Viti 2014: Fadil Kajtazi, ekspert i shërbimeve të inteligjencës edhe gjatë kohës së viteve ’90-ta, i përfshirë direkt në shërbimin sekret të Republikës së atëhershme të Kosovës, në emisionin Rubikon në KTV thotë se sot në Republikën tonë ka shumë bashkëpunëtorë të Shërbimit Inteligjent Serb (BIA), transmeton reporteri.net.
“Unë njoh njerëz që vazhdojnë t’i shërbejnë shërbimit sekret serb (BIA). Ata janë profesorë që respektohen, kanë tituj shkencorë, janë pjesë e institucioneve të Kosovës. Serbia aktualisht në Kosovë, ka rreth 700 bashkëpunëtorë shqiptarë”, thotë Kajtazi.
Gjithashtu edhe Mehmet Loci, agjent në kohën e ish Jugosllavisë e gjithashtu edhe në kohën e Republikës së Kosovës gjatë viteve 90’të, indirekt thotë se aktualisht në institucionet e Kosovës ka bashkëpunëtor të shërbimit sekret serb.
Bile ai i fton ata që të largohen nga institucionet e shtetit të Kosovës, të paktën duke e arsyetuar këtë largim me gjendje jo të mirë shëndetësore, apo diçka të tillë, e të mos vazhdojnë t’i shërbejnë Serbisë.
Ndërsa Kajtazi, shumë i sigurt thotë, se bashkëpunëtorë të shërbimit sekret serb, sot ka në Qeveri e edhe në Kuvend të Kosovës.
Ai thotë se shërbimi sekret serb kishte njerëz edhe brenda strukturës komanduese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e edhe në parlamentin e parë të Republikës së Kosovës, të viteve 90-ta.
Sipas informacioneve që ata posedojnë, 140 agjentë shqiptarë që spiunonin për Serbinë ishin të përfshirë edhe në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Në parlamentin e parë të Republikës së Kosovës, të viteve 90 kishte 4 bashkëpunëtorë të shërbimin sekret serb dhe për këtë Ibrahim Rugova nuk e kishte funksionalizuar kurrë atë parlament”, tha Kajtazi.
Ata kanë folur edhe për rastin Gërvalla dhe vrasjet e pasluftës.
Sipas tyre, vrasja e vëllezërve Gërvalla nga UDB-ja ishte e ndihmuar edhe nga shqiptarët.
Ndërkaq, vrasjet e pasluftës u kryen për shkak se të vrarit mësuan sekrete të këtyre shërbimeve të inteligjencës.
Këta persona, sipas Kajtazit,pas luftës kanë vrarë dy agjentë të UDB-së, të njohur botërisht, siç janë Selim Brosha dhe Ibush Kllokoqi.
Dhe vrasja e tyre, sipas Kajtazit është bërë me qëllimin që të ndihen të sigurt që këta persona një ditë të mos ua nxjerrin në publik veprimtarinë e tyre kundër interesave shqiptare të Kosovës.
Ata kanë ftuar ish-bashkëpunëtorët e tyre, të cilët thonë se e dinë mirë vetë ata kush janë, që në mënyrë burrërore të tërhiqen nga politika. /Telegrafi/