Prej kur Xhafer Tahiri i LDK-së është bërë Kryetar i Vushtrrisë, te ndërtuesit e asaj ane si sekserë kryesorë të tij njihen Salih Tahiri, vëllai i tij, si dhe babai bashkëshortes së tij, Mexhid Përçuku, që të gjithë e quajnë Haxhia.
Por, edhe pse ishin përfolur gjithmonë për afera të mëdha korruptive, një gjë e tillë nuk ishte dëshmuar asnjëherë për Xhafer Tahirin dhe familjarët e tij.
Indeksonline ka siguruar një video ekskluzive, ku shihet qartë vëllai i Xhafer Tahirit të LDK-së, duke negociuar për dhënien e lejeve ndërtimore në Vushtrri dhe duke marr para kesh në duar si ryshfet.
Në dy takime të ndara, sipas kësaj videoje, Salih Tahiri flet për shuma të mëdha parash dhe “kapje të parave” për dhënie të lejeve ndërtimore.
“Biri senet (paret) thuj, nisja punës, … mos të han”, dëgjohet duke thënë ai.
Së bashku me bashkëbiesduesin e tij, që duket se është ndërtues, dëgjohen duke folur edhe rreth një ndërtuesi tjetër për sigurimin e një leje ndërtimore, në këmbim të së cilës i kanë kërkuar veturë dhe banesa.
“Ti e ki shpërblimin tend. Unë sa banesa ja dhanë Salihit a sa Xhafes nuk o problem i jemi. Mu m’intereson qikjo, du kerrin edhe paq”, dëgjohet duke thënë ai.
Madje, ata flasin edhe për dërgimin e inspektorëve ndërtimorë, të cilët i përdorin si mjet shantazhi për ndërtuesit.
“Nuk i kanë shku, veç atë ditë që e ke çu atë, e ke çu ti”, i thotë ai vëllait të Xhafer Tahirit.
“I kapim senet, tani folim. Edhe kap ti, që mundesh me kapë, kap edhe ti…”, vazhdon ai, duke folur me pasë edhe për një tender.
Por, po ashtu, në këtë video përmendet edhe “Haxhia”, baballaku i Xhafer Tahirit, i cili, nga mënyra sesi flet vëllai i Xhafer Tahirit për të, lë të nënkuptohet se po i bën konkurrencë në “vjeljen” e ryshfetit dhe ka nisur t’i ankohet për të edhe Kryetarit të Vushtrrisë, Xhafer Tahirit.
Lidhur me këtë tender, vëllai i Xhafer Tahirit thotë se i është ankuar ai që ka bërë punë shtesë.
“Kënd e ka menaxher aty?”, e pyet bashkëbiesuesi vëllain e Xhafer Tahirit.
“Haxhia bre. A është Haxhia, baballaku? Edhe Haxhia a po të duket burrë i mirë a? Sa i murë Haxhia, a mi murë 2 mijë e 500? Po.”, vazhdon biseda e tyre, me konfirmimin e Salih Tahirit, që baballaku i Xhafer Tahirit i ka marrë 2,500 euro.
“I kish thënë Xhafes 7 mijë euro mi kanë marrë”, dëgjohet duke thënë Salih Xhaferi, që nënkupton se Kryetari i Vushtrrisë është në dijeni të plotë të aferave korruptive që ata bëjnë me shërbime komunale.
Ndërsa, në takimin e dytë, duke folur për lejet ndërtimore, bashkëbiesduesi i thotë vëllait të Xhafer Tahirit: “Qiti po ja kryjna. 300 mi dha, edhe 200 kur t’ja nisim”, marrëveshje kjo që pason me një të sharë nga vëllai i Xhafer Tahirit, i cili duket i pakënaqur që nuk ia ka marrë të gjitha paratë përnjëherë.
“Po t’i dha qitu 300”, i thotë ai, që si përgjigje prej tij merr: “Shtini more në xhep, mos të shohin njerëzit”.
“Ngjehi, mos ta kam dhanë najnja ma shumë”, i thotë bashkëbiseduesi vëllait të Xhafer Tahirit, i cili pasi i numëron paratë, konfirmon që janë në rregull.
Salih Xhaferi ka qenë shofer personal i vëllait të tij, kryetarit Xhafer Tahiri, në kohën kur është incizuar këtu duke negociuar për dhënie të leje ndërtimore.
Sjellja e Salih Tahirit në këtë video dëshmon për një grup të strukturuar kriminal brenda Komunës së Vushtrrisë, ku janë të përfshirë edhe njerëzit më të afërt të kryetarit Xhafer Tahiri, si dhe zyrtarë të urbanizmit dhe kadastrit.
Vëllai i Xhafer Tahirit konfirmon edhe vetë në këtë video ndikimin e madh që e ka tek i vëllai, Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, i cili është mik i ngushtë i Vjosa Osmanit, Kandidates së LDK-së për Kryeministre.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2017, Vjosa Osmani kishte qëndruar gjatë gjithë kohës në Vushtrri për ta mbështetur personalisht Xhafer Tahirin.
https://www.facebook.com/watch/?ref=external&v=829747300774451 VIDEO