2014: Organet e drejtësisë s’janë të interesuara të merren me dënimin e UDB’ashëve që kanë vrarë, torturuar dhe burgosur shqiptarë. Familjarët e tyre po krenohen sepse s’e kemi Ligjin për t’ua treguar turpin. Ata kanë zënë pozita në Qeveri, Kuvend, Polici, Prokurori e Gjykata dhe s’lejojnë nxjerrjen e Ligjit për lustracion. Mehmet Loci përveç se e di numrin e UDB’ashëve në UÇK, i di edhe vrasjet që kanë ndodhur. Ish-i burgosuri politik, Nait Hasani flet për Express.
Katër vite më parë, ish i burgosuri politik, Nait Hasani kishte vendosur t’iu bëjë Kallëzim penal një pjesë të udhëheqësve komunistë, të cilët kishin vrarë, burgosur dhe torturuar shqiptarët e Kosovës për shkak se kishin kërkuar Republikë.
Prej asaj kohe deri më tash organet e drejtësisë s’kanë bërë asnjë veprim ndaj njerëzve të ish-sistemit, një pjesë e të cilëve janë ende gjallë dhe kanë funksione publike.
Tash, Nait Hasani thotë se jo vetëm UDB’ashët por edhe familjarët e tyre po krenohen me ta pasi s’kemi Ligj për lustracion, i cili do t’i penalizonte secilin UDB’ashë për vrasjet, torturat dhe burgosjet që kanë ndodhur në kohën e tyre.
“Fëmijët e UDB’ashëve ndihen krenar sepse nuk e kemi ligjin për me ua dhënë turpin edhe për me iu tregu se çka kanë bërë prindërit e tyre. Po ta kishim Ligjin për lustracionin secili që do të konkurronte për një vend pune, secili që do të ishte pjesë e një insitucioni publik, ai nuk do të pranohej dhe do t’i bëhej publike se pse nuk pranohet. Kjo do të kishte ndikuar te familjet e tyre për me tregue se ata kanë qenë pjesë e një sistemi që 250 mijë shqiptarë janë shpërngulë për Turqi. Pjesë e atij sistemi që 500 mijë njerëz janë pjesë e Europës për shkak të vuajtjeve dhe torturave. Pjesë e vrasjeve masive që kanë ndodh. Ata sot e kishin ndier vetën të turpëruar”, ka thënë Hasani.
Debati për UDB’ashët dhe shqiptarët që kanë qenë në shërbim të Jugosllavisë dhe kundër shqiptarëve është hapur pas daljes publike të Mehmet Locit, i cili tha se 140 pjesëtarë të UÇK’së ishin pjesëtarë të Shërbimit Sekret Serb.
Nait Hasani thotë se meqë Mehmet Loci i di numrat, ai i di edhe se si kanë ndodhur vrasjet e ushtarëve të UÇK’së, pasi i ka komanduar spiunët brenda Ushtrisë Çlirimtare.
“Nuk është i vetmi Mehmet Loci. Ka shumë të tillë. Derisa ai i numëron se vetëm gjatë luftës i ka pas 140 bashkëpunëtor të vet ose spiujë në UÇK, ai do të thotë se është njeri që i dinë gjërat. Ai ka marrë pjesë edhe në ato krime. Ai ka marrë pjesë edhe në vrasjen e atyre ushtarëvedhe në prita të ushtarëve. Prandaj, derisa ai e di numrin 40, ai e di edhe se si kanë ndodhur vrasjet dhe torturat që ju kanë bërë njerëzve”, ka thënë Hasani, për Express, të dielën.
Hasani kishte bërë Kallëzim Penal në Prokurorinë vendore dhe atë të EULEX’it, duke akuzuar UDB’ashët prej vitit 1945 e deri në fund të vitet e 90-ta. Në mesin e tyre edhe:
Fadil Hoxha, Sinan Hasani, Dushan Mugosha, Ali Shukriu, Rexhai Surroi, Imer Pula, Veli Deva, Xhevdet Hamza, Xhavit Nimani, Sahit Zatriqi, Mehmet Maliqi, Mehmet Shoshi, Jusuf Karakushi, Mahmut Bakalli, Azem Vllasi, Remzi Kolgeci, Rrahman Morina, Jusuf Zejnullahu, Hashim Rexhepi, Metë Kuçi, Mehmet Lumi, Hasan Mehmeti, Ibush Kllokoqi, Nazmi Mustafa, Xhemshit Gjuriqi, Hazër Susuri, Nikë Lumezi, Miftar Jasiqi, Hilmi Zhitia, Rexhep Haxhimusa dhe Vesel Latifi, Hivzi Sylejmani, Bajram Tmava, Bajram Maraj, Mehmet Hoxha, Kolë Shiroka, Syrja Popovci, Kurtesh Salihu, Riza Sapunxhiu.
Pavarësisht kësaj, Hasani thotë se organet e drejtësisë s’kanë bërë asnjë hap.
“Asnjë veprim s’është ndërramarrë prej momentit kur kam bërë kallëzimin penal për njerëzit që i kanë shërbyer komunizmit”, thotë Hasani.
Nait Hasani thotë se edhe tash është vështirë të nxirret një Ligj apo Rezolutë pasi UDB’ashët janë në institucionet më të rëndësishme të Shtetit, siç është Parlamenti dhe Qeveria.
” Ne ende po i amnistojmë, po i rehabilitojmë sepse kanë zënë secilën pore të pushtetit. Ata boll mirë treguar se kemi UDB’ashë edhe në Kuvendin e Kosovës, edhe në Qeveri. Ata janë të koncentruar në Prokurori, në Gjykata dhe në Polici. Ligji për Lustracionin nuk është bërë për shkak se kur është një kërkesë për rezolutë në vitet 2006-2007 atëherë s’janë pajtuar ndërkombëtarët për shkak se me Ligjin e lustracionit shumë ish-funksionar, shumë gjykatës, shumë prokurorë nuk kishin të drejtë të punonin. Ai ligj nuk ka shansa me u ba për shkak se pozicionet e tilla janë të forcuar të ish-sistemit dhe UDB’ashëve”.
Në këtë situatë, Hasani thotë se UDB’ashëve po iu jepet rasti të barazohen edhe me njerëzit që kanë rënë për të çliruar Kosovën.
“Ky është defekt i shoqërisë tonë që nuk e ka dënuar këtë pjesë dhe lufta jonë dhe liria jonë vuan pikërisht nga ata njerëz, ata kriminelë që kanë torturuar popullin. Në sot i thërrasim njerëzit heronj, edhe Jusuf Gërvallën, ndërsa njerëzit që e kanë vrarë janë gjallë. E kemi pasur Prokurorin Ilmi Zhitia, i cili është marrë drejpërdrejtë me lëndën e Afrim Zhitisë. Afrim Zhitia është hero.