Epilogu

Thellohet skandali, punësohet nga Arben Vitia edhe motra e zv.ministrës së Qeverisë Kurti

Pranvera Osmani – Zhushi, është motra e zëvendësministres së Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Daulina Osmanit, që është punësuar nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në Këshillin Mbikëqyrës të Odës së Farmacistëve të Kosovës, shkruan Gazeta Metro.


Me 15 korrik të këtij viti, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka nënshkruar vendimin që në cilësinë e anëtareve të Këshillit Mbikëqyrës të Odës së Farmacistëve të Kosovës, Ministria e Shëndetësisë të delegojë, Nita Kelmendi – Hysa dhe Pranvera Osmani – Zhushi.

Emri i parë është tashmë i njohur, pasi Nita Kelmendi – Hysa është vajza e axhës së ministrit të Infrastrukturës dhe zyrtarit të lartë të Vetëvendosjes (VV), Liburn Aliu.

Ndërsa Pranvera Osmani – Zhushi, është motra e zëvendësministres së MKRS’së, Daulina Osmanit.

Zëvendësministrja e MKRS’së, Daulina Osmani. 

Metro ka siguruar edhe vendimin e nënshkruar nga Arben Vitia me 15 korrik 2021.

Në këtë vendim shihet se edhe në Këshillin Drejtues të Odës së Farmacistëve të Kosovës, është emëruar edhe motra e Liburn Aliut, Suljota Aliu.

Pra motra e Liburn Aliut, Sulojta është deleguar në cilësinë e anëtares së Këshillit Drejtues të Odës së Farmacistëve të Kosovës.

Ndryshe gjatë fushatës zgjedhore kryeministri Albin Kurti para se të vinte në pushtet, i cili është edhe shef në parti e Qeveri i Liburn Aliut, kishte deklaruar se në qeverisjen e tij nuk do të bëheshin punësime familjare nëpër ministri.

Sipas tij familjarët janë vetëm për dasma dhe ndeja private, dhe jo për punësim në ministri.
“Nuk mundemi me i mbush ambasadat sikur nuk mundemi me i mbush as ministritë me kushërinj. Kushërinjtë janë për te shtëpia, familja është te shtëpia. Kur të bahet ministër dikush, a zëvendësministër, deputet a kryeministër duhet me u bë vetëm ai person, jo me shku me krejt fisin aty. Fisi është për dasmë, për gazmend privat, s’ka dasma nëpër ministria”, kishte thënë Albin Kurti në njërin nga tubimet e tij elektorale. /gazetametro.net

Exit mobile version