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi mburrej se ka rrahur Kamishin.
Në këtë video që është realizuar vetëm pak minuta pas rrahjes shihet se si Selimi thotë se Kamishi e kishte merituar rrahjen.
Për këtë rast, Gjykata Themelore në Prishtinë do të vendos sot se kush ishte fajtori. Si dëshmi në këtë proces gjyqësor janë marrë edhe videot e kamerave të sigurisë së kuvendit, raporton “zeri.info”.
Bekim Haxhiu tregon se edhe 8 truprojet e tre deputetëve të Vetëvendosjes (Rexhep Selimit, Visar Ymerit e Florin Krasniqit) ishin të involvuar në këtë rrahje.
Bekim Haxhiu, i njohur me nofkën “Kamishi”, në dëshminë e tij përshkroi se si erdhi deri tek incidenti.
“Kamishi” tregoi se fillimisht gjatë pauzës së seancës së Kuvendit kishte ndodhur një debat në mes të Latif Gashit dhe Rexhep Selimit.
“Në dalje të Kuvendit ishte një diskutim në mes të Latif Gashit dhe Rexhep Selimit, lidhur me policinë sekrete të Rexhep Selimit, sigurisht me ton të ngritur”, tha Kamishi.
Kamishi përshkroi më pas rrjedhën e grindjes.
“I akuzuari Rexhep e ka shtyrë me duar në pjesën e gjoksit Latif Gashin, ndërsa ky i fundit i është kundërpërgjigjur duke e goditur dy herë me grusht, ndërsa Rexhep Selimi është rrëzuar”, tha deputeti Haxhiu.