Thaçi dorëzon komentet në Kushtetuese, thotë se dekretimi i kryeministrit është në kompetencat e tij
Pas Lidhjes Demokratike të Kosovës, edhe Zyra e Presidentit ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese komentet lidhur me dekretimin e Avdullah Hotit për kryeministër.
Në komunikatën për media thuhet se presidenti i Kosovës e ka nxjerrë këtë Dekret pas konsultimit me të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvend dhe pajtimit të shumicës absolute të tyre për të formuar Qeveri të re.
“Zyra e Presidentit ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese komentet përkitazi me meritat e kërkesës së pretendimeve të parashtruesve të kërkesës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Dekretit nr. 24/2020 të Presidentit të Republikës së Kosovës, dt. 30.04.2020, me të cilin Dekret, sipas propozimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, z. Avdullah Hoti i është propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidat për Kryeministër për të formuar Qeverinë e re”, thuhet në njoftim.
Zyra e Presidentit thotë se përmes nxjerrjes së Dekretit nr. 24/2020, Thaçi ka vepruar në kuadër të kompetencave të tij të përcaktuara me Kushtetutë dhe sipas standardeve të përcaktuara në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin KO103/14.
13:56
LDK-ja i dorëzon në Kushtetuese komentet në lidhje me dekretin
Arben Gashi shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, ka thënë se bashkë me deputetët Driton Selmanaj e Shkëmb Manaj kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, komentet në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së dhe disa deputetëve lidhur me masën e përkohshme që kjo gjykatë e ka vënë ndaj dekretit të presidenti Hashim Thaçi i cili e ka nominuar Avdullah Hotin e LDK-së për kryeministër.
Gashi ka thënë se pret që Kushtetuesja të vendosë në favor të drejtësisë kushtetuese dhe promovimit të demokracisë në vend.
“Dorëzuam në Gjykatë Kushtetuese komentet në emër të GP të LDK-së dhe po ashtu disa kolegë deputetë kanë dorëzuar komente me rastin që ka të bëjë me masën e përkohshme. Por presimin gjykimin final besojmë se do të kemi gjykim fer dhe të drejtë”, tha ai.
Gashi ka shprehur besimin e tij se vendimi do të jetë në favor të drejtësisë.
“Besojmë se do të jetë në favorin e drejtësisë kushtetuese në aspektin e promovimit të demokracisë në këtë vend”, tha ai.
Ai po ashtu ka treguar se janë në fazën finale të planit qeverisës, i cili sipas tij, do të përfundojë më së largu deri nesër.
“Jemi në fazën finale të përfundimit të planit qeverisës jemi në përfundimin e pakos ekonomike që pritet të aprovohet në ditët e para të qeverisë së re. Kryeministri Hoti është i gatshëm të marrë përsipër trajtimin e këtyre çështjeve”, shtoi Gashi./EO/