Epilogu

Sipas Nolit, 30 vjet para veprës së Marin Barletit, Pal Engjëlli e shkroi një histori për Skënderbeun në latinisht

Pal Engjëlli, i cili la të parin dokument të shkruar të gjuhës shqipe, mendohet të jetë autori i një historie për Skënderbeun në latinisht, botuar në Venedik më 1480, 30 vjet para veprës së Marin Barletit. Deri më sot, njihej autorësia e Dhimitër Frëngut. Fan Noli ka hedhur i pari, tezën për autorin Pal Engjëlli .

Në mes Motit të Madh, një simbolikë domethënëse e identifikimit të bëmave heroike të arbnorëve dhe kryetrimit të asaj epoke, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, ka një lidhje shumë të fortë, një lidhje unike dhe të ndërsjellë, aq sa nuk mundet të kuptohen të shkëputura nga njëra-tjetra. Ky unitet organik, që është gdhendur, nga shekulli në shekull, në mijëra libra dhe vepra artistike në të gjithë botën, e ka skalitur të plotë figurën e heroit kombëtar, ndërsa vetë epokën e qëndresës shqiptare në shekullin XV, e ka përveçuar si shenjën më emblematike të ekzistencës së kombit shqiptar- shkruan Behar Gjoka.

Megjithatë, pjesë e pandarë dhe faktike e kësaj periudhe tepër të rëndësishme historike, e përmasave të pazakonta të kohës dhe të heroit tonë, janë edhe bashkëpunëtorët më të afërt të Skënderbeut, udhëheqës dhe bashkëluftëtarë, që me praninë dhe aktet e tyre, i dhanë zë kohës, shekullit të madh të qëndresës heroike të shqiptarëve, të një lufte me kaq shumë sakrifica përballë hordhive osmane. Natyrën komplekse të periudhës në fjalë, si pjesë e pandashme e mesjetës, e tregon në mënyrë të veçantë sugjerimi i Injac Zamputit, i cili me të drejtë nënvizon: “Sa më thellë të futesh në mesjetë, aq ma e dendun bahet errësina.”

Në mesin e bashkudhëtarëve dhe bashkëmendimtarëve të rëndësishëm dhe të vyer të asaj periudhe dhe madhështisë së vetë heroit, spikat figura e Pal Engjëllit, jo vetëm si këshilltar sipëror dhe bashkëluftëtar i pandarë, por më tepër si një figurë përfaqësuese e vlerave intelektuale dhe shpirtërore, e vlerave atdhetare dhe fetare, që i zgjeruan dimensionet e qëndresës shqiptare, duke i vendosur në ndërlidhje me epokën e humanizmit, i cili përkon me Rilindjen Europiane. Të qenët e tij kaq pranë figurës qendrore të Motit të Madh, me vepra dhe kontribute të dallueshme, me një rol primar si përfaqësues i diplomacisë së Gjergj Kastriotit, por pandarazi edhe si një klerik mendjendritur, e bën të pashmangshme dhe vlerëplotë nxjerrjen në dritë të përmasave të kësaj figure unikale të periudhës në fjalë.

Viti i lindjes: 1417-ta

Në morinë e dokumenteve dhe hulumtimeve të kryera kohë pas kohe nga ana e albanologëve dhe studiuesve, qofshin ato të huaj apo shqiptarë, viti i lindjes së Pal Engjëllit kërkohet në tri mundësi, përkatësisht në vitet 1416, 1417 dhe 1427. Nisur nga pohimet e studiuesve të shumtë, të historisë dhe gjuhësisë, sipas të cilëve Pal Engjëlli ka qenë afërsisht moshatar me Skënderbeun, viti 1427 përjashtohet vetvetiu, bazuar edhe në rrethanat e verifikimit të jetës dhe funksioneve klerikale që pati si detyra të larta. Aq më tepër që shugurimi prift dhe ngjitja në shkallët e hierarkisë klerikale, deri në detyrën e Arqipeshkvit, nuk e bëjnë të mundur përcaktimin e tij në vitet që kryen këtë mision të marrëdhënieve shpirtërore, ku kisha kishte peshë dhe fuqi të madhe. Afërmendsh, mundësitë më të pranueshme të lindjes së Pal Engjëllit janë vitet 1416 dhe 1417. Megjithatë, bazuar në shqyrtimet e bëra në punime apo librat e shumtë studimorë, vihet re se për vitin 1416 ka vetëm dy pohime.

Në anën tjetër, në Fjalorin Enciklopedik të Akademisë së Shkencave (faqe 601), është përcaktuar si vitlindje e këtij personaliteti viti 1417. Po ashtu, Rexhep Smajli, në librin “Tekste të Vjetra”, rithekson (në faqen 69), po këtë vit. Në të njëjtin përfundim mbërrin edhe Dhimitër Shuteriqi, por edhe autorët e tekstit “Historia e Letërsisë Shqipe”, 1983, botim i Akademisë së Shkencave, të cilët nënvizojnë vitin 1417 si vit të lindjes së Pal Engjëllit. Kristo Frashëri e përforcon edhe më tej datimin e vitlindjes, kur shprehet: “Sipas Flavio Komennit, Pal Engjëlli, biri i Andrea Engjëllit që mbante titullin dukë e kont i Drishtit, lindi në vitin 1417. Pasi kaloi me radhë shkallët e hierarkisë kishtare u bë kryepeshkop i Durrësit dhe, gjatë pontifikimit të Pius-it të II (1459-1464…”

Për hir të së vërtetës, në analizën logjike dhe faktike të kohës dhe detyrave që kreu pranë Skënderbeut, të pohimeve dhe kundërpohimeve, viti i lindjes përkon më së shumti me vitin 1417. Përkujtimi i kësaj figure, jetike për të zgjeruar përmasat e Motit të Madh, i rolit dhe kontributeve të vyera të Pal Engjëllit, merr një vlerë domethënëse të jashtëzakonshme në marrëdhënie me vetë qenien arbnore, sidomos me rrezatimet e humanizmit, që varësisht periudhës, janë magma e përtrimjes së shekullit XV. Kjo përmasë lidhet kryesisht me dëshminë e parë të shkrimit të gjuhës shqipe, që daton me hartimin e Formulës së Pagëzimit, në vjetin 1462, si një akt parandalues të konvertimit fetar, duke lënë fenë e të parëve, që do të ndodhte me shpejtësi dhe me reprezalje, veçmas në viset e Skënderbeut, fill pas rënies së kalasë së Shkodrës në vitin 1478.

Pagëzor dhe lajmëtar i shqipes së shkruar

Data 8 nëntor 1462, së paku gjer më tani, shënon gjurmën e parë të dokumentuar të shkrimit të gjuhës shqipe, të realizuar nga ana e arbnorit Pal Engjëlli. Mbajtja e kuvendit kishtar në kishën e Shën Trinisë, nën drejtimin e Pal Engjëllit, Arqipeshkv i Durrësit, bashkëpunëtor i ngushtë i Skënderbeut, prijatari i diplomacisë arbnore, ka vlera të jashtëzakonshme historike. Në artikullin “Leksiku Historik i Gjuhës Shqipe”, botuar në Shkodër në vitin 1996, Kolë Ashta nënvizon: “Ndërkohë, me sa duket (arqipeshkvi: shënimi im – B. Gj), u muar me vizitën baritore, të cilën e vendosi në Mat, në këtë krahinë të Kastriotëve e iu vu përgaditjes që të mbledhë Kuvendin.”

Formula e Pagëzimit, rrethanat e mbijetesës që e sollën në skenë, veçmas karakteri sakral dhe institucional i zbatueshmërisë, si një e drejtë që buronte nga vendimet e marra në kuvend, është një tekst që fiton vlera emblematike, shpirtërore, gjuhësore dhe historike: “Unte’ paghesont premnenit Atit et’birit et spertit senit.” Në disa burime arkivore gjenden jo pak dëshmi dokumentare, sipas të cilave Kuvendi kishtar është mbajtur në Mat, në kishën që mban emrin e Shën Trinisë, ndonëse ende nuk është saktësuar përfundimisht vendi dhe kisha, madje pavarësisht të dhënave tërthore që jepen se është mbajtur në njërën nga kishat e dioqezës së Lisit të Matit, që në shekullin XV ishte nën juridiksionin e Arqipëshkopatës së Durrësit. Në rrafshin gjuhësor, që mbase përbën të dhënën më të padiskutueshme në gjithë këtë mjegullsi, të mbajtjes së kuvendit dhe të përcaktimit të natyrës dhe misionit të formulës së pagëzimit, Eqerem Çabejt shkruan: “… në shpirti, do menduar se kemi të bëjmë me një trajtë reale, trajtë e shqiptimit krahinor, sikundër flitet edhe sot në anët e Matit dhe Lurës, ku thonë pikërisht shpert, më duel shperti…”

Trajta “spertit/shpertit”, ende sot e gjithë ditën, shqiptohet pa asnjë ndryshim, pikërisht në këtë formë tingullore, në ligjërimin bisedor, në rrethinat e rrënojave të Kishës së Shën Trinisë. Rrënojat e mbetura të kësaj kishe, ka më shumë mundësi që të gjenden në rrethinat e Dazgjanit (Dazjanë), ku në mes tjerash përmendet edhe një toponim me emërtimin Qafë-Kaish, e cila ndodhet në një pikë të emërtuar Lnas. Nga kjo pikë e lartë, që të përfytyrohet më tepër si një kullë vrojtimi natyrore, vështrohet deti, qytet e Durrësit, Lezhës, pika më të afërta, Guri i Bardhë, Varoshi, e të tjera pika të zotërimeve të Kastriotëve.

Në Lis, ose qendra e dioqezës së dikurshme, që ka funksionuar si qendër administrative e Matit edhe në periudha të tjera të historisë, trajta gjuhësore “shpirti”, ndërkaq del me formën “shpërt”, madje në ligjërim bisedor vjen kështu edhe sot e gjithë ditën. Larmia gjuhësore e trajtës “shpirti”, pra edhe në këtë hapësirë të ngushtuar, na vjen në dy forma ligjërimore, ku trajta “shpertit”, e një zone të folmeje në rrethinat mbi Lis, dhe “shpërti”, në një zonë tjetër të folmeje, në zonë e Lisit dhe Burgajetit, Zenishtit, etj. Që të dyja këto trajta bëjnë pjesë në nëndialektin e gegnishtes jugore, forma shkrimi të cilat janë të pranishme në librat e Pjetër Budit. Kjo rrethanë e një dyzimi të rrokshëm gjuhësor sjell argumente në të mirë të faktit që kisha ku është mbajtur kuvendi dhe ku u shkrua Formula e Pagëzimit, të jetë në një kishë tjetër, në një vend më të thellë dhe më të sigurt se sa në kodrën ku ka qenë qendra e Lisit. Trajta “spertit/shpertit”, në këtë formë shqiptimi, flitet ende sot në fshatrat e Macukullit, Shëlliut, Shtejfnit (aty ku ka qenë Stefania e dikurshme), Derjan, si dhe në ndonjë lagje të Lurës.

Hipoteza e autorit të “Anonimi” i Tivarit
Në një artikull të botuar në vitin 2016, Mikel Prennushi, në mes të tjerash, shkruan: “Pal Engjëllit, si figurë historike, atdhetare e humaniste i atribuohet dhe një meritë tjetër. Mendohet se ai është autori i një historie të Skënderbeut në gjuhën latine e botuar në Venedik më 2 prill 1480, pra gati 30 vjet para veprës së Marin Barletit.” Parashtrimi i plotë që M. Prennushi bën në artikullin e gjatë, madje duke rimarrë tezën e Fan Nolit, mbi autorësinë, risjell në vëmendje një fakt të jashtëzakonshëm të shkrimit të biografisë së parë të një shqiptari për Skënderbeun. Zgjerimi i diskutimit mbi autorësinë e të parës histori për heroin kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, lidhet ngushtësisht me rrethanën e botimit të parë të këtij libri, pa emër autori. Megjithatë, prania e figurës madhore të Skënderbeut, po kaq bindja e shqyrtuesve dhe studiuesve të kësaj periudhe, se është vepër e një njohësi të mirë të epokës së Motit të Madh, madje e një bashkëpunëtori të afërt dhe tepër të ngushtë të heroit, krijon një pështjellim edhe më të madh, kur ndërkaq pritej që ta davariste situatën e përcaktimit të autorit që shkroi Komentarin. Prandaj, sërish të gjendur në këtë aureolë të gjasave të shenjimit të autorit, të biografisë së parë për Skënderbeun, shkruar nga autor shqiptar, tashmë rivihemi përpara dy alternativave, ku zbulimi dhe përcaktimi i autorësisë ka rëndësi për faktimin e këtij momenti, ndërkohë që libri ka shekuj që bën jetën e vet, ndonëse në gjuhën shqipe erdhi vetëm pas viteve ’90 të shekullit të kaluar.

Faktimi i këtij akti të identifikimit të autorit, të librit të parë biografik për Skënderbeun, nuk është thjesht problem historiografik. Rimarrja e problemit të autorësisë së biografisë së parë për Skënderbeun, për të verifikuar “Anonimin” e Tivarit, argumentet e sjella se i përket Pal Engjëllit lidhen me dy aspekte: së pari, nëse kjo është plotësisht e vërtetë, e argumentuar si analizë e konteksteve dhe analizë tekstologjike, figura e Pal Engjëllit fiton një vlerë më të madhe; së dyti, në pikëpamje historiografike rregullohet një pohim, që ka ecur nëpër kohë dhe hapësirë, si një vepër anonime fillimisht, mandej që përmendet si autor, Dhimitër Frëngu. Duke qenë mendjehapur për idenë, po kaq edhe për argumentet e sjella në të mirë të idesë se libri për Skënderbeun i përket Pal Engjëllit, ndërkaq do të përpiqem që të pranëvë dhe përqas argumentet për të dy alternativat, të cilat rreken të argumentojnë autorësinë e dy autorëve.

Vetë diskutimi mbi mundësinë e dy alternativave, pra të diskutimit të autorësisë ndërmjet dy autorëve, e shpie situatën në një verifikim hipotetik, pavarësisht pohimeve dhe argumenteve të nënvizuara, si dhe pa u anësuar në asnjërën tezë të hulumtimit dhe shenjimit të kësaj të vërtete, që do ta vendoste Pal Engjëllin në një stad më të lartë. Në këtë rrethanë, sa i përket biografisë së parë për Skënderbeun, të shkruar nga një shqiptar, në atë se çfarë ofrojnë studimet albanologjike, historike dhe gjuhësore, jemi në dy gjasa:Së pari, gjer më tani, nga pjesa më e madhe e studiuesve, si autor i këtij libri, që ngre siparin e librave për Skënderbeun, është përcaktuar Dhimitër Frëngu, një bashkëluftëtar i Skënderbeut. Ky tekst është historia e parë që ka vënë në qendër epokën dhe vetë figurën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, botuar në vitin 1480, pa emrin e autorit, një libër që qëndron më afër kohës dhe sjell të dhëna faktike dhe reale të saj, një tekst që është shfrytëzuar nga Marin Barleti për hartimin e biografisë së Skënderbeut. Së dyti, Fan Noli është i pari autor që lë të kuptohet se autor i biografisë së parë për Skënderbeun është Pal Engjëlli. Faktet e paraqitura, fakti kokëfortë se ka qenë këshilltari më jetëgjatë dhe më pranë heroit, të nxit që ta shohësh me vëmendje edhe këtë pohim. Këtë ide e merr dhe shtjellon Mikel Prennushi, si një akt rivlerësues të kontributeve të Pal Engjëllit.

Të dy autorët, varësisht jetës së bërë, ndihmesës së dhënë në atë periudhë, përmbushin disa nga mundësitë, sepse janë bashkëkohës dhe bashkëluftëtarë të Skënderbeut, ndonëse Pal Engjëlli është në një kohë dhe në marrëdhënie më të ngushtë me Skënderbeun. Po ashtu, Dhimitër Frëngu, si dhe pasardhësit e Pal Engjëllit, pas rënies së Drishtit, siç bënë një pjesë e banorëve të trevave veriore, mërguan në Venedik, ku madje dëshmohet se është botuar edhe Anonimi Tivarius-it. Megjithatë, libri i parë biografik për Skënderbeun, në shtegtimin e bërë deri më tani, në shumicën e botimeve, në italisht, frëngjisht, spanjisht dhe në pjesën më të madhe të gjuhëve të tjera, është prezantuar me autorësinë e Dhimitër Frëngut. Pa pretenduar që të them fjalën përfundimtare, se nuk është as qëllimi e as mundësitë e mia, si dhe duke qenë i bindur se vlerat historike dhe faktike të këtij libri, dihet dhe janë konsideruar, por megjithatë do të nënvizoja, nëse konfirmohet përfundimisht se është libër i shkruar prej Pal Engjëllit, figura e tij do të fitonte një përmasë të pazakontë, të një rangu europian, si rol dhe veprimtar intelektual e atdhetar, me një kurorëzim të dimensionit të humanistit të kohës.

Pal Engjëlli – Ati shpirtëror i arbnorëve
Detyrat e larta si Arqipeshkv i Durrësit, por edhe si kryekëshilltar i Skënderbeut, pra të gjithë aktet e kryera në të mirë të shtetit, të grigjës së besimtarëve, si dhe të gjuhës shqipe, e formësojnë si njërin ndër përfaqësuesit më të denjë të shenjtërimit të qëndresës shqiptare në epokën e Motit të Madh. Të qenët at shpirtëror, përveç bëmave lapidare të kryera në jetën përdëllyese të Pal Engjëllit, plazmohet në tri përmasa të identifikuara në dokumentat arkivore, të cilat shpalohen përmes aktesh të qarta:

A – Si prelat i paepur dhe vizionar, që përkujdeset për grigjën e vet, për shqiptarët e besimit katolik, duke ndërmarrë herë pas here udhëtime nëpër krahinat më të thella, për të parë me sytë e vet gjendjen, si dhe për të nxitur organizimin e kuvendeve, si nevojë komunikimi dhe mbijetese e qenies shqiptare, në situatën e amullisë së një lufte heroike dhe me shumë sakrifica.
B – Si burrështetas largpamës, këshilltar i pandarë i Skënderbeut, në ndërmjetësimin e marrëdhënieve më Raguzën, Napolin, Venedikun, vetë Papatin e Vatikanit, e shumë akte të tjera, duke vënë kështu themelet e diplomacisë arbnore, por edhe të një modeli diplomati, që gërshetonte dijen me humanizmin, në dobi të shtetit të arbrit dhe të grigjës arbnore.
C – Sipërmarrja e pazakontë për të futur gjuhën shqipe në shërbesat fetare, që kulmon me Formulën e Pagëzimit, si një akt i pashembullt reformator në historinë e Vatikanit, për të shpëtuar njeriun nga konvertimi detyrues, që ndërmorën hordhitë osmane, menjëherë pas vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

Tiparet e gdhendura në jetën dhe veprën shembullore të Pal Engjëllit, si at shpirtëror fetar, po kaq si at shpirtëror i qenies arbnore, i fatit të gjuhës dhe kulturës, janë të mjaftueshme për të parë te bëmat e tij prijatarin e priftërinjëve katolikë, për t’i shërbyer atdheut dhe fesë, si një unison i vlerave shpirtërore, që mbajti gjallë ëndrrën e gjallimit të qenies arbnore. Shenja fillestare e projektuar me ndihmesën e Pal Engjëllit, po në atë devizë, të atdheut dhe fesë, formësohet dhe shqiptohet në veprën e Buzukut, Budit, Bardhit dhe Bogdanit, në letërsinë e hershme shqipe. Po me atë vokacion të njëmendtë të atdheut dhe fesë, që përbëjnë shtigjet e mbijetesës së qenies arbënore, formulohet kaq fuqishëm në veprën letrare, fetare dhe atdhetare të rilindasve, si dhe të mjeshtërve të tjerë të shqipes, që ruajtën shpirtin e kombit, aspiratën për liri dhe përparim.

Exit mobile version