Kryeministri Albin Kurti dje paralajmëroi rrezikun e luftës me Serbinë në një intervistë për gazetën italiane ‘la Reppubblica’. Deklarata e Kurtit ka ngjallur reagime dhe komente nga më të ndryshmet.
Derisa opozita kritikon Kurtin për ndjellje të frikës dhe panikës mes qytetarave si dhe ‘deklarata të një axhamie’, qytetarë të shumtë kanë reaguar poashtu disa prej të cilëve edhe në mikrofonin e Periskopit.
Ndërkohë qytetari Afrim Haliti, ka kujtuar vitin 1998, vitin më të përgjakshëm të luftës në Kosovë, e sidomos një ndër masakrat e para në vendin tonë, atë në Qirez dhe Likoshan.
Sipas një copëze dokumenti që ka publikuar z.Haliti, Kurti tre muaj pas masakrës, po përpiqej të organizonte seminarin me temën “Jodhuna aktive si një alternativë ndaj luftës së armatosur”.
Gjatë shkurtit dhe marsit të vitit 1998 i tërë aparati shtetëror represiv i Serbisë kishte kryer masakra në Qirez, Likoshan dhe në Prekaz. Kjo shkaktoi një mobilizim edhe më të madh të qytetarëve dhe një rritje të besimit se rezistencës paqësore i kishte ardhur fundi.
Përkundër kësaj, pak muaj më vonë, më saktësisht në qershor të vitit 1998, Albin Kurti po përpiqej të organizonte seminarin “Jodhuna aktive si një alternativë ndaj luftës së armatosur”. Mirëpo problemi ishte se dinamika fuqizuese e krijuar nga demonstratat studentore të vjeshtës 1997 tashmë ishte zëvendësuar nga eksitimi e më pas edhe nga ‘paniku’ i daljës publike të UÇK-së dhe masakrave në Drenicë.
Seminari i planifikuar nga Kurti ishte planifikuar për muajin gusht në Tetovë; Hoëard Clark ishte planifikuar të merrte pjese si trajnues. Megjithatë seminari u anulua në korrik. Kurti shpejt më pas u bë sekretar i Adem Demaçit. Kurti në nëntor i kishte thënë Hoëard Clarkut: ‘Ti e di që kurr nuk do të mbaja armë, dhe kështu po përpiqem të bëj gjithçka që mundem politikisht.’
(Shkëputur nga libri “Civil Resistance in Kosovo” të autorit Hoëard Clark)
Çfarë e kishte shtyer atëherë Albin Kurtin që në kohë paqe në Kosovë të ishte i dhunshëm, dhe që rrugëtimin politik deri tek fitorja ta kishte të përgjakur e me viktima?
Çfarë e shtyen Albin Kurtin sot si kryeministër që në vend të ofrimit të zgjidhjeve për çështjet elementare për të cilat një popull ka nevojë në kohë paqe dhe për të cilat është duke vuajtur, ai mbjellë frikë për dhunën dhe luftën?
Mbase për faktin që përmes frikës po tenton të na shfaqet si shpëtimtar, edhe pse pak pas dymbëdhjetëve?!
Platoni me të drejtë kishte thënë se “injoranca është rrënja e fatkeqësive” dhe për sa kohë që ne mbetemi injorantë për faktin se shumë shpesh ata që pretendojnë se na mbrojnë nga frika në fakt manipulojnë frikën tonë për përfitimin e tyre, atëherë ne do të kontribuojmë në fatkeqësinë tonë.