Ushtruesi i Detyrës së Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, në një videolidhje direke me Report TV në Tiranë, ka folur rreth ardhjes së deputetit, Behgjet Pacolli nga Zvicra dhe dyshimit se i njëjti në Kosovë, ishte sjellë nga presidenti Thaçi.
Ai ka thënë një deputet s’duhet privilegjuar në këtë kohë pandemie, pasi që këto rregulla vlejnë për të gjithë pa dallim, transmeton Indeksonline.
“Këto situata janë të dëmshme për stabilitetin e Kosovës. Shteti i Kosovës ka qenë i kapur dhe s’mund të deklarojë që ky shtet është shkap dhe ka elemente të cilat do t’u sherbenin edhe ilegalisht.
Më e rëndësishmja është arsyeja pse këto dy personaliteti ulin kredibiltetin e shtetit duke bërë lojëra të tilla. Kjo është pyetja që duhet ta bëjmë dhe të marrim përgjigje nga ta.
Një deputet për çfarë arsye kërkon statusin e të privilegjuarit në kohë pandemie, thuajse që koronavorusi bën përzgjedhje në bazë të statusit politik apo zyrtar dhe disa i kursen e të tjerë i sulmon.
Të gjitha këto rregulla të cilat janë vendosur edhe në shtete të tjera, janë për ta mbrojtur qytetarin. Obligim ynë është që edhe zyrtarët e këtij vendi të japin shembullin së pari se si duhet zbatohet masat, pasi askush s’është mbi to”.
Ai ka thënë se me Policinë e Kosovës ka kontakte të vazhdueshme dhe se kanë vullnet që të angazhohen në luftimin e COVID19.
“Ne që nga fillimi i pandemisë si ministër, kam kontakte me drejtorin e Polcisë së Kosovës. Ka vullnet që të angazhohet në luftimin e COVID19, dallim i madh ky nga qëndrimi i subjekteve opozitare në Kosovë.
Ishte vet presidenti që ftoj policinë që mos të zbatohen masat e vënë nga qeveria por apeli i tij hasi në vesh të shurdhër, pose sa i takon AKI-së, nuk mund të them se kemi ndonjë informatë kredibile në këtë ngjarje. Pasi që unë jam informuar nga policia, që deri më tani kanë qëndru lojal ndaj ligjit.
Policia në asnjë moment s’ka deklaru që ka indentifiku Pacollin, vetëm ka raportu për disa ndodhi të cilat s’janë të zakonshme për protokolin e shtetit, që presidenti të kthehet pa sigurim, që ai të jetë i ulur aty ku nuk parashihet. Unë këtë e kam thënë edhe para mediave”.
Sa i përket bashkëpunimit me homologun e tij shqiptar, Sveçla tha se nuk ka ndonjë bashkëpunim.
“S’mund të them që kam bashkëpunu me Lleshajn. Pak për t’u çudit thyerja e protokoleve nga këta akterë në territorin e Shqipërisë. P.sh jam njoftuar se para dy ditësh edhe publicisti Baton Haxhiu ka kalu në territorin shqiptar, se di se a është karantinu. Por, më lejoni të theksion se është çështje e institucioneve të Shqipërisë.
Për mua është e palogjikshme që presidenti përkundër që kemi blloku kufijtë e s’ka qarkullim, lëshon territor dhe thotë që ka qenë për qejf.
Lëshon për 101 minuta territorin dhe pyetja është se ku ishte ai, pasi që gjeografikisht e njohim atë terren. Do të mund të shkonte deri në Kukës ose respektivisht në Reps. Pse ai i bën këto avantura, për neve është enigmë”, përfundon ai./Indeksonline