Albin Kurti e Glauk Konjufca si duket nuk po kalojnë nëpër një periudhë të mirë mes veti. Siç dihet lideri i VV është kritikuar nga Konjufca për deklarimet se Grenell ka gisht në rrëzimin e Qeverisë. Këto dallime, që tashmë përflitet se janë thelluar, të hënën janë manifestuar qartë, kur Konjufca s’ka marrë pjesë në mbledhjen e Kryesisë. Si për koincidencë ose edhe krejt qëllimshëm, Kurti ka zgjedhur të lartësojë për punën dy figura tjera në parti për punën e tyre, Besnik Bislimin e Vlora Haxhimehmedin. Por, a ishte ky një mesazh për Konjufcën?
Dy më të votuarit e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 6 tetorit, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca kanë pasur deklarata kundërthënëse mbi atë se si duhet të ndërtohet partneriteti i Kosovës me ShBA’në. Glauk Konjufca e kishte kundërshtuar shefin e partisë mbi qasjen e tij karshi Shteteve të Bashkuara. Konjufca kishte deklaruar se nuk beson që Amerika e ka rrëzuar qeverinë Kurti. Si duket kjo ka shkaktuar edhe ftohje të raporteve mes dy bashkëpartiakëve, shkruan Gazeta Express.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka deklaruar vazhdimisht se prapa rrëzimit të qeverisë së tij me votat e 2/3 të deputetëve të Kosovës, qëndron Emisari Special i Presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
Madje, Kurti i ka shkruar një letër zëvendës-presidentit të ShBA’së, Mike Pence ku sipas tij e ka informuar njeriun e dytë të Shtëpisë së Bardhë për keqinformimin që Presidenti Thaçi i ka bërë të dërguarit të Trump për dialogun, Richard Grenell mbi planet e Thaçit për ndarje të Kosovës.
Glauk Konjufca, aktualisht Ministër në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe njeriu më i votuar në VV pas Albin Kurtit në një intervistë më 24 prill 2020 në RTV Dukagjini, ka deklaruar se është gabim të thuhet që ShBA’ja ka ndikuar drejtpërdrejt që të rrëzohet qeveria Kurti. Konjufca kishte thënë po ashtu se Richard Grenell nuk ka gisht në rrëzimin e Kurtit nga pozita e shefit të qeverisë.
Këto përplasje në distancë si duket kanë ndikuar që marrëdhëniet mes Kryetarit të VV’së Albin Kurti dhe anëtarit të kryesisë Glauk Konjufca të zbehen.
Lëvizja Vetëvendosje para tre ditësh ka mbajtur mbledhjen e kryesisë së partisë ku është diskutuar mbi aspektin politiko-organizativ të subjektit, masën e përkohshme të Gjykatës Kushtetuese mbi dekretin e Presidentit dhe përkrahjen gjithnjë e në rritje nga qytetarët për këtë parti.
Por çuditërisht në mbledhjen e kryesisë së partisë nuk ishte edhe ministri në detyrë dhe anëtari i kryesisë, Glauk Konjufca. Nga fotografitë e postuara në faqen zyrtare në Facebook të Lëvizjes Vetëvendosje, numri dy i Vetëvendosjes nuk shihet askund.
Kurse dje, kreu i VV’së, Albin Kurti thurri lavde për nënkryetarin e partisë Besnik Bislimi dhe Sekretaren Organizative, Vlora Haxhimehmedi duke thënë se me këta dy Lëvizja Vetvëvendosje fitoi zgjedhjet.
Kurti përmes një postimi në faqen e tij në Instagram ka shkruar “Vlora Haxhimehmedi dhe Prof. Besnik Bislimi sot i bëjnë dy vite prej marrjes së detyrave të reja në Lëvizjen VETËVENDOSJE!. E para sekretare organizative kurse i dyti nënkryetar, brenda këtyre dy viteve, me në krye këta dy, ne e rritëm organizatën e i fituam zgjedhjet e fundit. Ata i forcuan strukturat tona dhe e zgjeruan rrjetin e aktivistëve”.
Por në zgjedhjet e fundit, as Besnik Bislimi e as Vlora Haxhimehmedi nuk kishin qenë në listën e VV’së për deputetë. Besnik Bislimi kishte qenë Shef i Shtabit Zgjedhor kurse Vlora Haxhimehmedi në pozitën e njëjtë, Sekretare Organizative e partisë.
Në anën tjetër, Glauk Konjufca në zgjedhjet e fundit kishte arritur të marrë 71 mijë e 686 vota duke u renditur i dyti pas bartësit të listës Albin Kurti.