fbpx
Lajme

Si u grabit ari në Swiss Diamond

Dhjetë persona janë dënuar me burg, gjobë dhe kompensim dëmesh për grabitjen në Swiss Diamond dhe Bankën TEB. Grabitja në hotelin e Prishtinës Swiss Diamond, sipas aktakuzës, kishte ndodhur më 28 maj të vitit 2014, rreth orës 03:50 minuta, ndërsa në Bankën TEB më 1 qershor të të njëjtit vit.

Grabitësit, sipas aktakuzës, në lokalin e Vilson Palokajt “Vip Gold” brenda hotelit Swiss Diamond kishin marrë stoli të çmueshme në vlerën 199.530.00 euro, ndërsa në Bankën TEB grabitën 39.930 euro.

Për këto grabitje akuzoheshin dhe u dënuann Shkëlzen Leci, Ibrahim Çollaku, Shpend Krasniqi, Durim Ajupi, Agon Dulla, Xhemajl Qadraku, Liridon Leci, si dhe Vebi Beqolli dhe dy djemtë e tij Fatlum Beqolli e Mentor Beqolli.

Grabitjen të akuzuarve, sipas aktakuzës, ua kishte bërë më të lehtë punëtori i sigurimit në Swiss Diamond dhe njëri nga të akuzuarit Shpend Krasniqi.

Krasniqi sqarohet në aktakuzë se kishte lënë të hapura dyert e hyrjes kryesore të hotelit si dhe kishte larguar punëtorin nga hyrja kryesore, ndërsa kishte hequr nga rruga edhe makinën e një mysafiri, duke e çuar në garazh.

Pastaj të akuzuarit, siç sqarohet në aktakuzë, kishin hyrë të maskuar, me dorëza në duar dhe të armatosur në hotel dhe kishin grabitur stoli në vlerën e gati 200 mijë eurove.

Më pas Shkëlzen Leci, Ibrahim Qadraku dhe Fatlum Beqolli në grup edhe me Xhemajl Qadrakun, Mentor Beqollin dhe Hyzri Tullarin një pjesë të stolive të vjedhura, sipas aktakuzës, i kishin fshehur në afërsi të një rruge në Matiqan.

Në aktakuzë thuhet se pas disa muajsh të akuzuarit i morën paratë nga vendi ku i kishin fshehur dhe i dërguan te shtëpia e Xhemajl Qadrakut, aty ku i gjeti edhe policia.
Pesë nga dhjetë të akuzuarit kishin grabitur edhe në Bankën “TEB” në Kodër të Diellit më 1 qershor 2014.

Në këtë grabitje ishin përfshirë Shkëlzen Leci, Ibrahim Qadraku, Fatlum Beqolli, Liridon Leci dhe Agon Dulla.

Sipas aktakuzës, ata kishin hyrë të maskuar dhe të armatosur në Bankën “TEB”, ku Tullari dhe Beqolli me armë në dorë i kishin kërcënuar punëtorët e bankës, me ç‘rast edhe kanë grabitur shumën e të hollave prej 39.930 eurove.

Gjykata për këto grabitje i shpalli fajtorë dhe i dënoi të akuzuarit.

Shkëlzen Leci, Ibrahim Qadraku dhe Fatlum Beqolli u dënuan me nga gjashtë vjet burgim, Shpend Krasniqi me tre vjet e gjashtë muaj burgim, e Agon Dulla me një vit e pesë muaj.

Xhemajl Qadrakut, Mentor Beqollit dhe Liridon Lecit gjykata ua shqiptoi dënimin me burg prej nga një viti secilt, ndërsa Durim Ajupi është dënuar me nëntë muaj burgim, ndërkaq Vehbi Beqolli me gjobë në shumën prej 1.000 eurove.

Vehbi Beqolli në këtë proces gjyqësor akuzohej për armëmbajtje pa leje, ndërsa Durim Ajupi për dhënie të ndihmës personave që kryenin vepër penale.

Përveç dënimit me burg, tre të akuzuarit Shkëlzen Leci, Ibrahim Qadraku dhe Fatlum Beqolli do t’i kompensojnë dëmin bankës “TEB” shumën prej 39.930 eurove, si dhe të dëmtuarit Vilson Palokaj shumën e dëmit të shkaktuar prej 38.000 eurove.

Në njërën nga seancat e mbajtura, i dëmtuari Selim Pacolli ka deklaruar para trupit gjykues në krye me gjyqtaren Shpresa Hasaj- Hyseni se nuk kërkon kompensim të dëmit material.

Të akuzuarit e këtij procesi gjyqësor ishin dnuar edhe më herët nga Gjykata Themelore në Prishtinë, por pastaj Gjykata e Apelit e kishte kthyer çështjen në rigjykim, ngase kishte konstatuar shkelje esenciale të dispozitave ligjore. /Kallxo.com/.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close