Nga Bedri Islami
Botuar në DITA
Zakonisht shërbimi sekret serb kur vendos të kërcënojë ose, edhe më tej se kaq, të likuidojë një dëshmitar të caktuar, ka dy shkaqe: ose dëshmitari fillon e bëhet i rrezikshëm dhe mund të dëshmojë të vërtetën e asaj që ka ndodhur, duke hedhur në erë plane të tëra përgatitur me mundim, ose shërbimi i fshehtë nuk do që të bëjë deri në fund pagesën financiare për të cilën është rënë në një mendje që në krye të herës.
Nuk e di se cili nga këto shkaqe ka të bëjë me ish senatorin zviceran Dick Marty, i cili është vënë nën mbrojtjen e organeve të specializuara të shtetit të tij, nën një vëzhgim të vazhdueshëm, sa që brenda shtëpisë së tij kanë ngritur një dhomë të posaçme, të fshehtë, kur familja e Dick Martyt mund të fshihet dhe të jetë e sigurtë në rast të një sulmi të drejtpërdrejtë.
Edhe një herë, ish senatori zviceran është vënë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, sidomos të asaj pjese që ka lidhje direkte ose të ndërsjellë me Kosovën dhe zhvillimet e saj, tashmë dramatike, të cilat lidhen me Gjykatën e Posaçme.
Për ironi të politikës, në godinën e paraburgimit të Hagës ndodhen pikërisht disa prej atyre që këmbëngulën deri në fund të ngritin këtë institucion drejtësie, i cili , sipas Kushtetutës është pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës, por që, edhe kundër frymës, germave dhe neneve të Kushtetutës, nuk pyet për asgjë.
Dick Marty është njeriu që e nisi këtë zhvillim. Në fakt, ai ishte fasada që u përdor, duke parë gatishmërinë e tij dhe të bashkëvendëses së tij, Del Ponte, për të vepruar deri në fund ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sidomos liderëve të saj, kushdo të kishin qenë ato.
Si lindi ky raport dhe pse ka frikë tani zoti Marty, i cili, pikërisht në një ditë si kjo, tre vite më parë, refuzoi përballjen publike me politologun Bardhyl mahmuti, anëtar i Drejtorisë Politike të UÇK-së.
Fillesa është në stacionin kryesor të trenit në Zyrih. Në këtë stacion tre burra, dy nga të cilët të ardhur posaçërisht për këtë takim nga Serbia, punonjës të rëndësishëm të shërbimit inteligjent serb, të cilët që prej 10 viteve merren me ndjekjen e ngjarjeve në Kosovë, po presin një ish prokuror zviceran, që tani është senator i Këshillit të Europës.
Njëri prej tyre është Milan Protiç, që nga maji i vitit 2009 ambasador në Republikën Zvicerane, pasi kishte qenë më parë ambasador në Shtetet e Bashkuara. Vinte nga një familje e njohur serbe, lidhur ngushtë me politikën. Gjyshi i tij kishte qenë kryeministri i parë i Jugosllavisë në vitet 1918-1920 dhe më pas si kreu i Bankës Qendrore Jugosllave, anëtar i kabinetit qeveritar ( 1941).
Milan Protiç ishte një figurë e besuar e shtetit të tij, diplomat dhe publicist, opozitar i Millosheviçit, por edhe i përkëdhelur i regjimit. Disa ditë më parë, në klubin parlamentar zviceran, -që atij iu duk si mensë punëtorësh, -pikërisht në papafingon e asamblesë federale në Bern, Bundesplatz, do të ndodhte takimi i parë mes tij dhe një senatori.
Disa vite më pas, ambasadori do të shkruajë në librin e tij, “Toka e Njerëzve të Vilhelmit” se “ishte pothuaj e zbrazët kur hyra në të, duke kërkuar me një vështrim të paqartë për bashkëbiseduesin tim të planifikuar, senatorin zviceran, ish prokurorin kantonal dhe informatorin e Këshillit të Evropës, radikalin liberal Dick Marty.
M’u afrua një burrë i moshuar me gjatësi mesatare… “Dick Marty”, tha ai me zë të thatë, duke anuar me dorën e zgjatur.
– “Më vjen mirë” u përgjigja butë me një buzëqeshje të detyruar dhe u prezantova. Ai pohoi me kokë, duke më treguar një nga tryezat. Ishte e hënë, 4 maj 2009, pasdite e hershme”.
Biseda është e shkurtër, pasi shumë gjëra janë thënë nga larg, me ndërmjetës. Ambasadori i tregon qëllimin, Marty është dakord. Ai ende nuk di thuajse asgjë se çfarë ka ndodhur, por është i gatshëm. Nuhatja e tij prej ish prokurori kantonal dhe miqësia me ish shefen e tij, Karla del Ponten, e bënë të besoj se fjala është për një ngjarje të bujshme, pas së cilës mund të mbetet edhe emri i tij.
Pasi e dëgjon, disi shpërfillshëm, në fakt është shumë i interesuar, flet ngadalë: “Jam për përgjegjësitë nëse vërtetohet ekzistenca e fajit. Pra, e përsëris, kjo nuk është një çështje politike, por një çështje penale. Kjo është e gjitha që unë kam për të thënë”.
Më tej shtoi se: “E vetmja gjë që mund t’u them është se unë jam pesimist në parim. Si prokuror afatgjatë, e di që ka qenë praktikisht e pamundur të gjesh prova materiale për dhjetë vjet, duke supozuar, natyrisht, se aktet e inkriminuara janë kryer vërtetë”.
Ambasadori shkruan:
– “Ai u ngrit në këmbë, gjë që tregoi se takimi kishte mbaruar. Nuk mund të thosha asnjë fjalë. Sidoqoftë, bazuar në ato që dëgjova, fitova një pamje të caktuar të Martyt dhe të qëndrimit të tij”.
Ndërkohë ishte lënë takimi i ardhshëm dhe ambasadori e kishte garantuar se shteti i tij do e përgatiste të gjithë dosjen e duhur. Kosova nuk duhej të lihej në rregullin dhe qetësinë e saj. Duhej krijuar një gjendje vorbulle, disfata duhej shfrytëzuar për revanshin e pritshëm dhe akuza duhej të ishte e tillë, sa që të trondiste këdo që e dëgjonte. Ishte apo nuk ishte e vërtetë, kjo nuk kishte asnjë rëndësi.
Takimi i ardhshëm dhe dorëzimi i dosjes voluminoze do të bëhej larg sallës së parlamentit. Në stacionin e trenit, ose, si thonë Bahnhof. Shumë gjëra bëhen në këto stacione treni, që nga bizneset e zeza, trafikimet, droga e shpërndarë, patriotizmi i bahnhofëve dhe deri tek prostitucioni, që kësaj here do të jetë politik.
Tre burra: Njëri ambasador, tjetri prokuror që kishte hetuar ngjarjet në Kosovë, Vukçeviç dhe hetuesi i policisë, përgjegjës për shumicën e materialit të mbledhur.
Ambasadori vazhdon në librin e tij:
“Do prisnim Dick Martyn në një dhomë në stacionin e trenit të Zyrihut. I mbushur me njerëz, disi prapa restorantit dhe kuzhinës, që ishte ende pjesë e kompleksit hotelerik. Dhjetëra platforma trenash shiheshin përmes dritareve…”.
Takimi i dytë
Takimi tjetër është edhe më i shkurtër, si gjithë gjërat e fshehta të errësirës. Dy dosje i dorëzohen senatorit. Njëra, e paketuar bukur, është voluminoze, tjetra e hollë. Senatori largohet.
Përmbajtja e dosjes së madhe dihet tashmë, përmes saj janë ngritur akuzat ndaj krimeve të supozuara të luftës.
Meqenëse asnjëra prej tyre nuk është aq e rëndë, sa që të tronditë, është dashur të gjendet diçka tjetër.
Dy herë me radhë kolegia e tij dhe shefja e tij e vjetër ka dështuar në paditë e ngritura. Të gjitha akuzat për kampe të burgosurish, burgje, qendra të torturës, njerëz të zhdukur, keqtrajtime, vrasje, janë hedhur në erë. Në dy procese, njëri pas tjetrit, të akuzuarit janë shpallur të pafajshëm, ashtu si edhe kishte ndodhur në të vërtetë.
Del Ponte e kishte nisur gjithçka me njërin nga komandantët që kishte jetuar shumë vite në Zvicër, ku ajo ishte përpjekur të ndalonte, si kryeprokurore, çdo aktivitet në dobinë e luftës çlirimtare. Ramush Haradinaj i ishte dukur më lehtë për t’u dënuar.
Kishte shfrytëzuar çdo rresht të dy librave të tij, kishte thirrur çdo njeri që mendonte se kishte qenë kundërshtar i tij, kishte hetuar dhe pyetur serbët e ikur nga rajoni i Dukagjinit dhe në fund, kur e kishte menduar se burgimi do të ishte i gjatë, kishte ndodhur e kundërta: Ramush Haradinaj, në dy procese, ishte i lirë. Kishte dështuar më parë edhe më keq me procesin Limaj.
Shërbimi serb nuk ishte lodhur deri sa e kishte gjetur një zë të tij në Këshillin e Europës. I kishin dorëzuar të gjitha materialet e grumbulluara, gjithnjë duke e plotësuar, deri sa ishin bërë më shumë se pesë mijë faqe dhe qindra biseda të regjistruara.
Kjo nuk kishte mjaftuar. Pastaj ishte shpikur Shtëpia e Verdhë, që megjithëse kishte qenë e bardhë, ishte quajtur ashtu si një sinonim i një shtëpie të tillë në Serbi. Tani, akuza e Shtëpisë së Verdhë, shkaku i takimit në stacionin e trenit në Cyrih nuk është më. Askush nuk flet për të, sepse të gjithë e dinë se ajo, pasi e bëri efektin e saj, tani nuk është më e rëndësishme.
Rënia e akuzës kryesore , trafikimit të organeve, të dhënë Dick Martyt për të ngjallur agresivitetin ndaj luftës në Kosovë, ka vënë në vështirësi organet e specializuara ndërkombëtare në Hagë. Mbi të gjitha kanë dhënë dëshminë se dosjet e përgatitura nuk janë “vepër“ e kolegut të tyre zviceran, por pasojë e një mendësie barazuese ndaj krimit dhe qëndresës, agresorit dhe dalzotësve të Kosovës.
Kjo nuk është dukuri vetëm në Hagë. Prej tetorit të vitit 1999 deri në qershor 2020 janë dënuar nga gjyqtarë të UNIK-ut, EULEX-it dhe ata vendorë, me aktgjykime të formës së prerë gjithsej 40 persona. Prej tyre 35 janë shqiptarë, katër serbë dhe një nga nacionalitet e tjera etnike. Ndërkohë, mbi 75 për qind të të akuzuarve për krime lufte, shqiptarë të Kosovës, janë shpallur të pafajshëm, por qëndrimi i tyre në burg ka zgjatur jashtëzakonisht shumë, edhe në shtatë apo tetë vite dhe askush nuk ka mbajtur përgjegjësi.
Të mbështetur në relacionet e sajuara, përgjithësisht të përgatitura në Beograd, dështimet kanë qenë të bujshme, por edhe dënimet të pajustifikueshme. Raporti mes krimit dhe ruajtjes së jetës ka qenë katastrofik.
Tani përballja po ndodh në Hagë. Përgjithësisht janë të njëjtët prokurorë dhe hetues të rasteve Limaj dhe Haradinaj, apo të hetimeve në Kosovë. Dështimi në akuzën e tyre është fatalitet për to. Besimi në materialet e paraqitura dhe në qëndrimin e tyre ndaj UÇK-së po vihet në dyshim nga avokatë të njohur ndërkombëtarë.
Është momenti kur shteti serb po diskreditohet nga qëndrimi i mbajtur në luftën në Ukrainë. Avokatërit në Hagë po dëshmojnë se hetuesia, por edhe zyra e Prokurorit të Posaçëm po bën seleksionim të materialeve, shumë nga të cilat do të dëshmonin në pafajsinë e të dyshuarve. Struktura si grup i organizuar kriminal nuk ka asnjë shenjë dëshmuese. Pikërisht në këtë kohë ridel në skenë Dick Marty.
Dik Marty erdhi disa herë edhe në Shqipëri. Shëtiti Kosovën, u takua me funksionarë të lartë në shtetin serb dhe, tani që akuza ka rënë, nuk u përgjigjet asnjë telefonate. Libri i ambasadorit solli të vërtetën se si shërbimi i fshehtë serb, në një stacion treni, tërhoqi senatorin si të ishte një bandit i zakonshëm dhe i dha me vete dosjen e ngritur mbi mashtrimin.
Përse pikërisht Dick Martyn? – është një pyetje e ngritur shpeshherë nga analistë dhe njerëz të zakonshëm. Përse shërbimi i fshehtë serb nuk gjeti një tjetër? Në fakt, atë nuk e gjeti shërbimi i fshehtë serb. Atë e dërguan tek ai shërbim. Njerëz që më parë ishin të lidhur me të. Që kishin bashkëpunuar, gjithë mllef për të ndëshkuar pikërisht ata që, edhe kur mendohej se ishte zonja e hekurt e shtetit, e shpërfillën dhe e bënë detyrën e tyre.
Karla Del Ponte do të ishte kryeprokurorja e vetme e një shteti evropian që nxori vendimin për ndalimin e të gjitha aktiviteteve të Yshtrisë Çlirimtare në Zvicër dhe mbylljen e fondit të luftës “Vendlindja thërret”.
Nga kush ka frikë Dick Marty?
Është krejtësisht e pabesueshme se frika e tij vjen nga hakmarrja e shqiptarëve të shumtë që banojnë në Zvicër. Ai këtë e di krejt mirë.
Shteti serb atë e ka pasur njeriun e tyre. Veglën e përdorur për të ngritur akuzën dhe për të ndryshuar gjërat në dobinë e tyre.
Është e mundur që forca të caktuara serbe, të grumbulluara rreth Institutit për Kosovën, ngritur pas vitit 2004, të kenë në mesin e tyre grupe radikale, por forca e tyre është vështirë të shtrihet në një shtet të sigurisë së lartë, si Zvicra.
Nëse ai vërtet rrezikohet, atëherë duhet të bëjë të qartë fillimisht rolin e tij në ngritjen e akuzave, rrjedhën e ngjarjeve, përse ai u bë dorëzanësi i tyre dhe përgjegjësinë politike e juridike për ngritjen e akuzave të rreme, si ajo për Shtëpinë e Verdhë në Shqipëri.
Është krejt e mundur që, shërbimi i fshehtë serb, duke ndjekur rregullisht seancat që po zhvillohen në Hagë ka drojën e madhe se gjithçka mund të jetë një fiasko, si duhet të ndodhë dhe se përmes zbërthimit të mbrojtjes të dalë e qartë se raporti Marty është përgatitur në Beograd, nga specialistët dhe prokurorët e saj dhe se, në të gjithë këtë akuzë nuk ka asgjë të saktë dhe të vërtetë.
Lidhja e tyre me Dick Marty do të jetë edhe më e qartë dhe atyre iu duhet një distancim nga ish-senatori dhe kjo mund të vijë përmes ngritjes së alibisë së kërcënimit, për t’ia lënë fajin shqiptarëve radikalë.
Shërbimi serb, kur i është dashur, ka bërë vrasje politike, të rënda, edhe duke përdorur vasalë të saj shqiptarë, edhe nga vetë shërbimi i tyre i fshehtë. Kështu ka ndodhur në rastin Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla, por edhe në raste të veçanta me nacionalistë krotatë. Alibia e tyre e sotme është shfajësimi i së nesërmes.