Epilogu

STUDIMI/ Testet e ADN-së e konfirmojnë: Shqiptarët janë autoktonë 

Studimet e fundit imuno-gjenetike, të kryer nga autorë shqiptarë mbi krahasimin e shumëllojshmërisë së gjeneve të sistemit gjenetik HLA midis popullatave shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë, si dhe popullatave të tjera europiane, kanë nxjerrë në pah fakte origjinale, të cilat hedhin dritë mbi autoktoninë e popullit shqiptar në trojet e tij.

Në një shkrim të prof. Genc Sulçebe, për gazetën “Shqip”, thuhet se nga ky studim del gjithashtu në pah fakti se si rregull, popullatat fqinje kanë afërsi më të madhe gjenetike në krahasim me ato me larg gjeografikisht. Kjo vjen jo vetëm për arsye të përzierjeve gjenetike të zakonshme midis popujve të afërt, kushteve të përbashkëta klimatike dhe epidemologjike, por edhe të historisë  së përbashkët të migrimit dhe të kombeve fqinje. I vetmi që diferencohet është populli bask.

Nga studimi i kryer me gjenet e sistemit HLA në popullatat shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë, të krahasuara këto me popullatat e tjera europiane dhe ballkanike mund të nxirren shkurtimisht disa konkluzione interesante.

Së pari, distanca midis dy popullsive shqiptare, asaj në Kosovë dhe Shqipëri është e papërfillshme, provë kjo e unitetit gjenetik të profilit shqiptar kudo që jeton.

Së dyti, në rajonin ballkanik diferencohen dy grupe popullatash kryesore: një grup i përbërë nga popullata greke, shqiptare, bullgare dhe maqedonase, si dhe grupi tjetër ku marrin pjesë popullatat serbe, boshnjake dhe kroate. Popullatat që bëjnë pjesë në secilin nga këto grupe kanë ngjashmëri shumë më të mëdha brenda grupit se me çdo popullatë të grupit tjetër. Është interesant fakti se këto ndryshime të konstatuara në gadishullin ballkanik janë më të spikatura në krahasim me rajonet e tjera  të Europës Qendrore, Veriore ose Veriperëndimore, ku nuk vihen re diferencime të tilla, megjithëse këto rajone shtrihen në  sipërfaqe më të gjera se të rajonit ballkanik.

Së treti, midis popullatës shqiptare kosovare nga njëra anë dhe popullatës serbe nga ana tjetër, ndryshimet në distancat gjenetike janë të dukshme dhe statistikisht sinjifikative. Kjo shkon në kundërshtim me rregullin e përgjithshëm të lidhjes së ngushtë të distancave gjenetike me ato gjeografike siç vihet re edhe në hartën e Europës Qendrore dhe Juglindore ku tregohen distancat gjenetike të popujve të kësaj zone nga popullata kosovare, që është përdorur si pikënisje në llogaritjen e këtyre distancave.

Këto fakte shkencore, të bazuara në studimet gjenetike të kryera në ADN-në e popullatave aktuale, mbështesin tezën e autoktonisë  të shqiptarëve, të ngritur fort nga të parët tanë rilindës. Të dhënat studiuesve shqiptarë janë konfirmuar edhe nga një studim i kryer nga gjenetistë amerikanë.

Exit mobile version