fbpx
Lajme

Kjo është letra e LVV-së për Albright, ku akuzohej për korrupsion dhe kërcënohej me ballafaqim nga aktivistët e Kurtit

Më shumë se një dekadë pas përfundimit të luftës, duke qenë faktor kryesor në bombardimin e Jugosllavisë, ish-sekretarja amerikane Madeleine Albright kishte vendosur të investonte në Kosovë. Kompania e saj “Albright Capital Management Llc” i ishte futur garës me 7 kompani të tjera vendore dhe ndërkombëtare për blerjen e Postës dhe Telekomit të Kosovës. Megjithatë, ky vendim i gruas që sot edhe nga Lëvizja Vetëvendosje po konsiderohet si “heroinë e Kosovës”, ishte kundërshtuar fuqishëm asokohe nga ky subjekt politik, që me aktivistët e vet në mënyrë të organizuar edhe e kishte kërcënuar.

Albright vdiq të mërkurën dhe në nderim të saj Kosova mbajti edhe një ditë zie.

Duke ditur kontributin e jashtëzakonshëm që ajo kishte dhënë për lirinë dhe shtetformimin tonë, vdekja e saj shkaktoi pikëllim të madh te kosovarët, raporton Demokracia.com.

I mërzitur për vdekjen e Albright u shpreh edhe kryeministri Albin Kurti, i cili vlerësoi se ajo ishte mike e Kosovës deri në fund. Sidoqoftë, mendim të tillë për ish-sekretaren amerikane, Kurti nuk kishte pasur edhe gjatë kohës sa ishte në opozitë.

Demokracia.com ka siguruar ekskluzivisht letrën për të cilën ishte deklaruar edhe ish-ambasadorja amerikane Tracey Jacobson, e cila kishte treguar se Albright ishte kërcënuar nga Kurti dhe partia e tij.

Lëvizja Vetëvendosje, asokohe në opozitë, aktivistëve të saj ua kishte bërë gati edhe shkresën kundër Albright, duke i “urdhëruar” që të njëjtën masivisht t’ia dërgonin asaj në e-mail për ta penguar privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Në letrën që e ka siguruar Demokracia.com, shihet se Lëvizja Vetëvendosje e drejtuar nga Kurti kishte përdorur një gjuhë tepër të rëndë me Albright, duke e akuzuar atë edhe për përfshirje në korrupsion.

“Ndërmarrja publike të cilën ju synoni ta shpronësoni nga ne, përmes Qeverisë Thaçi, është ndërtuar nga mundi i qytetarëve të Kosovës. Duhet të jeni të vetëdijshëm se ky proces i privatizimit është kundërshtuar nga shumica dërrmuese e qytetarëve dhe punëtorëve të Postës dhe Telekomit të Kosovës. Këta të fundit, së bashku me mijëra qytetarë, kanë protestuar disa herë kundër privatizimit. Procesin e mbështet vetëm partneri juaj, Hashim Thaçi. Personi që ju keni zgjedhur si partner nuk gëzon legjitimitetin e nevojshëm për një proces kaq të rëndësishëm për vendin tonë. Partneri juaj, Hashim Thaçi, është personi kryesor përgjegjës për minimin e kësaj ndërmarrjeje me korrupsion të thellë, shpërdorim dhe nepotizëm. Përkundër kësaj, ndërmarrja ka realizuar të hyra prej rreth 90 milionë euro në vit, fitim i cili është thelbësor për funksionimin e shtetit social. Nëse largohet korrupsioni dhe nepotizmi i Qeverisë Thaçi, kjo ndërmarrje do t’i sillte Kosovës 130-140 milionë euro fitim në vit. Ky korrupsion nuk largohet nëse e privatizoni këtë ndërmarrje, sepse vetë investimi juaj është korruptiv, pasi nuk bazohet në pëlqimin e punëtorëve dhe qytetarëve, por vetëm të Hashim Thaçit dhe vartësve të tij. Nuk jeni ju zgjidhja që ne kemi kërkuar; në vend të kësaj ju jeni ata që do të merrni fitimet e Telekomit të Kosovës dhe do të na lini me Postën e Kosovës humbëse. Ne nuk do ta lejojmë këtë”, thuhej në letrën që aktivistët e Kurtit ia kishin dërguar masivisht ish-sekretares Albright si aksion protestues kundër saj.

Në fund të kësaj letre të siguruar nga Demokracia.com, shihet edhe kërcënimi për të cilën kishte folur ambasadorja Jacobson.

Aty theksohet qartë se çdo aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, në mënyrë të personalizuar, kishte thënë se do t’i mbledhin familjarët dhe të gjithë ata që i njohin për ballafaqim me ish-sekretaren amerikane, Madeleine Albright.

“Nëse vazhdoni të insistoni në privatizimin e PTK-së, duhet të jeni të vetëdijshëm se unë dhe familja ime, duke u bërë thirrje të gjithëve atyre që njohim, do të ballafaqohemi me ju për t’ju penguar juve dhe Qeverinë që të vazhdoni me këtë proces që është i drejtuar kundër nesh. Ju rikujtojmë edhe një herë se kjo ndërmarrje është pronë e qytetarëve të Kosovës dhe dëshirojmë t’ju japim disa këshilla për t’ju ndihmuar kur mendoni për investimin tuaj. Duhet të jeni të vetëdijshëm se fitimet e fituara nga privatizimi i Telekomit të Kosovës nuk do të zgjasin më shumë sesa jeta e Qeverisë Thaçi”, thuhej në këtë letër, e cila ish-sekretares Albright i ishte dërguar masivisht më 1 shtator të vitit 2012, katër vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, shtetit për të cilin ajo kontribuoi shumë.

Sa i përket blerjes së PTK-së, “Albright Capital Managment Llc” ishte në mesin e 8 kompanive të interesuar për blerjen e 75 për qind të aksioneve të PTK-së. Disa prej kompanive të tjera ishin vendore dhe ndërkombëtare, raporton Demokracia.com.

Autoritetet kompetente si kompani fituese kishin shpallur kompaninë gjermane “AXOS Capital në konsorcium më “Najafi Companies LLC”, më një vlerë 277 milionë euro.

Sidoqoftë, më 31 dhjetor 2013, Ministria e Zhvillimit Ekonomik përmes Komisionit Qeveritar për Privatizimin e PTK-së (KQP) kishte njoftuar se ka dështuar përfundimisht procesi i privatizimit të këtyre aksioneve të PTK-së.

Ndryshe nga fjalët e rënda që janë përdorur në letrën e shkruar nga Lëvizja Vetëvendosje, Kurti të enjten bëri homazhe te busti i ish-sekretares amerikane Madeleine Albright në Prishtinë.

Kurti deklaroi se ndërhyrja e NATO-s kundër Jugosllavisë mban vulën e Albright, gjë për të cilën shtoi se do të jetë gjithmonë falënderues.

“Politika, diplomacia dhe historia, vështirë se do të kombinohen në një mënyrë më të përsosur sesa te personaliteti i jashtëzakonshëm i zonjës Albright. Ajo në politikë ishte historiane, në histori diplomate, ndërkaq në diplomaci ishte politikane. Kur kemi parasysh përvojën e saj jetësore si emigrante hebreje në ShBA, e cila fëmijërinë e ka kaluar gjatë luftës së dytë botërore dhe pastaj është shkolluar në vendin tempull të demokracisë është bërë sekretarja e parë e SHBA-ve grua, natyrisht se kemi të bëjmë me një figurë, e cila nuk i takon vetëm shekullit 20, por edhe 21. Çdo herë kur fliste, vepronte ose shkruante, ishte aq profesionale në secilën prej asaj çfarë bënte e thoshte, saqë nuk mund të quhet profesioniste për shkak të qenies së saj të gjithanshme. Dija e saj e thellë, mendja e mprehtë, dashuria e paepur për të drejtat e qytetarëve, orientimi i saj për demokracinë sociale e njohuritë e jashtëzakonshme për gjeopolitikën e bëjnë personalitet, i cili do të kumbojë gjatë jo vetëm në politikën dhe qeverisjen në ShBA e të Kosovës, por edhe në shumë vende të botës. Ndërhyrja e NATO-s për të ndalur gjenocidin në Kosovë, me bombardime kundër Jugosllavisë dhe Serbisë së Millosheviqit, padyshim se mban vulën e Albright dhe për këtë do t’i jemi përjetë falënderues e mirënjohës”, ka thënë tani Kurti si kryeministër.

Madeleine Albright vdiq tre ditë më parë në moshën 84 vjeçare. /Demokracia.com/

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close