Epilogu

Si e montoi Serbia rastin më monstruoz “UÇK i djegi civilët serb në krematorin gëlqeror”

Profesori francez Serge Métais e ka trajtuar montimin e rastit të famshëm të «Krematori gëlqeror»! i Kleçkës. Poashtu edhe veprimtari i madh Bardhyl Mahmuti në librin e tij <Mashtrimi i Madh> ka sjellur detaje interesante për këtë krim që Serbia provoi t’ia faturoi UÇK-së

Dezinformimi

Për të kuptuar, duhet të rikujtojmë fillimisht se shërbimet e fshehta jugosllave kanë qenë të organizuara sipas modelit sovjetik. Ashtu si KGB-ja, edhe UDB-ja (Sigurimi i Shtetit jugosllav) ishte një polici politike.

Pra këto shërbime nuk ishin vetëm organe shtypjeje dhe censure; ato ishin gjithashtu të ngarkuara për të shkruar apo rishkruar ngjarje, për t’u përcjellë dosje drejtuesve të mediave duke orientuar ata se si ishte më e udhës të interpretoheshin apo të paraqiteshin ngjarje të caktuara. Ato kishin gjithashtu mundësi të kurdisnin operacione-kurthe, të shkaktonin “histori” me qëllimin për të ndikuar mbi opinionin publik.

Le të përmendim vetëm dy shembuj, sa për ta ilustruar këtë praktikë gjatë luftës së Kosovës.

E para është çështja e “krematoriumit”, në gusht 1998: ushtria dhe forcat serbe të sigurisë sapo i kishin rimarrë UÇK-së lokalitetin e Kleçkës dhe, me atë rast, siç e donte puna, zbuluan aty një furrë gëlqereje nga e cila u nxorën disa eshtra dhe mbetje njerëzore të padjegura plotësisht.

Dy të rinj shqiptarë, vëllezërit Mazreku, të paraqitur si “ushtarë të UÇK-së”, u arrestuan dhe “pranuan” që, së bashku me disa ushtarë të tjerë, kishin vënë në radhë disa dhjetëra serbë dhe i kishin pushkatuar. Trupat qenkëshin hedhur pastaj në furrë dhe duhej të zhdukeshin në gëlqeren e pashuar…

Paskësh pasur, sipas komunikatës zyrtare, “22 civilë serbë të vrarë e të djegur në krematoriumin e gëlqeres”. Vijoi më pas një shfaqje mediatike e padëgjuar ndonjëherë, me praninë në terren të një hetueseje, në “lidhje të drejtpërdrejtë” në televizionin kombëtar serb dhe me paraqitjen e dy të rinjve “terroristë”, me pamje të shushatur, të cilët lëshonin fjali konfuze para mikrofonave dhe kamerave.

Më vonë do të mësohej se vëllezërit Mazreku ishin arrestuar më 30 korrik 1998, domethënë njëzeteshtatë ditë përpara asaj shfaqjeje të zbulimit të “krimit” të tyre. Pasi u burgosën në Serbi, ata dolën më në fund të pafajshëm, asgjë e atillë nuk kishte ndodhur dhe ata u liruan në mars 2002. E gjitha ishte një trillim, më pas rezultoi se ishin droguar kur u nxorën para kamerave.

Bardhyl Mahmut:

«Krematori gëlqeror»!

Gusht 1998 Imazhe dhe lajme nga lufta në Kosovë janë në fokus të mediave më me influencë në botë. Vendbanime shqiptare në flakë, mijëra të vrarë, dhjetëra mijëra të plagosur, gra të dhunuara, qindra mijë civilë të zhvendosur… Skena të tmerrshme déjà vu në luftën e Bosnjës dhe në luftën e Kroacisë! Skena që bënë të dëgjoheshin gjithnjë e më tepër kërkesat “për t’i dhënë fund makinerisë vrastare të Milošević-it”, kërkesa “për të dënuar politikën nacionalsocialiste të tipit hitlerian të Milošević-it”, kërkesa “për të ndërhyrë urgjentisht me ndërhyrje ushtarake të NATO-s”, si masë parandaluese për të shmangur përsëritjen e «Gjenocidit të Srebrenicës»…

Më 26 gusht, ndërmjet fshatrave Topillë e Grejçec, në një traktor, që ishte duke ikur nga zona e luftimeve, forcat e armatosura serbe vranë 11 anëtarë të familjes Asllani nga fshati Rancë e Komunës së Shtimes, ndërsa tre persona u plagosën. Nga 11 të vrarët, tetë persona ishin fëmijë të moshës që shkonte nga gjashtë muaj deri në trembëdhjetë vjeç (Albiona Asllani, e lindur në vitin 1998, Antigona Asllani – 1997, Xhafer Asllani – 1995, Shpend Asllani – 1993, Luljeta Asllani – 1991, Ejup Asllani – 1988, Lumnije Asllani – 1986, Burim Asllani – 1985) dhe tri gra (Ajshe Asllani – 1971, Halide Asllani – 1968, Jalldyze Asllani – 1934)1 . Kjo masakër pati jehonë të madhe në shtypin botëror dhe nuk munguan reagimet e institucioneve ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Në këtë kapitull po kufizohem vetëm në reagimin e UNICEF-it.

Zyrtari i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për mbrojtjen e fëmijëve – UNICEF, Patrick McCormick deklaroi se “masakra mbi njëmbëdhjetë anëtarët e një familjeje shqiptare, në mesin e të cilëve ishin tetë fëmijë, shkaktoi pezëm dhe indinjatë të thellë në organizatën tonë…”1 Përballë implikimeve diplomatike, që mund të kishin për pasojë reagimet e institucioneve ndërkombëtare ndaj dhunës në Kosovë, dhe “me qëllim të neutralizimit të revoltës së opinionit publik ndërkombëtar, një ditë pas kësaj vrasjeje makabre, propaganda serbe plasoi “krimin e vëllezërve Mazreku”2 .

Ky konstatim i Shoqatës së Gazetarëve të Pavarur të Serbisë vuri theksin në kontekstin politik dhe mediatik të inskenimit të njërit nga proceset e montuara gjyqësore që pati jehonë shumë të madhe. Më 27 gusht, gazetarët serbë dhe ata ndërkombëtarë, të shoqëruar nga forca policore dhe nga gjykatësja hetuese e Gjykatës së Qarkut të Prishtinës Danica Marinković-i, vizituan “repartin ushtarak të UÇK-së” në fshatin Kleçkë, që e kishin marrë në duart e veta forcat serbe. Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Božidar Filić-i, tha në mënyrë ironike se gjatë kësaj vizite gazetarët patën mundësi të shihnin “strehimoret dhe depot e UÇK-së të mbushura me ushqime të konservuara made in USA dhe me veshmbathje, që kishin ardhur si ndihmë humanitare për civilët shqiptarë të rrezikuar nga kriza humanitare.”3 Pas vizitës së “strehimoreve” dhe të “depove të armatimit”, për të cilat ironia shkoi deri në atë shkallë sa u tha se nuk e dinin nëse kishin ardhur në Kosovë s“si ndihma humanitare nga shtetet perëndimore”4 , gazetarët u orientuan drejt epilogut të spektaklit: «Krematorit të Kleçkës»! Gjykatësja Marinković u sqaroi gazetarëve, se “pasi ishin mbajtur në kushte çnjerëzore, në stalla kafshësh, të lidhur me zinxhirë, të keqtrajtuar mizorisht civilët e rrëmbyer serbë u transferuan nga njëri kamp në tjetrin, nga «Llogori i Krajmirovcit», në «Llogorin e Llapushnikut», për të përfunduar në «Kampin e Kleçkës».”1 “Pas mundimeve të shumta, civilët e rrëmbyer janë ekzekutuar, ndërsa trupat e tyre janë hedhur në gropë gëlqereje brenda furrës për të vetmen arsye se ishin serbë apo shqiptarë besnikë ndaj regjimit të Serbisë! (…) Disa civilë të rrëmbyer, pas mizorive të përjetuara, janë hedhur të gjallë në gropë gëlqereje…”2 – vazhdoi fjalimin e vet Danica Marinković-i. “Një sasi eshtrash, kryesisht të mëdhenj, që nuk kishin mundur të digjeshin as nga vala e nxehtë e gëlqeres që shuhej bashkë me jetën e civilëve serbë, u gjetën të groposur në afërsi të furrës (…) Mbetje eshtrash dhe telat me të cilat terroristët shqiptarë i kishin lidhur dhe tërhequr serbët deri në furrën e gëlqeres, u gjetën edhe në gropë të «furrës – kremator»”3 – sqaroi gjykatësja hetuese në këtë konferencë gazetarësh të pazakontë!

Fjala është për një furrë ku shuhej gëlqerja4 në afërsi të së cilës policia serbe kishte ekspozuar mbetje të eshtrave të “civilëve serbë të djegur”. Forma e njëjtë e ironisë që u përdor për armët e “konfiskuara” u përdor edhe për prejardhjen e “gëlqeres së krematorit shqiptar”. Konkretisht u tha se “nuk e dinin nëse ishte gëlqerja prodhim vendor apo ishte sjellë si ndihmë humanitare!” Për të qenë bindëse në informatat që u jepeshin gazetarëve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë, kjo gjykatëse hetuese informoi se “krahas provave materiale të gjetura në vendin e krimit, ishin arrestuar dy ushtarë të UÇK-së (Luan dhe Bekim Mazreku), të cilët konfirmonin detajet e këtij krimi të përbindshëm!” Në këtë kontekst, hetuesja Marinković improvizoi marrjen në pyetje të Bekim Mazrekut në prani të gazetarëve, sepse ”Luani nuk kishte mundur të vinte për shkaqe shëndetësore”. Gjatë marrjes në pyetje drejtpërsëdrejti para kamerave dhe mikrofonave të gazetarëve1 , Bekim Mazreku deklaroi se grupi i tij i përbërë prej rreth 20 ushtarësh të UÇK-së kishin pushkatuar dy fëmijë të moshës 7, 8 deri 11-vjeçarë, tri gra të moshës 28-32- vjeçare, dy djem të ri dhe tre burra, që paraprakisht i kishin rreshtuar në varg dhe i kishin pushkatuar. Këtë e kishin bërë me urdhër të Fatmir Limajt, Gani Krasniqit dhe Ismet Kilajt. Në pyetjen e hetueses Marinković se kush ishte Fatmir Limaj, Bekim Mazreku ishte përgjigjur se “Fatmir Limaj ishte komandant i Kleçkës (sic!)2 , ndërsa dy të tjerët komandantë të Malishevës!” Duke mos ditur se si të përgjigjej lidhur me pyetjen për fatin e kufomave të civilëve që pretendohej se ishin ekzekutuar, Bekim Mazreku deklaroi se “nuk dinte se çka kishte ndodhur më pas, sepse ata na përzunë nga vendi i ngjarjes.”1 Bekim Mazreku dukej tejet i hutuar para gazetarëve dhe nuk ishte aq bindës sa dëshironte organizatorja e kësaj “konference për shtyp”. E pakënaqur nga përgjigjet e Bekim Mazrekut, gjykatësja Marinković ndërpreu marrjen në pyetje të të akuzuarit! Për të përmirësuar lëshimet e deklaratave të para publike, në të njëjtën ditë, Bekim Mazreku i dha një intervistë ekskluzive gazetarit për çështje ushtarake, Milovan Drecun-it, që u përgatit me kujdes nga kameramani Tomislav Magoč-i dhe u transmetua në televizionin shtetëror të Serbisë, më 29 gusht 1998. Sikur nuk mjaftuan dy prezantimet e mëparshme publike, qendra mediatike e kontrolluar nga pushteti i Milošević-it «Media Centar» organizoi paraqitjen e tretë të Bekim Mazrekut para gazetarëve vendës dhe të atyre ndërkombëtarë. Pas këtyre paraqitjeve të “dëshmitarit që pranonte se kishte kryer krime kundër civilëve serbë”, Bashkimi i Gazetarëve të Serbisë u drejtoi një letër organizatave të gazetarëve të shteteve të ndryshme të botës, përmes të cilës “kërkohej nga gazetarët që të vinin menjëherë në Kleçkë dhe t’u dërgonin raporte agjencive të tyre për atë se çka bënin shqiptarët e uniformuar dhe të armatosur deri në dhëmbë, për çka luftojnë ata, kush i armatos, kush i përgatit, kush i ushqen dhe kush i mbështet që me krematorë, me thika, me plumb dhe me gëlqere të realizojnë gjenocidin ndaj serbëve në Kosovë.”1 Krahas manipulimit me deklaratën e “dëshmitarit” propaganda serbe manipulonte edhe me numrin e viktimave. Fillimisht u propagandua për qindra civilë të vrarë, por, deklarata publike e Bekim Mazrekut për 10 të vrarë e relativizoi numrin e të vrarëve sa edhe mediat shtetërore u shtrënguan të përmendnin shifra më të vogla se shifrat e publikuara më parë. Pas disa ditë manipulimesh, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, me një komunikatë, përmbylli rezultatin e hetimeve dhe shpalli shifrat përfundimtare për “22 civilë serbë të vrarë dhe të djegur në krematorin gëlqeror.” 2 Përveç propagandës për raste të veçanta të “aksioneve terroriste të separatistëve shqiptarë”, siç ishte rasti për të ashtuquajturin «Kremator i Kleçkës», në të gjitha vendet me peshë në skenën politike ndërkombëtare misionet diplomatike të Jugosllavisë kishin shpërndarë materialet e përgatitura nga Shërbimi Sekret Serb.

Përmes këtyre materialeve, UÇK-ja stigmatizohej si organizatë “terroriste dhe me pikëpamje të fondamentalizmit islamik.” Madje, për të mbështetur tezat e lartpërmendura, në materialet propagandistike silleshin “prova dhe fakte”! Sipas të dhënave të shpërndara nga ky shërbim “në Konferencën e 18-të Islamike” të mbajtur në Pakistan në vitin 1998, separatizmi shqiptar në Kosovë ishte cilësuar si “xhihad”, dhe se gjoja nga kjo konferencë ishin ftuar të gjitha “vendet myslimane për çlirimin e territoreve të pushtuara myslimane!” Sipas kësaj propagande, “një numër islamikësh fanatikë nga Afganistani, Algjeria, Egjipti, Çeçenia, Irani dhe nga vende të tjera u përfshinë në shtabet e njësive komanduese të UÇK-së në Kosovë dhe ishin angazhuar si instruktorë për stërvitje speciale ushtarake të disa formacioneve të UÇK-së.”1 Në përputhje me kontekstin e ri të krijuar pas tërheqjes së forcave serbe nga Kosova, Qeveria e Serbisë i rishpërndau materialet e lartpërmendura të Shërbimit Sekret Serb të plotësuara edhe me “të dhëna” të reja dhe të titulluar “Libri i bardhë – Terrorizmi shqiptar dhe krimi i organizuar në Kosovë dhe Metohi.”2 Kjo temë do të trajtohet hollësisht në pjesën e dytë të këtij libri. Tani për tani po kufizohem vetëm në faktin se propaganda e tillë e regjimit të Beogradit për “instruktorë të fondamentalizmit islamik, që stërvitnin ushtarët e UÇK-së”, nuk gjeti mbështetjen e atyre që synonin përpiluesit e kësaj strategjie. Pos në disa raste të shkrimeve gazetareske, ku shihet ndikimi i kësaj propagande, përpjekjet për të paraqitur UÇK-në si “organizatë terroriste me pikëpamje të fondamentalizmit islamik” kishin dështuar tërësisht. Zhgënjimin serb për këtë dështim e shprehu publikisht ministri i Informacionit të Republikës së Serbisë, Goran Matić-i. Në gazetën «Medjunarodna politika»3 ai deklaroi se “është e pabesueshme se si fondamentalistët islamikë cilësohen si terroristë vetëm kur vrasin amerikanë.

Ndërsa kur vrasin qytetarë të pafajshëm të Jugosllavisë ata kualifikohen si luftëtarë të drejtësisë.”4 Më 29 gusht 1998 agjencia e lajmeve «Reuters», botoi artikullin e gazetares së vet Julijana Mojsilović nga Beogradi, në të cilin theksohet se “ministri i Punëve të Jashtme të Jugosllavisë i cilësoi vrasjet në Kleçkë si krimet më të rënda dhe më mizore të kryera nga UÇK-ja. Ai u bëri thirrje qeverive të shteteve perëndimore që ta dënonin rastin…”5 Korrespondenti i «Agjencisë France Presse» njoftonte nga Beogradi se jo vetëm ministri i Punëve të Jashtme të Jugosllavisë, por të gjithë zyrtarët jugosllavë e përshkruanin “masakrën e Kleçkës” si “një nga krimet më të rënda të bëra ndaj serbëve në Kosovë, duke tentuar ta përdorin si çështje të mundshme që duhej të trajtohej edhe nga Gjykata për Krime Lufte e Kombeve të Bashkuara.”1 Krahas ministrave dhe zyrtarëve të lartë shtetërorë, edhe organizatat “joqeveritare” të kontrolluara nga qeveria serbe dolën me qëndrime të ashpra kundër këtij “krimi”. Kështu, Shoqata serbe e Robërve të Luftës së Dytë Botërore, anëtarët e së cilës kishin kaluar nëpër kampet naziste, “dënoi krimet e tmerrshme të kryera në Kleçkë nga terroristët shqiptarë.”2 Sipas kësaj shoqate “për të humbur gjurmët e këtij akti çnjerëzor terroristët shqiptarë dogjën trupat e 22 civilëve serbë në një kremator të improvizuar. Në çmendurinë e tyre kriminale ata aplikuan recetat e nazistëve të Auschwitz-it, Buchenwald-it, Dachau-t, Mauthausen-it, Bergen– Belsen-it (…) dhe të mijëra kampeve të tjera të Rajhut të Tretë.”3 Si kundërpërgjigje ndaj kërkesës së institucioneve ndërkombëtare që të dënohej gjenocidi në Srebrenicë, kërkesa të shumta i vërshuan mediat serbe, nëpërmjet të cilave kërkohej që këto institucione të merrnin në shqyrtim «Krematorin e Kleçkës». “Ekzistojnë fakte të panumërta, që askush nuk mund t’i hedhë poshtë, lidhur me funksionimin e krematorit të parë dhe deri tani të vetëm në Evropën e pas Auschwitz-it gjerman! I takon Parlamentit Evropian të zgjohet nga gjumi dhe me anë të një rezolute, qoftë edhe në mënyrë simbolike, të dënojë Auschwitz-in shqiptar. Të miratojë së paku një rezolutë me të cilën 27 gushti të shënohet si dita evropiane e krematorit gëlqeror!” Edhe mediat ndërkombëtare i kushtuan një vëmendje të rëndësishme asaj që nga propaganda serbe paraqitej si «Kremator i Kleçkës». Kështu, «BBC-ja» njoftonte se “autoritetet serbe dënuan masakrën e civilëve serbë, që e përshkruante si të kryer në stilin e nazistëve.”1 Misha Savić-i i «Associated Press-it», në shkrimin e tij dedikuar ngjarjeve në Kosovë, informoi se “ekspertët mjekoligjorë serbë nxorën nga një kremator mbetje eshtrash të dhjetë civilëve serbë, në mesin e të cilëve ishin dy fëmijë.”2 Edhe «The New York Times»3 sjell të njëjtat lajme të shpërndara nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë. Ndërsa «The Washington Times» tërhoqi vërejtjen se “në rast se ekspertët ndërkombëtarë të Mjekësisë Ligjore vërtetonin saktësinë e një krimi të tillë, kjo do të kishte pasoja shumë të mëdha për luftën e UÇK-së.”4 Propaganda serbe lidhur me «Krematorin e Kleçkës» pati ndikim edhe në rrafshin politik. Ndër reagimet e para politike ishte ajo e nënkryetarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ukrainasit Boris Olevnik-ut. Ai deklaroi se kjo ngjarje e kishte shokuar atë week-end. Sipas pohimeve të tij, gjatë vizitës në Kosovë, Boris Olevnik-u “kishte parë vetë se thëniet për fushatën shkatërrimtare serbe në Kosovë ishin gënjeshtra. Terroristët shqiptarë të Kosovës i kishin shtrënguar bashkëkombësit e tyre t’i braktisnin shtëpitë dhe të shkonin në pyll ose në ndonjë vend të largët, me qëllim që këto veprime t’u visheshin forcave serbe.”5 Në të njëjtën frymë, më 17 shtator 1998, deputetja holandeze e Parlamentit Evropian, Leonie Godefrieda Louisa van Bladel, shtroi pyetjen lidhur me fatin e “pengjeve” në Kosovë. Krahas pyetjes që i interesonte, ajo i informoi të pranishmit se “ndërkohë kemi kuptuar nga mediat ndërkombëtare, që raportuan të shtunën më 29 gusht, se UÇK-ja, në fshatin Kleçkë afër Prishtinës, kishte vrarë 22 persona (veçanërisht gra dhe fëmijë) dhe pastaj i kishte djegur në furrën e gëlqeres.”1 Edhe Komiteti për Eliminimin e Diskriminimit Racial i Kombeve të Bashkuara kërkoi nga qeveria jugosllave ta informonte lidhur me situatën në Kosovë. Në raportin, të cilin Qeveria e Jugosllavisë ia dorëzoi këtij organi të OKB-së më 26 janar 1999, në pikën 31 theksohej se “forcat serbe zbuluan një varrezë masive që përmbante trupat e civilëve serbë të rrëmbyer. Më 27 gusht 1998, në fshatin Kleçkë (Komuna e Lipjanit), policia gjeti hirin e 22 civilëve serbë të rrëmbyer, trupat e të cilëve terroristët shqiptarë i kishin djegur në një furrë gëlqereje pasi që i kishin vrarë.

Dy terroristët që u burgosën (vëllezërit Luan dhe Bekim Mazreku) treguan në detaje dhe pranuan se i kishin kryer të gjitha krimet e lartpërmendura.”2 Krahas këtyre reagimeve, Agjencia serbe “Beta” njoftoi se gjatë vizitës së tij në Beograd, i dërguari special për Jugosllavinë, ambasadori amerikan, Christopher Hill-i, dënoi krimin që kishte ndodhur në Kleçkë. “Jemi të shokuar nga kjo që ka ndodhur dhe ne e dënojmë këtë formë të dhunës. Përgjegjësit duhet të arrestohen dhe të nxirren para drejtësisë”3 – u prononcua ai përpara gazetarëve. Krahas këtij diplomati amerikan, edhe Robert Doll-i 4 u shpreh lidhur me këtë çështje. Gjatë vizitës që ato ditë i bëri Kosovës, Robert Doll-i kërkoi t’u lejohej ekspertëve të pavarur ndërkombëtarë që të hetonin se si kishte ardhur deri te ky krim i shëmtuar, kush e kishte kryer, sa ishte numri i të vrarëve etj. Reagimet në këtë frymë dhe kërkesat për të formuar një komision ekspertësh të pavarur për të hetuar këtë krim ishin të shumta. Por, gjykatësja hetuese, Danica Marinković-i, ishte kategorikisht kundër! Nuk e pa të udhës një gjë të tillë, sepse “vendi i krimit, dy kriminelët e UÇK-së, armët e krimit, mjetet e krimit, mbetjet e viktimave ishin aty…”1 Aty ishte edhe “Furra e gëlqeres – Krematori i Kleçkës”!

Exit mobile version