Epilogu

Skandal: Ministria e Liburn Aliut për dy muaj dha 28 tenderë me mbi 5 milionë euro pa procedura të hapura

Ministria e Infrastrukturës e udhëhequr nga Liburn Aliu, për më pak se dy muaj ka nënshkruar hiq më pak se 33 tenderë.

Por ajo që vihet re në këta tenderët e fundit është mënyra e dhënies së tyre, shkruan Infokus.

Nga 33 tenderë 28 prej tyre janë dhënë në mënyrë një burimore, të mbyllur apo siç njihet zyrtarisht përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës.

Nga 28 prilli vetëm pesë tenderë në këtë ministri i janë nënshtruar procedurave të hapura e të rregullta të prokurimit.

Pikërisht kjo dhënie e tenderëve në këtë formë konsiderohet si procesi më i dyshimtë nga ku buron korrupsioni dhe vjedhja e buxhetit të shtetit.

Kjo pasi negocimi bëhet direkt ndërmjet punëdhënësit, në këtë rast Ministrisë së Infrastrukturës e kompanive private.

Sipas ligjit për Prokurim Publik procedurat e negociuara aplikohet në rrethana të veçanta ku autoriteti kontraktues fton dhe këshillohet me operatorët ekonomik të zgjedhur nga ai për t’i negociuar kushtet e kontratës me njërin ose më shumë prej tyre.

Ndërsa procedurë e hapur nënkupton procedurat e prokurimit që i lejojnë çdo operatori të interesuar ekonomik të paraqet tender e ti hyj garës për të fituar atë.

Por Ministria e Infrastrukturës muajt e fundit zgjodhi formën e parë të dhënies së tenderëve. Pa kurrfarë gare, e që rrjedhimisht edhe çmimet në raste të tilla janë tejet të larta.

Kështu vlera e përgjithshme këtyre tenderëve del të jetë goxha e lartë, që shton dyshimet për keqpërdorim eventual.

5.1 milionë euro kjo ministri del të ketë dhënë përmes procedurave të dyshimta nga 28 prilli i këtij viti, shkruan Gazeta Infokus.

Punët e kryera janë nga më të ndryshmet në dikasterit të infrastrukturës por edhe ofrim shërbimesh.

Të gjitha këto kontrata janë konsideruar me vlera të mesme edhe pse në to ka edhe shuma tejet të mëdha.

Në fakt vlerat e këtyre tenderëve në ministrinë e drejtuar nga Liburn Aliu varijojnë nga 15 mijë euro në mbi gjysme milioni. /infokus/

Exit mobile version