Epilogu

“Trashet” nepotizmi, vajza e Shpejtim Bulliqit rehatohet në AKP

Derisa premtimi i kryeministrit Albin Kurti për shuarjen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka ngecur si pasojë e mos-planifikimit të valës së re të shitjeve, agjencia ka vendosur në vend një plan për punësimin e familjarëve të njerëzve në pushtet, raporton Paparaci. 

Suada Qorraj

Kësisoj, Egzonë Bulliqi, vajza e kryetarit të Podujevës, Shpejtim Bulliqi, është emëruar në pozitën e Ofruesit të Shërbimeve në zyrën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit në Prishtinë.

Rekomandimin për emërimin e Egzonë Bulliqit në këtë pozitë është bërë nga Komisioni Përzgjedhës i Shërbimit Civili të AKP-së dhe është miratuar edhe nga drejtori menaxhues i këtij institucioni.

Sipas rezultateve të publikuara më 5 korrik nga AKP-ja, Egzonë Bulliqi ka marrë gjithsej 87 pikë duke u renditur kështu e dyta, në listën prej gjithsej 6 personave të rekomanduar.

Paparaci është përpjekur të vihet në kontakt me të parin e Llapit, Shpejtim Bulliqin, por ai ka qenë i paqasshëm në telefon pasditen e së enjtes.

Krahas Egzonë Bulliqit, në këtë pozitë janë emëruar edhe Gentiana Krasniqi – Ajvazi, Laura Haxhiu, Adelina Maloku, Qendresa Januzi dhe Arjeta Mehmeti.

Rezultatet e Publikuara nga AKP-ja

Agjencia Kosovare e Privatizimit më 16 qershor të këtij viti kishte hapur konkurs për ofrues të shërbimeve në procesin e likuidimit në katër qytete të vendit. Atë të Prishtinës, Gjilanit, Mitrovicës dhe Prizrenit.

Sipas konkursit në zyrën e ofruesit të shërbimeve në Prishtinë kërkoheshin gjithsej tetë persona. Ndërkohë, që në rezultatet e publikuara nga AKP-ja vetëm gjashtë sosh kanë arritur të bëhen pjesë e listës së ngushtë.

Kriteret për punësim në këtë pozitë përfshinin diplomën e universitetit, si dhe një përvojë pune të paktën 2-vjeçare në detyra të njëjta apo relevante, shkruan Paparaci.

“Preferohet Diploma e Universitetit: Ekonomi, Juridik, Arkiv apo relevant; Diploma e shkollës së mesme e obligueshme. Minimumi 2 vite përvojë punë në detyra të njëjta apo relevante”, shkruhej ndër të tjera në konkursin e shpallur nga AKP-ja.

Foto: Egzonë Bulliqi/ Facebook

Egzonë Bulliqi dhe pesë të punësuarit e tjerë sipas konkursit për punë do të jenë pjesë e kësaj zyre për gjashtë muaj. Të njëjtin do të marrë 450 euro bruto nga buxheti i shtetit.

Paparaci ka dërguar pyetje edhe në Agjencinë Kosovare të Privatizimit rreth punësimit të Egzonë Bulliqit në këtë pozitë dhe është në pritje të përgjigjeve së tyre.

Në nëntor të vitit të kaluar, Paparaci kishte publikuar një hulumtim mbi punësimet në baza nepotiste, të realizuara nga menaxhmenti i AKP-së. Hulumtimi dëshmoi për lidhjet familjare të të punësuarve në AKP me ushtruesin e detyrës së drejtorit menaxhues, Avni Jashari. /Paparaci.com

Exit mobile version