Parlamenti Studentor në Prizren, ka reaguar sot në lidhje me shtyrjen e zgjedhjes së rektorit të Universitetit të Prizrenit, shkruan Insajderi.
Shtyrja e zgjedhjes së rektorit, nga Parlamenti Studentor në Prizren,thonë se është ndikim i drejtpërdrejtë i partive politike në këtë konkurs. Ata po ashtu kanë siguruar edhe një fotografi ku shihen: u.d. Rektori i tanishëm Prof. Ismet Temaj së bashku me Demir Limajn, vëllanë e kryetarit të Partisë Nisma e cila udhëheq MASHT-in.
“Nga e gjithë kjo po shihet qartë që ka ndikime të drejtpërdrejta nga partitë politike edhe në këtë Konkurs. E për këtë gjë më së miri flet kjo foto e cila është bërë dje në UPZ gjatë intervistimit të kandidatëve për Rektor, ku shihen u.d. Rektori i tanishëm Prof.Ismet Temaj së bashku me Demir Limajn, vëllanë e kryetarit të Partisë Nisma e cila udhëheq MASHT-in. Demir Limaj, i angazhuar së fundmi në UPZ, për të cilin flitet që do të vijë edhe si profesor i rregullt, së bashku me disa militantë të Nismës ka qëndruar gjatë tërë ditës së djeshme në kampusin e UPZ duke tentuar të ndikojë tek anëtarët e Këshillit Drejtues në zgjedhjen e Rektorit”, thuhet ndër të tjera në reagim.