“Thaçi në 1991 kërkoi armatim për njësitin e Drenicës, gjyshi i Albulena Haxhiut ia siguroi mitralozin Adem Jasharit”
BEDRI ISLAMI:
Në shumë nga mediat e këtyre ditëve, mes tyre edhe në DITA, është dhënë lajmi se mitralozi që kishte në ditët e luftimeve, mes 4 dhe 6 marsit 1998, komandanti i Përgjithshëm i UÇK-së, Adem JASHARI, do të ekspozohet për herë të parë për publikun e gjerë. Në të vërtetë, në shumë nga fotot e fundit të Adem e Hamzë Jasharit, si dhe të disa nga njerëzit e afërt të tyre, është vënë re mitralozi që është bërë publik pikërisht më 28 nëntor, që përkon me ditën e mëvetësisë dhe ditëlindjen e Ademit. Është një rastësi domethënëse, por nuk është vetëm kjo në këtë shënim plotësues.
Pyetja që mund të bëhet normalisht është se çfarë rruge ndoqi ky mitraloz deri sa shkoi në Drenicë, në cilën kohë shkoi dhe cilët e dërguan. Ka edhe ai ndonjë histori të veçantë dhe a është i lidhur edhe me personalitete të tjera jetike dhe historike të Kosovës?
Adem Jashari ka qenë një njeri që i donte armët, por megjithatë më shumë donte jetën. Në përfytyrimin e shumëkujt figura e tij, ashtu e mbuluar nga armët, me mbulojën e meshintë dhe uniformën e UÇK-së, fytyrën e mbuluar nga një mjekër e gjatë, krejt ndryshe nga të vëllezërit, mbetet ajo e një luftëtari, dhe thuajse gjysmën e jetës së tij të ndërgjegjshme ai ishte i tillë. Armët i donte, por ishte një njeri që i gëzohej jetës. Në arkivin e Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe në familjen Jashari, njëkohësisht, ruhen disa video të regjistruara nga vetë ato, të cilat ende nuk janë bërë të njohura dhe ku shpesh herë shfaqet një njeri krejtësisht i zakonshëm, që shkon në arat e mbjella me misër, luan me fëmijët, i gëzohet gjethnajës që ka mbuluar kodrat përreth, megjithëse armën e ka të varur në një degë lisi. Por armët i donte, i kishte të afërta, si një gjymtyrë të natyrshme pranë vetes. Në çdo komunikim që është bërë me të, në çdo mesazh dhe letër që ka dërguar, në inçizimet dhe videot, deri edhe në letrën e fundit, kërkesa e tij e përhershme ka qenë për një furnizim më të qëndrueshëm.
Mitralozi që vajti në Drenicë lidh në një histori të vetme disa njerëz. Ai e ka fillesën nga një luftë tjetër, po ashtu kundër një regjimi të egër serb, por kësaj here në Kroaci. Ndoshta është arma e vetme, e cila, në fare pak vite, ka kaluar nëpër disa duar, të cilat, së bashku e veç e veç, kanë shkruar pjesë të historisë së re të Kosovës.
Historia nis me formimin e brigadës së shqiptarëve në Kroaci, një mendim i Lëvizjes Çlirimtare, i cili gjen një personalitet të spikatur për ta realizuar atë, kur të tjerët, që e nisin, pësojnë një goditje e tërhiqen. Ky ishte Fehmi Lladrovci, i cili pas Adem Jasharit, është pa asnjë dyshim figura më e spikatur politike e ushtarake dhe me më shumë ndikim në të gjithë spektrin çlirimtar të disa dekadave. Përmes emrit dhe figurës së tij do të krijohet njësiti i parë i armatosur i shqiptarëve të Kosovës, që në pak kohë do të kishte disa qindra luftëtarë. Pranë tij, si përgjegjëse për moral, do të ishte Xheva Krasniqi Lladrovci, bashkëshortja e Fehmiut, e cila do të ishte me të deri në momentin e vrasjes së përbashkët me 22 shtator 1998. Luftëtarët shqiptarë kërkojnë një kazermë ku të stërviten, por Tugjmani i vë një kusht, i cili pranohet si zgjidhje e përkohshme: “Çlironi një qytet, ai do të jetë i juaji dhe armët që do të zini do i ndajmë përgjysmë”. I caktohet zona e Gospiqit dhe kroatët e rrethuar nga ushtria serbe gëzohen sepse e dinë se shqiptarët janë trima dhe fillojnë t’i quajnë vëllezërit tanë. Gospiqi çlirohet. Bëhen bashkë disa emra që do të spikatin edhe më tej në luftën për çlirimin e Kosovës, mes tyre Bekim Berisha, i njohur si AB-ja, Naim Maloku, Mensur Kosumi, por ndërkohë, përmes një rrjeti të mirëorganizuar fillon edhe kalimi i mjeteve të logjistikës për në Kosovë. Lëvizja cakton dy njerëz të sprovuar për të përgatitur bazat e duhura, Ahmet Haxhinë, gjithë jetën pjesë e lëvizjes klandestine çlirimtare, dhe Shaban Mujën, njëkohësisht nipi i Fehmiut. Transportimi i mjeteve logjistike do të bëhej po ashtu nga një grup njerëzish të sprovuar, si Haxhi e Musa Demiri, vëllezërit Krasniqi, gjithnjë nën drejtimin e Ali Ahmetit.
Në fundin e dhjetorit të vitit 1991, kur ishte kthyer nga stërvitjet në shtetin shqiptar, familja e Adem Jasharit do të kishte rrethimin e parë nga ushtria serbe. Pas disa orësh lufte rrethimi çahet, ushtria serbe lë pas vetes disa të vrarë dhe tërhiqet, pasi, me t’u dëgjuar krismat e armëve, mblidhen më shumë se 2 mijë burra të armatosur rreth e rreth Prekazit.
Por rrethimi tregoi se ai nuk ishte më i panjohur për rezistencën e tij dhe rrethimi do të përsëritej. Kjo kërkonte se duhej bërë diçka më shumë se ajo që ndodhte zakonisht, kur grupet e para të njësiteve në Kosovë kishin logjistikë të paktë. Lëvizja Popullore e Kosovës, e cila kishte marrë përsipër ndërtimin dhe drejtimin politik e ushtarak të luftës, ende nuk i kishte ngritur strukturat e saj në vitin 1991. Kjo do të ndodhte më vonë. Adem Jashari ishte pjesë e rëndësishme e Lëvizjes. Dy nga miqtë e tij të afërt, Ramiz Lladrovci dhe Hashim Thaçi do të takohen me njërin nga drejtuesit e kohës së organizatës, Ramadan Avdiu, dhe me forcë i kërkojnë që njësiti i Drenicës, që ishte formësuar tashmë, duhet të kishte mjete të veçanta logjistike. Merret vendimi që njëri nga mitralozët e ardhur nga Kroacia, nga lufta e Brigadës shqiptare, të dërgohet tek Adem Jashari. Misionin e merr përsipër veterani Ahmet Haxhia, në shtëpinë e të cilit ishte ndërtuar njëra nga bazat e mëdha të logjistikës.
Fragment nga biseda me Ramadan Avdiun, në atë kohë anëtar i udhëheqjes së lartë të Lëvizjes Çlirimtare.
“Ndodhi rrethimi i Prekazit, më 30 dhjetor 1991 dhe pas disa ditësh vjen Hashim Thaçi dhe thotë se atje, në Prekaz është një grup i fortë që don të luftojë dhe që po lufton, por kanë armët të pakta, kështu që të gjitha armët që kemi ose që mund t’i sigurojmë, duhen dërguar në Prekaz. Ndërkohë isha takuar edhe me Ramiz Lladrovcin, edhe ai më solli shqetësimin se nuk kemi armë dhe se dëshira për luftë është e madhe. Ideja për dërgimin e armëve të mëdha në Prekaz ishte e Ramizit dhe e Hashimit. Atëherë jemi munduar të sigurojmë sa më shumë armatim, edhe nga rrethet e tjera dhe t’i dërgojmë në Prekaz. Ndërkohë kishin ardhur edhe armët që kishte siguruar njësiti i Gospiqit, përmes Fehmi Lladrovcit”.
Jo rastësisht përmenda në fillimin e këtij shënimi se ky është një rast krejt i veçantë kur një armë, tashmë e njohur si arma e një njeriu të kthyer në legjendë, ka kaluar nëpër duart e disa njerëzve që bënë historinë e re të Kosovës.
Fehmi Lladrovci ishte njeriu për të cilin Adem Jashari do të thoshte haptas e “vetëm vdekja më ndan prej tij”. Kur u vra kishte njëzet e dy vite aktivitet në lëvizjen çlirimtare, i dënuar me 10 vite burgim, i diplomuar në universitetin e Zagrebit si inxhinier, një nga pesë drejtuesit kryesorë të Organizatës, i futur në listë nga qeveria Berisha si njëri nga klandestinët që duhet ndjekur dhe nuk duhet lejuar të qëndrojë gjatë në Shqipëri. Kthimi i tij në Kosovë ishte njëra ndër ngjarjet më të rëndësishme të luftës. Hero i Kosovës.
Xheva Krasniqi-Lladrovci, bijë e një familjeje të njohur atdhetare. Profesoreshë gjimnazi në Klinë, e diplomuar edhe në shkencat juridike, i ati Abdyl Krasniqi, do të jetë njeriu që do të nxjerrë nga shpella eshtrat e Azem Bejtës (Galica), i dënuar politik për shumë vite. Katër muaj pas fejesës, Fehmiu arrestohet dhe dënohet me 10 vite burgim. Xheva, në ditën e caktuar të dasmës, veshur kuq e zi, shkon nuse në Drenicë. Përjashtohet nga arsimi. Pjesë e brigadës shqiptare në Kroaci, përgjegjëse për moral, pastaj gruaja me gradën më të lartë në ushtrinë çlirimtare, gjeneralmajore. Heroinë e Kosovës. E kishte të ndaluar hyrjen në Shqipëri nga qeveria Berisha.
Bekim Berisha, AB-ja. Njëri ndër ushtarakët e jashtëzakonshëm në luftë. Vritet në një ditë me Bedri Shalën, të dy drejtues të formacioneve luftarake. Pas vrasjes së tij, shteti kroat shpall ditë zie kombëtare, ashtu si ndodh edhe me dekorimin e Fehmiut për trimëri të lartë. E kishte të ndaluar hyrjen në shtetin shqiptar.
Hashim Thaçi, njëri ndër pjesët e para drejtuese të lëvizjes dhe të luftës. Vazhdimi i tij është i njohur, por, më është dashur të saktësoj një vit për praninë e tij, vitin 1991, për të sjellë dëshminë se ai nuk erdhi rastësisht. I dënuar me 10 vite burgim nga regjimi serb, i burgosur në shtetin shqiptar.
Ramiz Lladrovci, njëri ndër staturat më të spikatura në lëvizjen çlirimtare. Ndoshta njeriu më i besuar i Adem Jasharit në perëndim. Përmes tij jam lidhur me familjen JASHARI dhe kam ende në arkivë materialet e dërguara nga Ademi dhe grupi i tij. E quaj fat të jashtëzakonshëm në jetën time lidhjen e krijuar me familjen e Adem Jasharit. Tani, Lladrovci është përfaqësues i jashtëzakonshëm i Kosovës në Shqipëri.
Dhe në fund desha të nënvizoj se mes të gjithë armëve, ato që mbante pranë vetes Adem Jashari, ishin miqtë e shokët e tij. Nganjëherë, kur dua të risjell në mendje ngjarjet e të shkuarës, dëgjoj rishtas fjalët e tij, të dërguara përmes një rrjeti të posaçëm, fjalët e kujdesshme dhe dëshirën për armë. Dhe e dija se do të ishte njeriu i parë që, pas luftës, do i ishte rikthyer punëve të tij, në atë familje të madhe e të begatë. Dhe si një njeri që kishte jetuar për një luftë të shenjtë, e kishte të shenjtë dhe luftën që ishte bërë në Shqipëri, dhe pjesë të jetës së tij ishin bërë edhe ajo që kishte ndodhur. Një shok afër tij, që shkruante poezi asaj kohe, Rexhep Selimi, kishte thënë se “ishte i dashuruar me vdekjen e Vojos”, dhe Ademi i kishte thënë se nuk mund ta kishin të gjithë atë fat. Një shok tjetër, Nait Hasani, që ishte në lidhje të vazhdueshme me të, i kujtonte Qemal Stafën, pasi pas syzeve dëshmohej kthjelltësia e një vizioni. Të gjitha këto janë në fjalët e tij, të dërguara si mesazhe të një njeriu që po bënte një histori, pa menduar se cili do të ishte vendi i tij në të.