Epilogu

Thaçi i zhgënjyer me BE-në: Shtyrja e projektit për zgjerim është ftesë për rrëmujë të re në Ballkanin Perëndimor

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në samitin “Ballkani Perëndimor në mes Shpresës dhe Realitetit” që po mbahet në Bruksel, ka thënë se vendimi i Bashkimit Evropian për shtyrje të procesit të anëtarësimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor nuk është rrugëdalje dhe sipas presidentit është ftesë për “një rrëmujë të re” në rajon, shkruan Gazeta Express.

Kreu i shtetit tutje ka thënë se situata aktuale është tepër e ndërlikuar dhe e rrezikshme, dhe siç ka potencuar ai kjo duhet të jetë hera e fundit që Bashkimi Evropian dhe Ballkani gjenden në një situatë të tillë.

Thaçi i ka bërë ftesë BE’së që të jenë më të guximshëm dhe vizionar, në mënyrë që të tregohen se janë partner i besueshëm për Ballkanin Perëndimor.

Shkrimi i plotë i Thaçit:

Në samitin “Ballkani Perëndimor në mes të Shpresës dhe Realitetit”, të organizuar nga Miqtë e Evropës, diskutuam për marrëdhëniet ndërmjet Bashkimit Evropian, Kosovës dhe tërë Ballkanit Perëndimor, të cilat tashmë janë në një udhëkryq të madh politik dhe historik.

Nuk është hera e parë që jemi në një situatë të tillë: sfiduese, të ndërlikuar, madje edhe të rrezikshme. Por, do të duhej të ishte hera e fundit!

“Strategjia për zgjerimin e Bashkimit Evropian me shtetet e Ballkanit Perëndimor” vetëm krijoi bindjen se Bashkimi Evropian po i jep shtytje vendimtare synimit të Kosovës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor për integrim në familjen evropiane, por të gjitha ngjarjet që pasuan na përgënjeshtruan të gjithë neve.

“Fuqia e butë” e Bashkimit Evropian karshi shteteve të Ballkanit Perëndimor është në zbehje e sipër. Disa nga shtetet e Ballkanit Perëndimor po ballafaqohen me tendenca të prapakthimit në stabilizimin e demokracisë dhe po shohim rritje të populizmit dhe nacionalizmit. Ballkani është bërë fushëbetejë gjeopolitike dhe në këto rrethana, shtyrja për më vonë e projektit të zgjerimit të Bashkimit Evropian me shtetet e Ballkanit Perëndimor, rishikimi i gjithë kësaj ndërmarrjeje, nuk është opsion, nuk është zgjidhje, nuk është shtegdalje. Në realitet, ky opsion është ftesë për rrëmujë të re në Ballkanin Perëndimor.

Udhëheqja e re e Bashkimit Evropian duhet të tregojë vizion, guxim dhe lidership, duke u bërë partner i besueshëm për Ballkanin Perëndimor.

Exit mobile version