Epilogu

Transaksionet e dyshimta nga fondi i 3% – tërheqje parash deri në vitin 2012

Qindra mijëra euro janë tërhequr nga ky fondi  i 3 përqindëshit mes viteve 2006-2011. Shuma prej 512 mijë e 936 eurove është nxjerrë nga bankat jashtë vendit nëpërmjet 16 transaksioneve të dyshimta. Bukoshi e ka pranuar se janë kryer këto transaksione, por nuk ka sqaruar se për çfarë qëllimesh. Ka thënë se të gjitha janë bërë me miratimin e Bordit të Unionit të Fondeve të Republikës së Kosovës (UFORK), pjesë e të cilit ka qenë kryeministri aktual Isa Mustafa. E, Mustafa ka heshtur.

Bujar Bukoshi e Isa Mustafa kanë vite që i kanë ndarë rrugët politike. Por, paratë e Fondit të Republikës së Kosovës, i njohur si 3 përqindëshi, i kanë mbajtur gjithmonë bashkë.

Qindra mijëra euro janë tërhequr nga ky fond prej Bujar Bukoshit. Ish-kryeministri në ekzil thotë se e kishte bekimin e kryeministrit aktual, Isa Mustafës.

Nuk dihet se ku kanë përfunduar.

Gazeta Insajderi ka siguruar një dokument konfidencial të Qendrës së Inteligjencës Financiare (FIC) që është hartuar gjatë hetimeve kundër Ilir Tolajt, Bujar Bukoshit dhe të tjerëve, në vitin 2012. Raporti hetimor i ishte dorëzuar Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Ai ishte përdorur vetëm gjatë hetimeve për tenderët e Ministrisë së Shëndetësisë.

Kurrfarë hetimi nuk ishte kryer për këto transaksione, të cilat FIC i cilëson të dyshimta.

Dokumenti flet për tërheqje të  mbi gjysmë milioni euro nga Fondi i Republikës së Kosovës gjatë viteve 2006-2011.

Këto para janë tërhequr nga bankat  në Gjermani, Itali, Shqipëri dhe Belgjikë, ku janë të deponuara fondet e 3 përqindëshit.

Të dhënat e këtyre fondeve, tregojnë se Fondi i Republikës së Kosovës-i regjistruar si OJQ- ka llogari në Gjermani, Itali, Shqipëri dhe Belgjikë. 16 transaksionet bëhet fjalë për shtatë, deri në 50 mijë euro.

Bukoshi e ka pranuar se janë kryer këto transaksione, por nuk ka sqaruar se për çfarë qëllimesh. Ka thënë se të gjitha janë bërë me miratimin e Bordit të Unionit të Fondeve të Republikës së Kosovës (UFORK), pjesë e të cilit ka qenë kryeministri aktual Isa Mustafa.

Bukoshi ka refuzuar kërkesën për qasje në dokumentet e këtij fondi me arsyetimin se kjo çështje tashmë është e mbyllur për të. Ka thënë se paratë janë tërhequr nga Naser Osmani, deputet i LDK-së dhe Atdhe Gashi, ish këshilltar i tij.

Osmani e Gashi kanë mohuar se kanë pasur qasje në llogaritë bankare jashtë vendit. Kanë thënë po ashtu se këtë detyrë brenda Kosovës e kanë pasur deri në vitin 2006. Pretendojnë se kanë tërhequr shuma të vogla parash nga një llogari në Bankën Private të Biznesit për pagesa të zyrave, punëtorëve e shpenzime tjera për UFORK-un.

E, Mustafa, ish-ministër në Qeverinë e Bukoshit në Ekzil, nuk ka pranuar të flas për këtë çështje. Mustafa kishte thënë në vitin 2000 se në fond kishin mbetur edhe 50 milion marka gjermane.

Exit mobile version