Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekateriana Trendafilova, të mërkurën caktoi trupin gjykues në çështjen kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Trupi gjykues do të përbëhet nga gjykatësit, Charles Smith III, Christoph Barthe, Guenawl Mettraux dhe Fergal Gaynor gjykatës rezervë.
Në anën tjetër në po të njëjtin ditë, gjykatësi i procedurës paraprake, Nicollas Giullou, kishte njoftuar gjyqtaren bullgare se dosja e çështjes kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të jetë gati për t’i kaluar trupit gjykues – të sapoemëruar – më 15 dhjetor të këtij viti.
Por, a do të thotë kjo se fillimi i gjykimit ndaj Thaçit e tjerëve është afër?
“Jo”, sipas avokatit të licencuar nga Gjykata Speciale, Artan Qerkini.
Megjithatë një hap i tillë, sipas tij, tregon se po hyjmë në fazën e fillimit të gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së.
“Ende nuk është caktuar shqyrtimi fillestar, pasi dosja kalon te trupi gjykues, të njëjtit e trajtojnë atë e më pastaj caktohet data e fillimit të gjykimit. Duhet të kemi parasysh edhe kohëzgjatjen e trajtimit të dosjes nga ana e trupit gjykues, por gjithashtu mund të konstatojmë se ky veprim tregon se gjykimi i rastit do të fillojë shpejtë”, ka thënë Qerkini për Albanian Post.
E përditshmja serbe, N1, duke u thirrur në burime brenda Gjykatës Speciale kishte raportuar se gjykimi ndaj Thaçit e të tjerëve pritet të nis në fillim të vitit 2023.
Ky informacion, megjithatë nuk është konfirmuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Sipas zëdhënëses së Speciales, Angela Griep, “ende nuk është caktuar një datë specifike për fillimin e gjykimit”.
Por, e njëjta ka konfirmuar për Albanian Post se nga 15 dhjetori caktimi i datës së fillimit të gjykimit të Thaçit e të tjerëve është në dorën e trupit gjykues të sapoemëruar nga kryetarja Trendafilova.
“Pasi trupi gjykues të marrë dosjen e lëndës më 15 dhjetor, do t’i mbetet atyre që të caktojnë një datë për një konferencë për përgatitjen e gjykimit gjatë së cilës do të diskutohen disa çështje teknike në përgatitjen e gjykimit”, ka thënë Griep për Albanian Post.
Datën e saktë të fillimit të gjykimit të Thaçit dhe të tjerëve nuk kishte mundur ta jap as kryetarja e Gjykatës Speciale, muaj më parë.
Trendafilova arsyetohej se rasti në fjalë ishte një rast i përmasave të mëdha prandaj nuk mund të precizohej data.
“Kemi më shumë se një milion faqe dëshmi të cilat duhen procesuar. Gjyqtarët për këtë rast janë duke punuar intensivisht dhe shpresoj se gjykimi do të ndodhë relativisht shpejt”, kishte thënë Trendafilova në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë, RTS.
Për çka po akuzohen Thaçi dhe të tjerët?
Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.
Sipas aktakuzës fillestare, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.
Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.
Më 10 maj, Prokuroria e Specializuar ka paraqitur tri kategori ndryshimesh në aktakuzën ndaj Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas versionit të ndryshuar të aktakuzës, në fshatrat Budakovë dhe Semetishtë të Suharekës, dyshohet që ndërmjet 4 qershorit 1998 dhe shtatorit 1998, të paktën 12 persona janë ndaluar në qendra ndalimi.
Po ashtu, në aktakuzë thuhet se në fund në fund të qershorit dhe fillim të korrikut të vitit 1999,pjesëtarë të UÇK-së ndaluan “të paktën tre persona pa proces të rregullt ligjor në një seli të UÇK-së, të vendosur në ndërtesën e një ish-shkolle dhe konvikti në Gjilan”.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty. /Albanianpost.com