Epilogu

Tronditëse, BBC: Partia Demokratike në Shqipëri mori gjysmë milioni dollarë nga Rusia

Shtetet e Bashkuara kanë pretenduar se Rusia fshehurazi ka shpenzuar më shumë se 300 milionë dollarë nga viti 2014 për të ndikuar te politikanët në më shumë se 24 shtete, përfshirë Shqipërinë, raporton televizioni BBC.

Pretendimi i Departamentit të Shtetit është i bazuar në një vlerësim të deklasifikuar të inteligjencës amerikane, të publikuar të martën.

Një zyrtar i lartë i administratës së presidentit Biden tha: “Ne mendojmë se kjo është vetëm maja e iceberg-ut.”

Rusia nuk e ka komentuar publikisht këtë çështje. Vetë Moska disa herë i ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për ndërhyrje në vende të tjera.

Inteligjenca amerikane “vlerëson se këto janë shifra minimale dhe Rusia, me gjasë, ka transferuar fonde shtesë fshehurazi në rastet që kanë kaluar pa u vërejtur”, tha zyrtari i administratës amerikane duke folur në kushte anonimiteti.

Një burim i administratës, i afërt me rezultatet e inteligjencës, pretendoi se Rusia ka shpenzuar rreth 500.000 dolllarë për ta përkrahur Partinë Demokratike të Shqipërisë në zgjedhjet e vitit 2017 dhe gjithashtu ka financuar parti ose kandidatë në Bosnjë e Hercegovinë, Mal të Zi e Madagaskar, sipas agjencisë së lajmeve, AFP.

Burimi gjithashtu tha se Kremlini e ka përdorur Brukselin si qendër për fondacione dhe fronte të tjera që i përkrahin kandidatët e së djathtës ekstreme.

Thuhet se disa kompani fiktive janë përdorur për të financuar parti evropiane dhe për të blerë ndikim në vende të tjera.

Deri më tani, autoritetet ruse nuk kanë bërë ndonjë deklaratë publike për këtë pretendim të Shteteve të Bashkuara.

Në të kaluarën, Moska e ka akuzuar Byronë Qendrore të Inteligjencës të ShBA-së (CIA) për ndërhyrje në punët e shteteve të tjera, përfshirë përkrahjen e puçeve të ndryshme përreth botës.

Sipas një baze të të dhënave të mbajtur nga hulumtuesi i Universitetit “Carnegie Mellon”, Dov Levin, Shtetet e Bashkuara kanë ndërhyrë në zgjedhjet e më shumë se 80 shteteve në mbarë botën në periudhën 1946 – 2000, pa i përfshirë puçet ose përpjekjet për ndryshimin e regjimeve.

Të martën, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, e quajti financimin e fshehtë të Rusisë “sulm ndaj sovranitetit”.

Vitin e kaluar, disa zyrtarë të inteligjencës amerikane vlerësuan në një raport se presidenti rus, Vladimir Putin, me gjasë i kishte autorizuar përpjekjet për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të ShBA-së të vitit 2020 në favor të ish-presidentit Donald Trump. Sidoqoftë, ata thanë se asnjë qeveri e huaj nuk e ka prekur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Rusia e kishte cilësuar të pabazë këtë pretendim.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Exit mobile version