Blerim Sallahu, i ka dhënë vetës kompetenca që nuk i takojnë. Ka marrë rolin e prokurorit për të kryer hetime paralele lidhur me vdekjen e aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari. Ai, ka marrë në pyetje oficerin korrektues, Daut Kastrati lidhur me rrethanat e vdekjes. Pos, tij zëvendësministri i Drejtësisë ka marrë në pyetje edhe dëshmitarë tjerë. Sallahu, e ka konfirmuar takimin me oficerin Kastrati, por ka mohuar të ketë ndërmarrë veprime që tejkalojnë kompetencat e tij.
Daut Kastrati, oficer korrektues në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ishte kujdestar i repartit më 5 nëntor, 2016 kur Astrit Dehari në rrethana të dyshimta ndërroi jetë në Dhomën “A-3” të qendrës.
Pothuajse pesë vjet më vonë, derisa rasti Dehari po hetohet nga Prokuroria Speciale, Daut Kastratit në vendin e tij të punës iu prezantua një zyrtar i nivelit të lartë qeveritar. Më 26 gusht të këtij viti, ai u mor në pyetje nga zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu.
Pos marrjes në pyetje, Sallahu ndërmori edhe veprime tjera hetimore të cilat janë kompetencë e Prokurorisë e jo ekzekutivit politik.
Paparaci, ka zbuluar se Sallahu në rolin e prokurorit ka marrë në pyetje oficerin korrektues, duke e detyruar ta dërgojë në të gjitha hapësirat e Qendrës Korrektuese.
Burimet i kanë thënë Paparacit se zëvendësministri Sallahu e ka ftuar oficerin korrektues në zyrën e drejtorit të Qendrës Korrektuese në Prizren, Hamit Ademaj, dhe “e ka marrë në pyetje duke e paragjykuar rastin”.
“E ka provokuar herë në rolin e prokurorit, herë në rolin e policit hetues lidhur me rastin e të ndjerit Astrit Dehari”, ka thënë ky burim për Paparacin.
Sallahu ka konfirmuar takimin me oficerin Daut Kastrati, në një përgjigje që i ka dhënë Paparacit të enjten. Ka mohuar marrjen në pyetje të oficerit, duke e cilësuar thjeshtë një takim.
Zëvendësi i ministres Albulena Haxhiu ka deklaruar se vizitën të cilën e kishte ndërmarrë në kuadër “të kompetencave ligjore së bashku me ekipin tim”, i ka rënë të takohet me oficerin Kastrati si dhe me oficerë të tjerë që kanë qenë në ndërrim më 5 nëntor, 2016.
“Kemi takuar disa oficerë korrektues të cilët kanë qenë në ndërrimin e asaj kohe në pavijone të këtij institucioni, në mesin e të cilëve kemi takuar edhe oficerin korrektues të cilit i referoheni”, ka thënë Sallahu të enjten.
Gjatë vizitës në qendër, Sallahu ka inspektuar dhomën “A-3”, në të cilën ka ndërruar jetë Astrit Dehari, aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë i njëjti burim.
Bazuar në rrëfimin e tij, sjellja e zëvendësministrit ka ngjarë me atë të një prokurori.
“Pastaj ka shkuar në dhomën ‘A-3’ ku ka qëndruar i ndjeri Astrit Dehari, i ka larguar nga dhoma të paraburgosurit dhe në rolin e hetuesit e prokurorit, duke paragjykuar mbi rastin, e ka vëzhguar dhomën dhe banjot e dhomës”, ka thënë ky burim brenda Qendrës së Paraburgimit në Prizren.
Gjatë inspektimit, zëvendësministri ka kërkuar hapjen e një dere, e mbyllur që nga viti 2002 me urdhër të Prokurorisë së Shtetit, ka thënë ky burim. Kjo derë ka dalje drejt Stacionit Policor në Prizren.
“Pas dhomës ka shkuar tek dera e ‘famshme’ që e ka zbuluar avokati Tomë Gashi, duke kërkuar hapjen e saj, duke urdhëruar që të hapet, edhe pse drejtori dhe stafi në detyrë kanë deklaruar se nuk kanë kompetencë ta hapin atë pa një vendim nga gjykata apo prokuroria”, ka rrëfyer burimi i Paparacit.
Interesimin për dhomën brenda qendrës, të mbyllur për 19 vjet, e ka konfirmuar zv/ministri Sallahu. Ai i ka thënë Paparacit se ka pyetur për këtë dhomë por se është njoftuar që ka një urdhër të prokurorisë që e mban atë të mbyllur.
“Ne kemi pyetur për dhomën të cilës i referoheni në pyetje, pse është e mbyllur dhe jemi njoftuar se dera është e mbyllur me kërkesë të prokurorisë”, ka thënë Sallahu, në një përgjigje me shkrim për Paparacin.
Po ashtu, në përgjigjen për mediumin, Sallahu tha se në kuadër të kësaj vizite, ka vizituar ambiente të “punës, dhe të banimit të të dënuarve dhe të paraburgosurve për t’u njoftuar me trajtimin, kushtet e jetës, akomodimit”.
Në një njoftim për media të lëshuar më 26 gusht, 2021, rreth gjashtë orë pas vizitës së Sallahut në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, Ministria e Drejtësisë nuk kishte njoftuar për marrjen në pyetje të oficerëve korrektues lidhur me rastin Dehari.
Në komunikatë thuhej shkurtimisht se zëvendësministri është interesuar “për kushtet e punës dhe nevojat e stafit të qendrës.”
Astrit Dehari ishte arrestuar si i dyshuar për sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, që kishte ndodhur më 4 gusht, 2016, bashkë me disa aktivistë tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Bashkë me Astrit Deharin, ishin arrestuar edhe Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti (v.j. disa prej tyre tashmë nuk i përkasin Lëvizjes Vetëvendosje).
Ndërsa po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, Astrit Dehari vdiq më 5 nëntor, 2016.
Autoritetet përgjegjëse në Kosovë e cilësuan vdekjen e tij si “vetëvrasje”.
Por, Familja Dehari kërkoi një ekspertizë ndërkombëtare, e cila u realizua nga Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës.
Me 17 maj, 2017, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri kishte konfirmuar para Kuvendit se kjo lëndë do të dërgohej në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës.
Kjo ekspertizë është publikuar më 24 tetor, 2019 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës. Ajo ka ngritur dyshime për vrasjen Astrit Deharit.
Bazuar në të gjeturat e këtij raporti të Qendrës Universitare të Mjekësisë Ligjore në Lozanë, Prokuroria konfirmoi se do të vazhdonte hetimin e këtij rasti dhe do t’i ndërmerrte të gjitha veprimet e nevojshme.
Me këtë konstatim, Prokuroria e ktheu rastin në hetim, pas konstatimeve të mëparshme se bëhej fjalë për vetëvrasje.
Kësisoj, Kryeprokurori i shtetit mori vendim që rasti të kalonte nga Prokuroria Themelore në Prizren në juridiksion të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për një hetim të ri.
Të premten, bëhen pesë vjet që nga vdekja e Deharit. Avokati i familjes, Tomë Gashi, deklaroi sot “prokuroria të përgatitet për arrestime”, në një reagim në Facebook.
Astrit Dehari, la prapa vetes bashkëshorten, Arta Boshtraj-Deharin dhe vajzën, Arsën. /Paparaci.com