Po ju sjellim raportimet e vitit 2012, dhe polemikat mes Veton Surroit dhe ish ambasadorit Dell. Poashtu edhe kryeministri i atëhershëm z. Hashim Thaçi iu kishte përgjigjur z. Veton Surroi.
Zoti Surroi po përgjigjet me një seri shkrimesh ndaj një interviste të ambasadorit Dell dhënë gazetës Kosova Sot, në të cilën ai përmend disa hollësi nga një darkë private mes ambasadorit, kryeministrit Hashim Thaçi dhe publicistit Surroi.
Sipas rrëfimit të ambasadorit në takim publicisti Surroi kishte kërkuar postin e presidentit. Sipas ambasadorit Dell, zoti Surroi madje është lutur për postin e presidentit gjatë darkës në shtëpinë e ambasadorit diku në vjeshtën e vitit 2010.
Ambasadori Dell e ilustron këtë pohim me, siç ka thënë ai, edhe ndryshimin e qasjes së kompanisë Koha ndaj qeverisë së Kosovës, në periudhën kur pretendohet të jenë diskutuar këto çështje dhe më pastaj, qasje që sipas tij, është përcaktuar nga synimet e zotit Surroi për t’u bërë president.
Por, zoti Surroi në shkrimet e tij në Kohën Ditore, që janë ende duke vazhduar, ofron një tjetër shpjegim për rrjedhën e ngjarjeve.
Zoti Surroi thotë se ishte Ambasadori ai që ka këmbëngulur se do të ishte në të mirë të vendit dhe përfaqësimit të tij në botë, që ai të bëhej president, pas dorëheqjes së ish presidentit Fatmir Sejdiu dhe shton se ai ka qenë dakort me këtë ofertë, por mohon që të jetë lutur, për këtë post, apo të jetë “zvarritur” për të, ashtu siç është interpretuar në shqip varianti që ofron ambasadori Dell.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi nuk ka i ka komentuar polemikat mes publicistit Veton Surroi dhe ambasadorit Christopher Dell, lidhur me deklaratat e ambasadorit se Surroi i është zvarritur kryeministrit për ta bërë president. Megjithatë, ai tha vetë populli ia ka treguar vendin në skenën politike dhe të shoqërisë kosovare.
Në një intervistë për gazetën “Kosova Sot”, Thaçi ka thënë se nuk mund të flasë lidhur me polemikat Dell-Surroi, por sipas tij, distanca nga hijet e Qerretit ia kanë turbullua pamjen e vërtetë për punët që po bëhen në Kosovë.
“T’ju them të drejtën nuk i kam lexuar (shkrimet e Surroit për Dellin v.j). Nga hijet e pishave në Qerret mund të flasë kush si të dojë. Më vjen shumë mire që rrugën nga Prishtina në Qerret e kemi shkurtuar shumë me autostradën e re, e nga nëntori do të jetë edhe më e shkurtër. Kam përshtypjen që fakti që ai e kalon kohën me të madhe larg Kosovës ia ka turbulluar paksa pamjen e vërtetë dhe punët e mëdha që po bëhen. Lehtë është për të folur prej distance për Kosovën e shumë vështirë për të punuar dhe për të shërbyer për shtetin dhe popullin në përgjithësi. Unë besoj se vetë populli ia ka treguar vendin e vet në skenën politike dhe të shoqërisë kosovare secilit”, ka deklaruar Thaçi.
“Vetonin e refuzoi populli-sovrani e jo unë”, ka thënë Thaçi.