Gani Geci / lufta pa maska
Adem Dërguti ishte kryetar i Forumit Rinor të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Skënderaj. Para se të shkonin në Shqipëri, kemi bërë ushtrimet e para të gjuajtjeve në malin e fshatit tonë – Llaushë, të organizuar nga Adem Dërguti, ku kanë marrë pjesë Sahit Jashari, Ramush Thaqi dhe të gjithë anëtarët e Këshillit Qëndror të Forumit të LDK-së. Mirëpo, menjëherë pas shkuarjes së tyre në Shqipëri, kishin filluar shantazhet për ta larguar Adem Dërgutin nga pozita e tij – kryetar i Forumit Rinor i LDK-së në Skënderaj. Gjatë asaj kohe kur Ademi (Dërguti) ishte në Shqipëri, në një mbledhje të Forumit Rinor, në tetor – nëntor të vitit 1991, ku kishte marrë pjesë edhe Hashim Thaçi, me disa anëtarë tjerë të forumit, si Gani Koci, anëtar i kooptuar në Kryesinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës – Dega në Skënderaj, dhe Hilmi Zeka. Këta të tre e kishin «shkarkuar» Adem Dërgutin, pa Kuvend, nga posti i Kryetarit të Forumit Rinor dhe në vend të tij ishte «emruar» Hashim Thaçin, me pretekstin se Adem Dërguti e kishte lëshuar Kosovën dhe kishte ikur në Perëndim. Kjo të jep të kuptosh se të përmendurit nuk e dinin fare se ku gjendeshin Adem Jashari dhe Adem Dërguti. Në mbledhjen tjetër, në lokalet e LDK-së në Skënderaj, në muajin tetor të vitit 1991, ku merrte pjesë i tërë Këshilli Qëndror dhe Kryesia e Forumit, në të cilën isha edhe unë, njëzëri kundërshtuam Hashim Thaçin dhe dy të tjerët për veprimin e tyre duke theksuar se «Adem Dërgutin ka të drejtë ta shkarkojë vetëm Kuvendi i Forumit Rinor. Dhe ky Kuvend i mbajtur disa kohë më parë – Dega e LDK-së në Skënderaj Turiçevc, ku kishin marrë pjesë delegatët e 52 fshatrave të komunës së Skënderjat kishte vendosur ndërkohë për këtë përbërje të Kryesisë: Adem Dërguti – kryetar, Afrim Kabashi, Hanife Kerolli, Sabit Rreci, Bahtir Kastrati, Ramë Rreci, Rafet Ismajli, Rifat Mëziu, Muharrem Zabeli, Pajazit Isufi, Avdyl Imeri, Ismet Veseli dhe unë (anëtarë kryesie). Në vazhdim po e botoj pjesërisht letrën e Adem Dërgutit, të dërguar në muajin shkrut të vitit 2001. FAXIMILI I nderuari zotëri Gani Geci, Duke të dëshiruar shëndet dhe të mira në jetë, me respekt të posaqëm të përshëndes në realizimin e librit “Lufta pa Maska”. Shpreh simpatinë time të thellë me aktivitetin tuaj të guximshëm, në luftë dhe pas luftës. Pa hyrë në detaje, kam admirim në ty dhe pse jo, më gëzon fakti që një kohë u njohëm, bëmë pak aktivitet së bashku dhe mund të them se po bëhesh trashëgimtar i mirëfilltë i familjes që i takon dhe i një populli që duhet ta meriton. Këto organizime, si në Shqipëri, Maqedoni dhe Zvicër bëhëshin me përgjegjësi të Imer Berishës dhe vëllezërve të tij, ose lidhjeve që ai i kishte me njerëz të besuar. Prandaj e ndaj mendimin se Imer Berisha (atëherë banonte në periferi të Zürich-ut), pikërisht në banesen e tij bëheshin organizimet. Aty për herë të parë janë takuar në shtator të vitit 1991, musafirë së bashku, Ibrahim Rugova dhe Adem Jashari. Ky takim i “rastësishëm” do të jetë shumë vendimtar që më vonë Adem Jashari të përkushtohet me forcë në realizimin e lirisë së Kosovës deri në fund. Këto gjëra i di më mirë Imer Berisha dhe vëllau i tij Zymeri. Ndërsa zotëri Salih çeku, (respekt për zotëri Çekun), do të realizojë hyrjen dhe futjen e armëve në Kosovë, i pari në formën e organizuar. E tërë ngjarja ndodhë prej 1 ose 2 nëntori të vitit 1991. Nga Mitrovica kanë qenë këta djem: Ramadan Begu, Ilmi Peci, Lutfi Jonuzi, Nazmi Bajrami, Ymer Ymeri, Zejnullah Voca, Ejup Murseli, Shaim Behrami dhe Beqir (nuk ja dij mbiemrin). Ndërsa nga Skënderaj ishin këta djem: Adem Jashari, Murat Jashari, Sahit Jashari, Ilaz Kodra, Fadil Kodra, Avni Zymeri, Avni Behrami, Shaqir (nuk ja dij mbiemrin), Jakup Nura dhe unë Adem Dërguti.
|