Ndërhyrja e mundshme ruse në zgjedhjet sllovene u zbulua kur një OJQ, që besohet të jetë një mjet me qëllim të veçantë për shmangien e rregullave të financimit të fushatës për partinë SvoboDA, u ofroi votuesve udhëtime falas me taksi për votuesit në bastionin e tyre Ljubljanë, raporton demokracija.eu, përcjell Insajderi.
Partia SvoboDA u regjistrua disa javë para zgjedhjeve dhe financimi i saj nuk është transparent. Presidenti i partisë z. Robert Golob është një ish-drejtor i kompanisë sllovene të energjisë GEN-I me lidhje të ngushta me Gazpromin rus. Golob është gjithashtu ish-zëvendës president i partisë politike të Zoran Jankoviç, i cili mori Urdhrin e Miqësisë, i konsideruar si një nga çmimet më prestigjioze ruse, nga Vladimir Putin.
“Z. Dejan Jefim, një biznesmen me lidhje të ngushta me Serbinë, Rusinë dhe z. Jankovic, financon udhëtimet me taksi. Z. Jefim ka qenë një menaxher rajonal për kompaninë shumëkombëshe ruse Yandex, por me fjalët e tij, ai nuk punon më për Yandex. Ky pretendim nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur. Z. Jefim është gjithashtu pronar i një kompanie IT që mban 80% të tregut në pajisjet e TI-së për shërbimet taksi në Slloveni. Është mjaft interesante se në të njëjtën kohë, z. Jefin është edhe kryetar i sindikatës së shoferëve sllovenë të taksive”, raporton demokracija.eu.
Nënkryetarja e partisë SvoboDA, zonja Marta Kos, është një kundërshtare e zëshme e dërgimit të armëve në Ukrainë dhe në vend të kësaj promovon dialogun me Moskën.
Ndryshe, mediat sllovene e kanë zbuluar një skandal të madh financiar, ku është i përfshirë Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë. Në këtë aferë, ku dyshohet për shpëlarje parash, duket që është përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, që mediat sllovene tregojnë që i ka bartur në para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi për tek politikani slloven.
Sipas televizionit Planet tv, në xhirollogarinë MB Consulting, në pronësi të Berishajt të regjistruar në Mal të Zi, nga një kompani serbe janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro për çdo muaj.
Ky televizion ka raportuar se një pjesë e dokumentacionit të siguruar tregon se ngjarja në fjalë është shtrirë në vitet 2019 dhe 2020.
Pagesat ishin kryer nga dega për Serbi e GEN (kompani energjetike) te kompania private MB Consulting në Mal të Zi, me të cilën kompania GEN ka marrëveshje për këshillime. /insajderi/