Në vitin 2019, Gjykata e Prishtinës e kishte shpallur fajtor dhe e kishte dënuar me një vit burgim Avdylkadër Muçajn, që akuzohej për keqpërdorim të pozitës zyrtare duke qenë drejtor i Departamentit Ligjor dhe të Licencimit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave [ARH]. Por, ai së fundi është transferuar në Zyren Ligjore në Ministrinë e Mbrojtjes si drejtor i saj.
Ai ishte dënuar pasi u konsideruar që kundërligjshim i kishte sjellë përfitime operatorit të vetëm pulik dhe monopolist “Trainkos” duke e dëmtuar kompaninë “Railtrans” me vlerë prej 1.2 milionë eurosh.
Prokuroria kishte konsideruar që Muçaj kishte lëshuar një vendim që ka të bëj me revokimin e licencës për transport hekurudhor të mallrave për ndërmarrjen “RailTrans”.
Aktakuza ndaj tij ishte ngritur në tetor të vitit 2015.
Por, si duket as ky dënim me burgim për korrupsion nuk mjaftoi që Avdylkadër Muçaj të mos ulej në një pozitë kaq të rëndësishme shtetërore.
Periskopi ka dërguar pyetje në Ministrinë e Mbrojtjes për të konfirmuar një lajm të tillë, dhe kjo ishte përgjigja:
“Sipas Ligjit Nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publik, neni 52 Ministria e Mbrojtjes ka bërë plotësimin e përkohshëm, përmes transferit për një periudhë deri në gjashtë (6) muaj, pozitën e Drejtorit të Departamentit Ligjor, me z. Avdylkader Muqaj, i cili ka qenë Drejtor Ligjor në Autoritetin Rregullativ të Hekurudhave.” – ka thënë zëdhënësi i kësaj ministrie, Ibrahim Shala, Periskopit.
Muçaj ka zëvendësuar në këtë detyrë Krenare Sogojeva Dermakun e cila ishte emëruar nga Qeveria Kurti para pak ditësh në pozitën e Komisioneres së Agjencisë së Privatësisë.
Për më shumë nga rasti i tij gjyqësor mund të lexoni në vegëzën e Kallxo.