Po ju sjellim raportimin e Top Channel për vizitën e ish Kryeministrit Hashim Thaçi në SHBA.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi është pritur nga zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.
Marrëveshja e parë për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë e arritur më 19 prill në Bruksel, ka qenë njëra nga temat e këtij takimi në Shtëpinë e Bardhë.
“Marrëveshja historike e arritur në Bruksel i hap rrugën e sigurt të Kosovës në BE dhe në NATO. Maturia dhe lidershipi juaj për të tejkaluar ndasitë etnike dhe armiqësitë nga e kaluara e hidhur vlerësohen lart nga SHBA, prandaj për Kosovën dhe Ju në këtë proces, asnjëherë nuk do të mungojë mbështetja e SHBA-ve”, ka thënë Joe Biden, njofton zyra për informim e Kryeministrit Thaçi.
Po ashtu, siç njofton zyra për shtyp e Kryeministrit zëvendëspresidenti Biden, ka shprehur konsideratën e lartë për vizionin dhe qëndrimin e Kryeministrit Thaçi, duke e vlerësuar atë si burrështetas të pakontestueshëm, që mori vendime të rëndësishme në kohë të vështira, por gjithmonë në të mirën e Kosovës dhe qytetarët të saj.
Ndërkaq, Kryeministri i Kosovës ka thënë gjatë këtij takimi se marrëveshja e 19 prillit nuk është fundi i normalizimit, por fillimi i tij, dhe tani fjalë kyçe është zbatimi i plotë i marrëveshjes së arritur, ka thënë Thaçi, njofton zyra për informim e Kryeministrit.
Ai po ashtu ka falënderuar zëvëndëspresidentin Biden për ndihmën e pakusht që SHBA-të i kanë dhënë këtij procesi, ndërsa ka shprehur gatishmërinë që Kosova të kryejë të gjitha detyrimet që dalin për zbatimin e marrëveshjes.
Gjatë ditës së parë të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, Kryeministri Thaçi, është takuar në një darkë pune me miq të shumtë të Kosovës, në mesin e të cilëve Gjeneralin Weslye Clark, Ambasadorët Frank Wisner e Philip Goldberg, dhe shumë personalitete të tjera.
Thaçi, takim në selinë e CIA-s dhe Pentagon
Në kuadër të vizitës zyrtare që po zhvillon në Shtetet e Bashkuara, kryeministri i Hashim Thaçi ka zhvilluar një takim të veçantë me drejtorin e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës, zotin John Brennan.
Në këtë takim, kryeministri Thaçi dhe drejtori i CIA-s kanë diskutuar mbi çështje të ndryshme me interes të përbashkët. Gjithësesi, detaje mbi takimin nuk jepen.
Po ashtu, Thaçi është pritur në Pentagon edhe nga nënsekretari amerikan i Mbrojtjes, James Miller, me ç’rast ka falënderuar SHBA-të për mbështetjen e vazhdueshme që po i japin Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Falë anagzhimit të saj dhe mbështetjes amerikane, FSK-ja ka arritur kapacitetet e plota operacionale dhe është afirmuar si një institucion i besueshëm në vend dhe rajon”, ka thënë Thaçi.
Kryeministri i Kosovës në këtë vizitë po shoqërohet nga ministri i jashtëm, Enver Hoxhaj dhe ministrja e Integrimeve Europiane, Vlora Çitaku.
Top Channel