Gjykata Speciale ka refuzuar kërkesën e ish-krerëve të UCK-së për lirim nga paraburgimi. Institucionet e Kosovës – Kryeministri Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani – po kritikohen se nuk kanë ofruar garancion për lirimin me kusht të tyre. Periskopi iu sjell një letër të vitit 2001, kur Hashim Thaçi si kryetar i PDK-së, iu kishte shkruar të gjitha figurave kryesore politike të botës, ku kishte kërkuar lirimin e Albin Kurtit…
Gjykata Speciale të premtën bëri të ditur se ka refuzuar kërkesat e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit për lirim nga paraburgimi.
Institucionet e Kosovës, përkatësisht njerëzit që përfaqësojnë ato – Vjosa Osmani si Presidente dhe Albin Kurti si Kryeministër, po kritikohen se nuk kanë bërë dhe nuk po bëjnë asgjë për të garantuar lirimin me kusht të ish-kreut të UCK-së, Hashim Thaçi dhe ish-bashkëthemeluesve tjerë të UCK-së që ndodhen në paraburgim në Hagë.
Por përderisa në institucionet e Kosovës nuk ka udhëheqës që janë të gatshëm ta bëjnë këtë, është Presidenti i Kroacisë, z.Zoran Milanoviq, i cili duket se ka shprehur gatishmëri lidhur me garantimin për lirimin me kusht. Këtë e ka bërë të ditur, ish-kandidati për deputet i PDK-së, Hisen Berisha.
Vec Kroacisë, është përmendur edhe Shqipëria si shtet që do të mund të ofrojë lirimin me kusht të ish-krerëve të UCK-së.
Ndërkohë Periskopi ka gjetur një artikull të vitit 2001, ku Hashim Thaçi kishte kërkuar lirimin nga burgu të Albin Kurtit. Thaçi si kryetar i PDK-së, atëkohë, u kishte shkruar figurave më të njohura të skenës politike botërore të asaj kohe.
Ai u kishte shkruar Sekretarit të shtetit amerikan, Kolin Pauell, sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Kofi Anan, ministrave të jashtëm të Gjermanisë, Italisë dhe Francës.
“Kërkojmë nga autoriteti Juaj që të shfrytëzoni influencën e shtetit që përfaqësoni me qëllim që të lirohen sa më parë liderët e lëvizjes studentore, Nait Hasani dhe Albin Kurti si dhe të gjithë të burgosurit e tjerë politikë shqiptarët”, thuhej në letrën e Thacit të vitit 2001, të publikuar atëkohë në të përditshem ‘Zëri ditor’, përcjell Periskopi.
Poashtu, Thaçi kishte kërkuar edhe për zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit.
“Fjala është për absurditetin që karakterizojnë vendimet e autoriteteteve të reja të Beogradit në vazhdimin e mbajtjes në burgjet serbe të qindra shqiptarëve dhe refuzimin e dhënies së informative për mijëra të tjerë që konsiderohen të zhdukur, vecanërisht intelektualin e mirënjohur Ukshin Hoti”, kishte shkruar Thaçi më 2001./Periskopi/