Epilogu

Thaçi timonier i dialogut, Haradinaj thotë që s’ka folur me Grenellin për hekurudhat

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së në dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell nuk ka diskutuar paraprakisht për marrëveshjen për hekurudha, teksa ka shtuar se kjo fazë e arritjes së pajtimit nuk mund të definohet si rifillim i dialogut, shkruan Gazeta Express

Pasi që me një pjesë të kabinetit ka bërë homazhe te Obilisku i Hebrenjve me rastin e Ditës Ndërkombëtare në Përkujtim të Holokaustit, kryeministri në detyrë, i pyetur nga gazetarja e Televizionit T7, është shprehur se me Grenell nuk ka diskutuar për hekurudhat.

“Nuk ka qenë pjesë e diskutimit pjesa e dytë, unë kam deklaru atë që e kam deklaru”, ka thënë ai.

Haradinaj ka thënë se përzgjedhja e atyre se kush do të shkojë në Berlin është bërë nga Ministria e Infrastrukturës.

“E dini si shkon procesi, aprovimi bëhet për staf politik, sepse kë e përzgjedhin prej ekspertëve, vijnë prej dikastereve, unë s’i njoh ata njerëz”, shton ai.

Mirëpo, sipas tij, implementimi i kësaj marrëveshjeje mund të marrë kohë për arsye se hekurudhat në vend janë në gjendje të mjerueshme.

“Ne kemi hekurudhat që lidhen me Serbinë janë në gjendje të mjerume, jemi në proces të renovimit, është një projekt i madh me BE-në, një marrëveshje me Serbinë nuk i bën asnjë dëm Kosovës, janë qindra mijëra njerëz tanë që janë detyru me ra në Serbi, disa prej tyre tani e kanë alternativë edhe aeroplanin. Mund të jetë edhe treni një opsion, nuk është ndonjë ofertë e mirëfilltë tash për tash, praktikisht është një infrastrukturë shumë e dobët, jo aq adekuate për përdorim”, shton ai, teksa thotë se kjo fazë nuk është e drejtë që të definohet si rinisje e dialogut.

“S’kam të drejtë me e definu si dialog, fakti që po ndodhin disa marrëveshje, e mirëpresim, kemi kërku edhe më herët një dialog pa kushte, pa u heqë taksa”, ka deklaruar kryeministri në detyrë. /GazetaExpress/

Exit mobile version