fbpx
Lajme

Tezakja e presidentes drejtoreshë: Në vlerësimin e britanikëve s’e kaloi as pragun 

Venera Çerkini, vajza e tezes së presidentes Vjosa Osmani, është rehatuar në një pozitë të rëndësishme. Ajo është përzgjedhur si Drejtoreshë e Agjencionit për Zhvillim të Bujqësisë, institucion në kuadër të ministrisë që drejtohet nga Faton Peci. Dikur, bashkëpartiak me Osmanin në listën Guxo.

Megjithatë, emërimi i Çerkinit në këtë pozicion, po del se është në shpërputhje të madhe me vlerësimin që e kanë bërë britanikët në këtë konkurs. Kjo pasi në vlerësimin e ekspertëve të Ambasadës së Britanisë në Kosovë, Çerkini nuk është as në listën e ngushtë të kandidatëve që do të duhej të zgjidheshin në këtë pozitë.

Në vlerësimin e bërë nga britanikët të cilin e ka parë gazeta Nacionale, shihet se dy kandidatët që mund të emërohen në këtë pozitë, e të cilët kishin marrë mbi 70% të pikëve ishin Menderes Ibra dhe Muzafer Luma.

Mendres Ibra është vlerësuar me 70.25% të vlerësimit, kurse Muzafer Luma me 70%. Në mesin e të vlerësuarve nga britanikët nuk është as Lebibe Haliti, motra e deputetit të Vetëvendosjes, Enver Haliti. Haliti në anën tjetër, nga rezultat e shpallura nga konkursi del në mesin e 3 kandidatëve më të vlerësuar

Pra, tezakja e presidentes së Kosovës, në vlerësimin e britanikëve, nuk është në mesin e kandidatëve që do të duhej të zgjedheshin në pozitën e Drejtorit të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.

Në sqarimet që jepen nga Ambasada e Britanisë në Kosovë në sqarimet e përgjithshme për konkurset që monitorojnë, thuhet se ata prezantojnë vetëm kandidatt me rezultat më të lartë. Që në këtë rast, Çerkini duket se nuk e ka kaluar këtë nivel.

“Vetëm kandidatët me rezultatin më të lartë janë paraqitur këtu. Kandidatë të tjerë mund të jenë vlerësuar në kuadër të procesit, por nga Partnerët Zbatues janë vlerësuar më ulët sesa kandidatët tjerë”,thuhet në sqarimet e britanikëve.

Vlerësimi nga britanikët në konkurset e pozitave të larta, bëhet si rezultat i një Memorandumi që ka Ambasada e Britanisë me Qeverinë e Kosovës.

Anëtarë të Komisionit në këtë konkurs ishin: Naim Gashi, Edi Gusia, Bedri Xhafa, Safet Fazliu dhe Anita Kalanderi.

Përzgjedhja e tezakes

Gazeta Nacionale ka raportuar qysh nga fillimi i këtij konkursi. Venera Çerkini ka qenë një nga kandidatët kryesore për ta fituar këtë garë, bazuar edhe në raportin e saj familjar me presidenten e vendit.

Në njoftimin e publikuar nga Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë, Venera Çerkini, çika e tezes së presidentes Osmani u rendit e para falë intervistës me gojë. Në testin me shkrim, zonja Çerkini ishte më pak e suksesshme pasi dy kandidatë të tjerë u renditen më lartë se ajo në këtë konkurs.

Në testin me shkrim, rezultati i testimit të zonjës Çerkini ishte 34.36, ndërsa dy kandidatët e tjerë për këtë pozicion shënuan mbi 37 pikë.

Ishte faza e vlerësimit të intervistës që e vendosi Venera Çerkinin përpara dy kandidatëve të tjerë, duke grumbulluar një total prej 76.76 pikëve.

Motra e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti, Lebibja, ishte gjithashtu në mesin e kandidatëve serioz për këtë pozitë pasi kishte arritur të futej në listën e ngushtë.

Megjithatë, nuk është ky rasti i vetëm ku personat e afërt me pushtetin, janë përzgjedhur për drejtor në AZHB.

Vëllai i presidentes në BQK

Ramadan Osmani vëllai i presidentës, Vjosa Osmani edhe zyrtarisht ka filluar punën në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK). Para dy muajve, Nacionale kishte raportuar për synimin e vëllait të presidentes Osmani drejt punësimit në BQK ku tashmë kjo punë është kryer.

Burime të Nacionales brenda BQK-së, kanë bërë të ditur se Ramadan Osmani që nga muaji janar i këtij viti ka filluar punën në insitucionin kryesor financiar në vend.

Osmani është punësuar në pozitën e rëndësishme të Mbikëqyrsit të Lartë të Bankave.

Para se të punësohet në BQK, Ramadan Osmani mësohet se kishte punuar në një bankë komerciale të quajtur Banka për Biznes (BPB).

Sipas konkursit, Osmani ka marrë më së shumti pikë nga katër kandidatët për këtë pozitë.

Kjo pozitë është mjaft e rëndësishme pasi do të ketë për detyrë të kryejë ekzaminimet në vend dhe të shqyrtojë raportet e bankave.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close