Epilogu

“Suzana Gërvalla viktimë apo marionetë”, Kelmendi e dërgon në prokurori Suzana Gërvallën

SUZANA GËRVALLA – VIKTIMË APO MARIONETË ?

Këto ditë ma dërguan edhe një faksimil të shënimit që ka bërë oficeri i Sigurimit të Shqipërisë, Shaban Braha. Ai, më 5 prill 1982 në Tiranë ka zhvilluar bisedë me Suzana Gërvallën, bashkëshorten e Jusuf Gërvallës.

Sinqerisht isha në dilemë, nëse duhet ta publikoj këtë faksimil, sidomos për hir të Premton e Ergon (Jusuf) Gërvallës dhe Bardhosh (Bardhosh) Gërvallës, të cilët përherë kanë manifestuar heshtje fisnike (ndërsa Donika kjo broçkullis më shumë se mjaf, duke e shpërdoruar të qenurit vajzë e Jusufit). Por, meqë Suzana e ka tepruar me shpifje inkriminuese, po e publikoj, që t’i dekonspiroj shpifjet e saj ordinere. Premtonin, Ergonin e Bardhoshin i luti për mirëkuptim për këtë publikime të këtij faksimile. Ndërsa, sa i përketë Suzanës, vazhdo të kem dilemë, nëse është viktimë e Satrapit Sabri Novosella, të cilin Jusufi dhe Suzana e kanë çmua si udhëheqës, apo ishte marionetë mercenare e shërbimeve jugo-sllave, e vetëdijshme si Sabri Novosella ishte kuadër i SDB-së (UDB) të KSA të Kosovës…

E kam denoncuar Suzana Gërvallës më 22.07. 2019 në Prokurorinë Speciale të Kosovës në Prishtinë. Me atë rast janë konkretizuar shpifjet e saj dhe denoncimet, prandaj nuk po i komentoj edhe këto shpifje që Suzana që ia paskësh rrëfye Oficerit të Sigurimit, Shaban Brahës, më 5 prill 1982, në Tiranë. [Interesant, disiplina profesioniste e Shaban Brahës! E kisha mik gjatë viteve 1991-1992, jemi takuar shpesh herë në Tiranë edhe për shkak se po ia botonim librin “Gjenocidi serbomadh…”, por asnjëherë nuk më ka fol për këtë bisedë që paskësh pas me Suzana Gërvallën në vitin 1982 dhe as që është interesuar të më pyet për zhvillime të atëhershme.]

Fatkeqësisht Prokuroria Speciale nuk më ka ftuar asnjëherë për invervistim në kuadër të procedimit të denoncimit që kam bërë. Ndoshta ka frikë të merret me shqyrtim të tematikës kaq të ndieshme. Nëse po, i bie se po shfaq mjerimin e saj…

***

Në vazhdim po publikojë tekstin e denoncimit që ia kam bërë Suzana Gërvallës më 22.07. 2019 :

Kryeprokurorit të Republikës së Kosovës

– Zotëri Aleksander Lumezi –

dhe

Prokurorisë Speciale në Prishtinë

Unë, Ibrahim Kelmendi, i lindur më 23.06.1954, në Fshatin Llabjan, Komuna Pejë, për momentin pa banesë e shtëpi dhe për mjekim afatgjatë jashtë Kosove, bazuar në dispozitat e neneve 79 paragrafi 1 dhe nenit 80 paragrafi 1 të Kodit te Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (KPPRK), në cilësinë e të dëmtuarit dhe të rrezikuarit – për shpifje, denigrim, akuzë ofenduese dhe rrezikuese edhe për siguri fizike, paraqes këtë:

K A LL Ë Z I M P E N A L

Kundër Suzana Gërvallës, e lindur në Shkup, shtetase e Republikës së Kosovës, me banim në Prishtinë, e punësuar në Ministrinë e Pushtetit Lokal të Republikës së Kosovës, ish-bashkëshortja e Heroit Jusuf Gërvalla.

SEPSE:

E njëjta, duke shpifur dhe trilluar gjëra të paqena dhe duke përdorur akuza tepër ofenduese e denigruese, synon ta përlyej, njollos dhe denigroi nderin, emrin dhe personalitetin tim. Madje, ajo, me nxitjet dhe shpifjet, po e rrezikon edhe sigurinë time fizike.

A r s y e t i m

Këto ditë, – nga publikimi pjesë-pjesë që po i bënë Z. Sheradin Berisha (Prizren / Shtutgart), në Facebook dhe në portalin e tij “pashtriku.org”, librit elektronik të Z. Xhafer Durmishi-Skenderi, me titull “Ti ia ke besuar arkivin e Jusufit”, – lexova prononcimin që kishte bërë Suzana Gërvalla, të cilin po e sjell këtu sipas citimit që i kishte bërë Xhafer Durmishi:

“Jusufi, Ibrahim Kelmendin tri herë e ka qitë prej shtëpie. Se Ibrahimi ishte spiun shumë i rrezikshëm. E dishim të gjithë se çka punon ai. Edhe sot e atë ditë ashtu ka mbetë. Edhe ne të gjitha dyshimet i kemi tek ai.”

Provë nr. 1: http://pashtriku.org/…/xhafer%20durmishi%20Ti%20ia%20ke…

Këtë prononcim Z. Suzana Gërvalla e kishte bërë në intervistë televizive, me 03.08.2017. Po e citoj sipas asaj që dëgjohet në intervistë (nga minuta 6 deri në minutën 8 e 20 sekonda):

“Më 16 janar 1982 na erdhi një kasetë me filma nga Shqipëria dhe u mlodhen në një vend punëtorët me pa atë kasetë. Ndërkohë Kadria (Zeka, plotësim konkretizues nga unë, I. K.) dhe ky, Ibrahim Kelmendi, bashkë me ni t’afërm t’Ibrahim Kelmendit, kanë marrtë vesh ku janë duke pa kasetënë dhe kanë shkuar atje, n’atë sallën ku kanë qenë ata. Kanë pa filmin dhe erdhën të ne pastaj, erdhen pasi kanë pa filmin. Jusufi nuk ka mujt kurrnjherë me Ibrahim Kelmendin. Tri herë e ka qit prej shpije, se Ibrahimi, kështu, spiun, ishte spiunë shumë i rrezikshëm. E dishin t’gjithë çka punon ai. Edhe sot e atë ditë ashtu ka met. Edhe ne t’gjitha dyshimet i kemi të ai për gjithë këto që kanë ndodh. (…) Ibrahim ka nejt deri në ora katër, atë ditë. Në ora katër Ibrahim ka shkue, Kadria ka met…”

Provë nr. 2: https://www.youtube.com/watch?v=fARHzguhtus

Nga ky fragment rezulton se Suzana Gërvalla më ka akuzuar për spiun të rrezikshëm të shërbimeve jugo-sllave dhe ka bërë akuz ndaj meje: “ne t’gjitha dyshimet i kemi të ai për gjithë këto që kanë ndodh”, që do të thotë për vrasjet e Vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës dhe komplotet e pastajmë.

Po vetëkuptohet, kjo akuzë e shpifur mund të nxis tifozëve fanatikë të Jusuf Gërvallës, edhe për hakmarrje fizike, sepse ndikimi i Bashkëshortes së Jusuf Gërvallës te ata tifozë duhet të jetë i madh.

Për të pa informuarit, po ofroj sqarime konkretizuese:

Fjala është për tragjedinë e 17 janarit 1982, kur ka ndodhur vrasja e Vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, në Untergruppenbach, Gjermani.

Jusuf Gërvalla të premten e 15 janarit 1982 më ka dërguar letër rekomande (që bartet me postë e dorëzohet me nënshkrim), në të cilën, pos tjerash, më ka shkruar:

“Tani po të njoftoj se këto ditë na arriti në videokasetë me pesë filma shqiptarë. Filmat janë të shkëlqyeshëm dhe shumë inspirues. Ne ende s’ia kemi dalë ta shumëzojmë videokasetën, se për këtë punë po na duhet edhe një videofon i dytë, që s’e kemi, dhe një shtojcë speciale për riinçizim, që s’e kemi poashtu. Po të nxorri rruga këndej ndonjë ditë dhe po pate mundësi, merr videofonin tuaj e eja t’i riinçizojmë. Me këtë rrugë, për të njejtën çështje po e njoftoj edhe shokun Z., megjithqë më duket se ata nuk kanë ende as videofon.”

Provë nr. 3:

Letër e 15 janarit 1982, dërguar Ibrahim Kelmendi nga Jusuf Gërvalla, e publikuar për herë të parë nga Faridin Tafallari, në librin e tij “Terror-Dhimbje-Qëndresë”, Tiranë 1997, faqe 411-412, e ripublikuar edhe nga Xhafer Durmishi, në librin e tij elektronik “Vepra e Jusuf Gërvallës”, f. 260.

Në mëngjesin e të shtunës së 16 janarit 1982, duke qenë Kadri Zeka dhe unë mysafirë të Sylë dhe Vezire Nuhaj, – nga Baliqi i Ferizajit, atëherë e tani me banim në Dyseldorf, Gjermani, – na vjen njoftimi se Jusuf Gërvalla na ka ftuar të shkonim në mbrëmje (të shtunës se 16 janarit) të Murat Kryeziu, në Bernhausen (afër Aeroportit të Shtutgartit). Sylë Nuha ka huazuar një auto që të na transportonte Kadriun dhe mua deri te Murat Kryeziu (larg nga Dyseldorfi rreth 410 km). Në mbrëmje arritëm të Murati. Aty gjetëm Vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe rreth 15 bashkatdhetarë. Pamë video-tv-dramën historike dedikuar Shote Galicës, me titull: “Gërsheta lufte”. Pasuan diskutime rreth dramës dhe biseda të tjera politike për shqetësimet që na preokuponin. Rreth orës dy të pas mesnatës, – tashmë të ditës kalendarike 17 janar 1982, – me propozim të Jusufit ndodh përmbyllja e asaj bisede. Edhe pse ishte planifikuar që Kadri Zeka, Sylë Nuha dhe unë të shkonim për të fjetur të Faridin Tafallari (Prizren / Nagod, Gjermani), Jusufi insistoi që Kadriu, Syla dhe unë të shkonim për të fjetur të Familja Gërvalla, atëherë me banim në Untergruppenbach.

Meqë nata ishte e acartë, me dëborë, akull e mjegull të dendur, rrugëtimin prej rreth 55 km mezi e kemi bërë për rreth dy orë. Në shtëpi të Vëllezërve Gërvalla duhet të kemi arritur rreth orës katër të mëngjesit të ditës së diel, më 17 janar 1982. Në dhomën e ndejës kemi hasur në një njeri të fjetur në kauç, të panjohur, për të cilin u tha se ishte aty për herë të dytë, meqë ishte azilkërkues dhe po ndihej i rrezikuar në strehimoren e azilkërkuesve. U informuam se ishte nga Fshati Bllacë i Suharekës. Ate dhe Sylë Nuhën Bardhoshi i sistemoi për të fjetur. Shkoi edhe Bardhoshi për të fjetur, edhe për shkak se Jusufi nuk preferonte të ishte edhe ai pranishëm në bisedë që donte të bënim. Kështu, mbetëm për të biseduar Jusufi, Kadriu dhe unë. Fillimisht Kadriu, duke marrë shkas nga ai mysafiri i panjohur e i padëshiruar, e kritikoi Jusufin për atë lloj bujarie të tepruar, meqë bartte me vete edhe rrezikimin fizik. Pastaj zuri fill biseda për zhvillimet e fundit që kemi pas në emigracion. Gati deri në ora tetë të mëngjesit zgjaten bisedimet. Morëm vendimin t’i bashkonim tre organizatat që i përfaqësonim (Lëvizjen Nacional-Çlirimtare të Kosovës me Vise Shqiptare në Jugosllavi / akronimi LNÇKVSHJ, Organizata e Marksistë-Leninistëve të Kosovës / OMLK dhe Fronti i Kuq Popullor / FKP). Pastaj u shtrimë për të pushuar, duke u përcaktuar që pas pushimit do të formulonim procesverbal për vendimmarrjen për bashkim, duke ia bashkangjitur projekt-platformën që e kishim diskutuar e miratuar gjatë verës 1981. Rreth orës 15 të ditës së diel të 17 janarit të kobshëm duhet të jemi zgjuar për të ngrënë drekë. Me insistimin e Jusufit dhe Kadriut, unë u dashtë të udhëtoja, bashkë me Sylë Nuhajn, për në Dyseldorf, meqë në Klubin Shqiptar kishim paralajmëruar shfaqje të një filmi shqiptar për të dielën rreth orës 20. Jusufi na e dhe videokasetën që i kishte ardhur nga Tirana. Ata ishin të mendimit se do të duhej domosdo të isha unë i pranishëm, meqë ata nuk kishin mundësi, sepse do të duhej të udhëhiqja diskutimin për filmin që do shfaqej. Jusufi e Kadriu mbeten që të përpilojnë dokumentacionin për bashkimin që kishim miratuar, edhe pse Kadriu e kishte në agjendë të shkonte atë ditë në Zvicër, meqë të hënën në mëngjes i duhej të ishte në punë.

Rreth orës 19.30 Syla dhe unë duhet të kemi arritur në Klubin Shqiptar në Dyseldorf. Kemi përcjell tv-dramën “Gersheta lufte” dhe kemi diskutuar deri rreth mesnate. Jemi shpërnda për të fjetur, meqë të gjithë, pos meje, duhej të ishin në punë të hënën në mëngjes. Më ka marrë Hyzri Reka (nga Nerodimja, Ferizaj, me banim në Dysledorf) të flija në banesën e tij. Sapo jemi shtri për të fjetur na ka ardhur lajmi i hidhur për vrasjet e Jusufit, Kadriut e Bardhoshit.

Në mëngjes, rreth orës shtatë, kam arritur në Untergruppenbach, me auto të Mustafë Mekajt (nga Bllagaja, Pejë, atëherë me banim në Mülheim /Ruhr), bashkë edhe me Kunatën time, Sabrije Kelmendin. Suzana Gërvallën nuk e kemi gjetur në shtëpi. Na thanë se ishte në spital. Gjetëm Tushen, Bashkëshorten e Bardhoshin, tre fëmijët e Jusufit dhe disa bashkatdhetarë që tashmë kishin arritur aty. Duke qenë në shtëpi të Vëllezërve Gërvalla, rreth orës 8.30, me ka marrë me makinë shefi i grupit hetimor (SOKO) për vrasjet, që të rrëfeja për ato që dija. Të paktën dy orë duhet të ketë zgjatur intervistimi. Kam rrëfyer pa ndonjë rezervë e vetë-censurë, për të gjitha që më kanë pyetur.

Në Shtëpi të Familjes Gërvalla kam ndej gati tre javë ditë, meqë të vejat Gërvalla kishin bërë kërkesë në konsullatën e RSFJ-së, që kufomat të barteshin në Kosovë për t’u varrosur. Ajo kërkesë qe refuzua. Gjatë atyre ditëve Suzana Gërvalla është mirësjellur fisnikërisht e bujarisht, gjatë gjithë ceremonisë mortore gati tre-javore. Edhe Nëna Ajshe, Nëna e Vëllezërve Gërvalla, që pat ardhur në ndërkohë nga Kosova, edhe Tusha, Bashkëshortja e Bardhoshit dhe tre fëmijët e Jusufit, kanë qenë shumë të mirësjellshëm, sepse po ndanim atë pikëllim.

Provë nr. 4 (nëse mund të quhet kështu):

Të thirren dëshmitarë për të dëshmuar këtë rrëfim timin Sylë Nuha, Murat Kryeziu, Faridin Tafallari, Tushe Gërvalla, Hasan Mala, Saime Isufi, Naim Haradinaj, Nuhi Sulejmani dhe Xhafer Durmishi.

Rrëfeva ndodhitë e atëhershme që të sqaroi se Suzana Gërvalla nuk ka rrëfyer të vërtetën në këtë intervistë, kur thotë se Kadriu dhe unë kishim shkuar të pa ftuar për të pa filmin, si dhe për të sqaruar se atëherë as Suzana dhe askush nga Gërvallët e atyshëm nuk shfaqte ndonjë dyshim ndaj meje. As shpifja se Jusufi me ka dëbuar tri herë nga shtëpia nuk është e vërtetë! Pra, me përgjegjësi të plotë deklaroj se asnjëherë nuk kisha përjetuar të me kishte dëbuar nga shtëpia Jusufi! Ai nuk ishte rrugaç të dëbonte mysafirin e ftuar, edhe atë tre herë, siç shpif Suzana me këtë rast. Përkundrazi me kanë respektuar e dashtë si shokë e bashkëveprimtar.

Për këtë mirësjellje të Gërvallëve gjatë ceremonisë mortore rreth tre-javore mund të dëshmojnë dhjetëra veta që kanë marrë pjesë pothuajse përditë, disa prej të cilëve i evidentova në kuadër të provës nr. 4.

Edhe një detaj domethënës, që shërben edhe si dëshmi: ndoshta 5-6 ditë pas vrasjes, letra rekomande që ma kishte dërguar Jusufi më 15 janar, kthehet prapa përmes poste në shtëpi ku jetonin Gërvallët, meqë unë nuk kam qenë në Bochum (ku banoja e studioja atëherë), që ta pranoja apo të shkoja në postë ta marrja, siç ndodhte me letra rekomande. Suzana i gëzohet asaj letre, meqë ishte e vetmja nga dorë e Jusufit, sepse gjithçka të shkruar, që ka qenë në shtëpi të Gërvallëve, e kishte konfiskuar policia për ta shqyrtuar në kuadër të hetimeve. Suzana me luti për leje që ta hapte e lexonte. Miratova. Pastaj ma dha.

Në fillim të letrës Jusufi ka shkruar:

“I dashur shok Ibrahim,

Me bisedën që patëm në dasmë, unë në njëfarë mënyre u tregova i padrejtë ndaj teje. Por, duhet ta kesh kuptuar që gjaknxehtësinë time mund ta zbrazja vetëm mbi një shok me të cilin nuk kemi pasur kufij. Arsye për të qenë aq gjaknxehtë mbase nuk kam pasur…”

Provë nr. 5: Si në provën nr. 3

Po shpresoj se kjo është dëshmi tepër kokëfortë, meqë Jusufi nuk do t’më shkruante në këtë frymë kaq shoqërore, nëse do t’më kishte përzënë tre herë nga shtëpia, akoma më keq, nëse do të dyshonte se isha spiun. Dhe bëhet fjalë për letër, që duhet të ketë qenë e mbramja në jetën e Jusufit, meqë ndonjë letër tjetër që mban data 15, 16 apo 17 janar 1982, nuk është publikuar deri tani. Të paktën unë nuk kam hasur.

Jusufi i ka dërguar disa letra udhëheqësit të tij, Sabri Novosellës (nga Prishtina, i emugruar fillimisht në Shqipëri në dhjetor 1979, prej atje në Turqi dhe në Suedi) dhe një “raport”. Ato përmbajnë shumë informime konfidenciale që Jusufi ia ka përcjell Sabriut. Asgjëkund nuk del ndonjë informim, se Jusufi me ka përzënë ndonjëherë nga shtëpia.

Këto letra dhe “raportin”, që Jusuf Gërvalla ia ka dërguar Sabri Novosellës, në afatin kohor 14 prill 1981, janar 1982, si dhe libri im “Gjurmë dhe fërkem” dhe romani “Atentatet”, duhet të shërbejnë si prova, që demantojnë se këto shpifje kaq ofenduese, denigruese e rrezikuese, të cilat i ka plasuar tani Suzana Gërvalla dhe po i përhapin Xhafer Durmishi e Sheradin Berisha, nuk janë të vërteta.

Ndoshta ndihmon në sqarimin e tematikës edhe fakti se Sabri Novosella duhet të ketë komanduar Xhafer Durmishin dhe Nuhi Sylejmanin të merrnin komandimin e asaj ceremonie mortore dhe në kuadër të saj, ta detyronin Suzana Gërvallën, “në emër të organizatës”, të më dëbonte nga shtëpia, por Suzana pat rezistuar. Të njëjtit komanduan edhe komplote të tjera, që janë prezantuar në këto dy libra që evidentova më lartë dhe i propozova si prova.

Mendoj se Suzana Gërvalla është komanduar nga Sabri Novosella të plason edhe këto shpifje dhe akuza, sepse në ndërkohë kam shkruar që Sabri Novosella duhet të ketë qenë kuadër i UDB-së dhe prandaj e ka simuluar organizatën LNÇKVSHJ, që të viktimizonte Jusufin dhe patriotë të tjerë, praktikë kjo diversioniste që e praktikonin shërbimet e atëhershme policore jugo-sllave dhe të KSAK-së, si mënyrë prevendive për të penguar organizimet e suksesshme klandestine kundër pushtetit monist. Për këtë dyshim jam bazuar në dëshminë e ish-shefit të policisë në Prishtinë, Z. Demë Demaj, i cili ka deklaruar se Ibush Kllokoçi, në vitin 1979 shef i UDB-së në Prishtinë, e ka urdhëruar Z. Demaj në dhjetor 1979, të simulonte një bastisje e arrestim të Sabri Novosellës, në shtëpinë e tij në Prishtinë. Këto dhe diskreditime tjera kundër Sabri Novosellës, janë prezantuar në librat që propozova të shërbejnë si prova.

Për çdo informatë shtesë ju mund të më kontaktoni përmes avokatit tim apo përmes E-mailit: i.kelmendi@gmx.de

Gjermani, më 22.07. 2019

Parashtruesi i kallëzimit penal:

Ibrahim Kelmendi

P.S.:

Për shkaqe shëndetësor dhe në pamundësi që të jem në Kosovë që ta dorëzoj doras këtë kallëzim penal, po ua dërgoj përmes E-mailit tim: i.kelmendi@gmx.de dhe, nëse ka nevojë, e dërgoj edhe përmes postës (rekomande), nga Gjermania, ku gjendem për mjekim.

Në këtë lëndë (çështje) e autorizoj Zenel Kelmendin, avokat nga Prishtinë, i cili do të me përfaqësojë në të gjitha fazat e procedurës penale të kësaj çështjeje. Të njëjtit, po ia përcjelli këtë Kallëzim penal, përmes E-mailit të tij: zkelmendi@live.com dhe si letër fizike.

Nëse ka nevojë (nëse kërkohet) që një autorizim konkret për përfaqësim avokatit Zenel Kelmendi, ta nënshkruaj unë, atëherë do të gjej ndonjë mundësi praktike, sapo të më kërkohet.

Me respekt,

Ibrahim Kelmendi

Exit mobile version