Epilogu

Sipas familjarëve, ky është vrasësi/dorasi i Tahir Zemajt i cili është dënuar me 27 vjet burg

Me 24 nëntor të vitit 2003, u vranë në pabesi dy policët e Kosovës, Isuf Haklaj dhe Sebahate Tolaj. Dy policit, të cilët tashmë nuk jetojnë më, u vranë pasi ishin gati të zbulojnë një vrasje të madhe, e cila kishte tronditur opinionin shqiptar.

Por, deri më tani nuk ka asnjë provë të vetme që e ndërlidhin këtë vrasje me komandën e UÇK-së.

Ata po hetonin dy vrasje politike, duke qenë kështu edhe shumë afër zbulimit të tyre. Por, Isuf Haklaj e Sebehate Tolaj, dy ish policët e Policisë së Kosovës, nuk arritën që ta kryenin deri në fund hetimin që kishin nisur. Ata u vranë më 24 nëntor të vitit 2003.

Isuf Haklaj e Sebahate Tolaj kishin arritur që rrethin e ngushtë të vrasjes së kolonel Tahir Zemajt ta binin vetëm në dy persona, ku edhe kjo dyshohet të jetë arsyeja e vrasjes së tyre, kështu duke mos arritur të qonin deri në fund zbulimin e vrasjes së kolonel Tahir Zemajt.

Ndonëse, njëri nga atentatorët tashmë është i burgosur me 27 vite burg lidhur me këtë rast, ende nuk dihen se kush ishin urdhërdhënësit dhe organizatorët e vrasjes.

Në anën tjetër, Prokuroria e shtetit si për shumë raste të vrasjeve politike, të cilat kanë ndodhur pasluftës nuk kanë dhënë asnjë version se deri ku kanë arritur hetimet lidhur me këtë rast, pavarësisht se familjarët e dy policëve kanë deklaruar se ka të tjerë të involvuar në këtë rast.

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj thotë se, Isuf Haklaj e Sebahate Tolaj janë njerëzit të cilët na kanë mundësuar të çlirohemi dhe të gëzojmë lirinë aq të shtrenjte për të cilën dhanë jetë shumë gjenerata.

“Tezaku im Isufi e tezja ime Sebahate kontribuuan që edhe pas luftës të na krijojnë ambient më të sigurt dhe sundim të ligjit. Pa njerëz si këta dy nuk do të ndiheshim të sigurt të dalim as në rrugë”, thotë Gecaj për gazetën “Bota sot”.

Gecaj tregon edhe për telefonatën që Isufi ia ka bërë 10 ditë para se të vritej.

“Isuf Haklaj më kishte telefonuar 10 ditë para vrasjes duke më thënë se vrasësin e Tahir Zemajt e kishte prurë në 3 persona, dhe se njeri nga këta të tre ishte vrasësi qind për qind. Unë e kisha lutur që për gjëra të tilla mos të fliste në telefon, por se do të pinim nga një kafe e ta diskutonim këtë çështje. Kjo ishte hera e fundit që kisha biseduar me të”, shprehet Gecaj.

Ai pohon se Policia e Kosovës duhet gjithsesi të vazhdoje aty ku e kishte lënë Isufi.

“Fatkeqësisht, institucionet tona dhe ne të gjithë si shoqëri ju kemi mbetë borxh këtyre njerëzve. Asnjë qeveri, duke përfshirë atë tonën, nuk kemi bërë sa duhet për ndriçimin e këtyre vrasjeve. Vrasësit e tyre besoj unë fuqishëm se janë të ulur në kolltukët e pushtetit. Të shpresojmë dhe të punojmë që për rastet e tilla të materializohet thënia popullore se “asgjë nuk mbetet për atë dynja”. Lavdi dhe përulje të përjetshme Isufit, Sebahates dhe të gjithë atyre që u vranë nga kriminele shqipfolës”, përfundon Bajram Gecaj.

Në anën tjetër, shoqata “Thirrje për drejtësi”, themeluar nga familjarët dhe viktimat e atentateve me motive politike në Kosovë, ka kërkuar drejtësi për Sebahate Tolajn dhe Isuf Haklajn dhe për të gjitha vrasjet tjera politike,

“Edhe një vrasje e dyfishtë politike. Në cilësinë e hetuesve policorë , në një atentat u vranë oficerët policorë Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj, njëkohësisht edhe ish luftëtarë të Betejës së Koshares. U vranë me të vetmin motiv se hetonin vrasjet politike në Rajonin e Dukagjinit , atë të Tahir Zemajt dhe të Smajl Hajdarajt. Vetëm një nga vrasësit-dorasi, Bedri Krasniqi është dënuar me burg për këtë vrasje të dyfishtë. Drejtësia jonë (dhe ndërkombëtare) e çmendur nuk shkoj më tej, as nuk identifikuan dorasët tjerë që morën pjesë dhe as urdhërdhënësin. Drejtësi për Sebahate Tolajn dhe Isuf Haklajn! … dhe për të gjitha vrasjet tjera politike!”.

Exit mobile version