Epilogu

Tahir Zemaj: Takimi i fundit me Ahmet Krasniqin, aty kam gjetur: Isa Mustafën, Ramajlin e Bicajn

Pjesë nga libri: Kështu foli Tahir Zemaj

Rrjedhimisht, kam pritur aty me truprojet e mia, me mjeken e spitalit ushtarak Shehrije Sadriaj dhe zëvendësin tim Nazif Ramabaja. Kur jam informuar nga Shtabi Suprem se të gjithë eprorët dhe shumica dërmuese e ushtarëve kanë kaluar në Shqipëri kam vendosur të largohem edhe vetë bashkë me ata njerëz që përmenda. Me ndihmën e Ramiz Muriçit dhe disa të tjerëve, kemi arritur të kalojmë kufirin dhe të hyjmë në Shqipëri ku jemi pritur nga Agim Mehmeti dhe Hilmi Nebihu. Ka pasur një çast vërtet shumë emocional nga takimi im me zotni Ahmet Krasniqin. Fillimisht u shpreh se ndjehej tepër i lumtur që po më shihte edhe një herë: “Të kam urdhëruar të futeshe në mes të zjarrit pa pasur mundësi të të ndihmoj !”, më tha. Këto fjalë ma kanë zbutur zemërimin. Në fakt isha përgatitur t’i “vërsulesha”, t’i thosha “po si komandant… e kështu e ashtu”. Premtimet nuk qenë realizuar, unë u kisha thënë qytetarëve të Kosovës se shumë shpejtë “ne do t’i shndërronim kuajt në kamiona dhe se ndihmat nuk do të ndaleshin”. Menjëherë kemi filluar analizën e tërë veprimtarisë që kishim bërë deri në ato çaste.

U informova për të gjitha problemet që kishin ndodhur që nga ngjarja e Komanit, ku Ahmet Krasniqi bashkë me një pjesë të Shtabit Suprem ndeshën në një grup banditësh që i kishin plaçkitur, më informuan për grabitjen që i ishte bërë zyrave të Ministrisë së Mbrojtjes, për presionet dhe çarmatimin e tij, bastisjet, tentimet për t’i arrestuar, bllokimin e furnizimeve me armatim etj. Aty ai ka thirrur Shefin e Sigurimit të Shtabit Suprem dhe i ka thënë: “Shikoni, mua mund të më ndodhë gjithçka, veç kini kujdes që Komandant Tahir Zemës të mos i ndodhë asgjë. “Kundër nesh kishte filluar një histeri shpifjesh nga më të egrat, nga më të paparashikueshmet. Veçanërisht propaganda negative ndaj meje kishte marrë përpjestime të çuditshme. Çdo gabim i joni, sado i vogël dhe periferik, paraqitej si krim dhe tradhëti e madhe kombëtare. Momentalisht ato sulme qenë të drejtuara ndaj meje. Përpara se të tërhiqesha kam pasë lëshuar një komunikatë nga terreni ku kam shpejeguar arsyet e largimit tonë për t’i shpëtuar nga masakrimi 50-60 mijë njerëz. Në atë analizë kam kuptuar se pse nuk kishte ardhur armatimi, se ku e kishin bazën ngatërresat, incidentet dhe kurthet e ndyra që na kurdiseshin. Ishin po ai grup njerëzish që kishim takuar në Kosovë, që bashkë me Qeverinë Shqiptare kishin bllokuar, minuar gjithë përpjekjet tona për të formuar një ushtri profesioniste dhe të suksesshme në luftën kundër serbëve. Si ushtarak e kam pasur të vështirë t’i kuptoj këto gjëra, por po vëreja se në palën që na bënte karshillëk dominonte aspirata politike për eliminimin e institucioneve të Kosovës, në vend se të dominonte aspirata kombëtare për ta parë Kosovën të lir”nga thundrat serbe. Shtabi Suprem dhe ministria e mbrojtjes kanë lexuar dekretin e dekorimit dhe të gradimit për mua dhe shumë eprorë dhe luftëtare të njësive tona, për kontributin që kishim dhënë gjatë asaj periudhe që kemi vepruar në Kosovë. Kam shprehur dëshirën që të hanim një darkë së bashku me të gjithë oficerët e Stabit Suprem dhe me zotni Krasniqin po ashtu edhe me oficerët që kishin qenë në luftë.

Mbrëmjen që ishte caktuar kjo darkë, në orën tetë të mbrëmjes, shërbimi i sigurimit të Ministrisë së Mbrojtjes ka ndërhyrë dhe ka kërkuar që unë të mos merrja pjesë në atë darkë, dhe më është thënë se do të ishte më mirë të shkoja pranë Përfaqësisë së Republikës së Kosovës për të pushuar. Kemi rënë dakord dhe i kam thënë zotni Krasniqit se do të mund të shiheshim të nesërmen për të biseduar më gjatë. Kam shkuar në Përfaqësi, aty kam gjetur Iliaz Ramajlin, Muhamet Bicajn, Isa Mustafën. Pasi kemi biseduar pë rreth një orë, kam rënë për të fjetur. Rreth orës 11 e 3 minuta më ka zgjzar nga gjumi një oficer që merrej me sigurimin e përfaqësisë, Xhevat Ibraj, dhe më ka dhënë lajmin për atentatin ndaj Ahmet Krasniqit. Kam kërkuar të shkoj menjëherë në vendin e ngjarjes, por nuk më kanë lejuar. Nuk mund ta besoja ! lajmi më ka tronditur aq shumë sa që nuk kam qenë në gjendje të kontrolloja valët e emocioneve dhe të dhimbjes që ndjeva. Kam menduar se Kosovës po i përgatitej një kurth i tmerrshëm, po i futej një thikë e helmuar pas shpine. I pari ministër i Mbrojtjes së Kosovës vritet në zemër të kryeqytetit të Shqipërisë !? Kur njeriu ndodhet në fushën e betejës, nuk e di se me çfarë forcash u reziston dhembjeve të plagëve sa do të pamëshirëshme të jenë ato, veç në atë dhomë të Përfaqësisë së Kosovës në Tiranë, atë mesnatë të datës 21 shtator kam ndjerë që dhimbja po m’i bluante eshtart dhe nervat njëkohësisht. Thjesht qeshë shndërruar në një grumbull të madh e të paformë dhimbjeje. Mora vesh se trupin e të ndjerit e kishin dërguar në Spitalin Ushtarak por nuk kishte asnjë shpresë. Pak më vonë aty kanë ardhur Hilmi Nebihu, Agim Ramadani, Rrustem Berisha, Sali Çeku, Halil Bicaj, Agim Mehmeti.

I kemi shprehur ngushëllimet njëri-tjetrit, kemi biseduar se si do të vepronim më tutje. Së pari ka qenë në pyetje se si do të bënim me varrimin, por edhe për probleme të tjera të vijimësisë së punëve. Nekishim humbur një njeri shumë të vyeshëm, kishim humbur Ministrin e Mbrojtjes, por lufta nuk kishte mbaruar, ajo duhej të vazhdonte deri në çlirimin e plotë të Kosovës. (Fq.107-110)

Exit mobile version