Epilogu

Si u krye aksioni i parë i UÇK-së në 1992 me vendim të posaçëm të strukturave të UÇK-së

Pjesë nga intervista e kreut të LPK-së z. Bedri Islami për gazetën shqip në vitin 2007. Aksioni ishte zhvilluar ndaj forcave policore serbe të cilat malltretonin popullatën e pafajshme shqiptare në Rajonin e Drenicës. Intervistë për Gazetën Shqip.

KALOÇI: Në disa media, këndej dhe andej kufirit të sotëm politik të Shqipërisë, është shkruar se Hashim Thaçi ka marrë pjesë në aksionet e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Si qëndron e vërteta rreth kësaj që i atribuohet Thaçit?

ISLAMI: Është më se e saktë. Hashim Thaçi ka marrë pjesë në disa aksione. Në njërin prej tyre ka qenë bashkë me Sami Lushtakun, Jakup Nuren dhe Ramiz Lladrovcin. Kjo ka ndodhur në vitin 1992. Aksioni i bërë në Drenasin e sotëm, është i njohur. Por e rëndësishme është të bëhet i njohur fakti se ky aksion ishte i pari që bëhej me vendim të posaçëm të strukturave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Aksionet e deriatëhershme ishin bërë nga organizata, por tashmë ishte ngritur edhe struktura ushtarake e saj dhe kjo ndodhte për herë të parë në lëvizjet ilegale. Pra Hashimi është njëri ndër pjesëtarët e parë të aksioneve ilegale.

KALOÇI: Për këtë aksion ka ndodhur edhe dënimi më pas i Hashim Thaçit nga gjykatat serbe?

ISLAMI: Dënimi i tij nuk ka lidhje vetëm me këtë aksion. Bartësit e këtij aksioni vetëm tash, për herë të parë, bëhen të njohur. Hashim Thaçi është dënuar në grupin e njohur si “Grupi i Drenicës”, prijës i së cilit ka qenë Adem Jashari. Gjykatësja hetuese, Danica Marinkoviqi, më 4 tetor 1996 mori aktvendimin për zbatimin e hetimeve kundër 15 ilegalëve, nga të cilët vetëm tre ishin të arrestuar, ndërsa të tjerët ndodheshin në arrati. Hashimi ishte njëri prej tyre. Ai akuzohej se në natën mes 13 dhe 14 prillit 1993, pra në pragun e 25-vjetorit të tij, së bashku me disa shokë, kishin planifikuar një aksion, i cili kishte mbetur pa u realizuar. Në përfundimin e aktgjykimit, Hashim Thaçi do të dënohej me 10 vite burg, është i njëjti gjyq, në të cilin Adem Jashari dënohet, po ashtu në mungesë, me 20 vite.

Exit mobile version