fbpx
Lajme

Statistikat e EUROSTAT-it për çmimin e energjisë| Kosovarët vjet paguanin më së paku në Evropë, sivjet dyfish më shtrenjtë

Eurostat, Drejtoria e Përgjithshme e Komisionit Evropian që jep statistika për vende të ndryshme, ka publikuar çmimet e energjisë elektrike për vendet e Bashkimit Evropian, derisa ka përfshirë edhe shtetet që ende nuk janë të anëtarësuara, si Kosova dhe Ukraina.

Eurostat ka bërë të ditur se statistikat e shpjeguara janë për pjesën e dytë të vitit 2021, raporton Demokracia.com.

Gjatë kësaj kohe, qytetarët e Kosovës ende paguanin faturat me çmime më të lira, deri në kohën kur u mor vendimi nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike, i cili u përkrah edhe në opinionin e Qeverisë së Kosovës.

Në këto statistika, ku përfshihen edhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, Kosova shihet se kishte paguar më së paku për energji elektrike, me rreth 6 centë për orë.

Shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, si Bosnja e Hercegovina, gjatë kësaj periudhe kishin paguar energjinë elektrike me 8 centë për orë, Serbia po ashtu me rreth 8 centë për orë, Maqedonia e Veriut gjithashtu me një çmim të ngjashëm, Shqipëria ka paguar 9 centë për orë dhe Mali i Zi gati 10 centë për orë, raporton Demokracia.com.

Por, çmimet e energjisë për qytetarët e Kosovës kanë ndryshuar nga koha kur u është referuar statistikave Eurostat.

Rritja e çmimit të energjisë nga muaji shkurt nxiti reagime të ashpra në Kosovë, si nga akterët politikë, ashtu edhe nga qytetarët.

Sipas vendimit të datës 8 shkurt të Zyrës së Rregullatorit për Energji, çmimi i ri i energjisë për konsumatorët që harxhojnë mbi 800 kWh në muaj do të jetë 12.52 centë për orë, raporton Demokracia.com.

Të njëjtat tarifa kanë hyrë në fuqi nga 9 shkurt 2022 dhe do të aplikohen deri më 31 mars 2023.

Vlen të theksohet se lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike janë mbajtur edhe protesta në Kosovë, si ajo e organizuar nga Partia Socialdemokrate, në të cilën morën pjesë mijëra qytetarë.

Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Albin Kurti e kishte arsyetuar këtë vendim me krizën energjetike, të cilën e përballoi më së keqi në rajon, raporton Demokracia.com.

Veç kësaj, gjatë javës së kaluar, ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka qenë shumë i përfolur për një skandal financiar ku është përfshirë edhe kryeministri i zgjedhur i Sllovenisë, Robert Golob dhe dega në Serbi e kompanisë GEN-I.

Mediat kanë raportuar se në kohën kur kreu i ekzekutivit Albin Kurti i kërkonte qytetarëve të Kosovës të ngroheshin me qebe për të kursyer energjinë elektrike, pasi siç thuhej çmimet kishin shkuar deri në 600 euro për megavat orë energji elektrike, Korporata Energjetike e Kosovës i kishte shitur rrymë kompanisë GEN me zyre në Beograd e Shkup me çmim prej vetëm 105 euro megavatin.

Ambasadori Berishaj dyshohet se i ka pranuar mijëra euro nga kjo kompani energjetike, GEN-I, dega në Serbi, të cilat i dorëzoi te politikani slloven Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë./Demokracia.com/

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close