Përderisa shumica e kosovarëve e kalojnë gjithë ditën me 1 euro e 30 cent, vetëm një i burgosur i kushton shtetit 28 euro në ditë. Ushqimet që u servohen atyre, ngjasojnë me ato të hoteleve. Tri herë në ditë mish, lëngje frutash dhe çaj të ndryshëm, është menyja ditore më të cilën ushqehen të burgosurit në vend. Por, përveç këtyre ushqimeve, sot Ministria e Drejtësisë ka ndarë edhe mbi 100 mijë euro që t’u blejë të burgosurve edhe pemë e perime.
Rreth 115 mijë euro të buxhetit të shtetit më të varfër në rajon pritet të shpenzohen vetëm për t’iu blerë të burgosurve pemë dhe perime. Ndonëse për këtë furnizim ishin paraparë të shpenzoheshin mbi 124 mijë euro, në fund kontrata është lidhur për 113 mijë euro.
Kështu është bërë e ditur në njoftimin për dhënie të kontratës që ka publikuar Ministria e Drejtësisë në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.
Në bazë të njoftimit të publikuar në KRPP, për këtë tender ishin pranuar oferatat e tri kompanive, por që në fund fituese është shpallur kompania NPT “Florenti&Adriatiku&Korabi”.
Kontrata është dhënë më 2 prill 2019, derisa nënshkrimi i saj parashihet të bëhet më 8 prill të po këtij viti.
Ndryshe, rreth 840 euro është shuma e parave që i harxhon shtetit një i burgosur për çdo muaj.
Në Shërbimin Korrektues të Kosovës (SHKK), i kanë thënë Gazetës Express se shpenzimet ditore për një të burgosur arrijnë në rreth 28 euro në ditë.
“Shpenzimet ditore për një të burgosur arrijnë rreth 28 euro në ditë, ndërsa shpenzimet mujore apo vjetore varen nga pranimet apo lirimet e të burgosurve”, kishin thënë në këtë institucion.
Por, sipas një përllogaritjeje të thjeshtë, vetëm për një vit për nevoja të të burgosurve nga buxheti i shtetit shpenzohen rreth 15 milionë euro.
E meqenëse numri i të burgosurve në tri vitet e fundit nuk është se ka ndryshuar, i bie që për tri vjet vetëm për personat që gjenden prapa grilave për vepra të ndryshme penale janë harxhuar afër 50 milionë euro.
Të gjithë këta të burgosur ushqehen tri herë në ditë. Në Shërbimin Korrektues kishin deklaruar se menyja ditore u ndërrohet çdo muaj.
Por, ata gjithëherë ushqehen nga produkte të mishit, pemë, perime dhe çaj.
“Nëpër burgje ekziston menyja ditore e cila ndërrohet çdo muaj, ku të burgosurit ushqehen tri herë në ditë me ushqime të ndryshme nga produktet e mishit , me peme e perime, lëngje nga frutat e çaj të ndryshëm”, thuhej në përgjigjet e SHKK’së.
Për numrin e madh të shpenzimeve për të burgosur kishin reaguar edhe në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.
Në këtë institucion kishin kërkuar që numri i të paraburgosurve të ulet dhe gjykatat të mos caktojnë këtë masë për çfarëdo rasti. Sipas tyre, në këtë mënyrë do të kursehej edhe buxheti i shtetit.
“Ne si KMDLNJ kemi kërkuar që paraburgimi të jetë si masë e skajshme, pikërisht që të kursehet buxheti i Kosovës, sepse në qoftë se një i paraburgosur nuk ka rrezik të ikë, atëherë nuk e dimë pse do të duhej të mbahej në burg”, kishte thënë Drejtori i KMDLNJ-së, Behxhet Shala.
Caktimi i paraburgimit si masa më e skajshme e sigurisë për një të dyshuar ose për një të akuzuar i ka kushtuar edhe buxhetit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Vetëm vitin e kaluar KGJK-ja ka ndarë nga buxheti i saj rreth gjysmë milioni për kompensimin e 153 personave, të cilët janë mbajtur në paraburgim dhe pas vendimit të gjykatës janë shpallur të pafajshëm./Gazeta Express