Epilogu

Uk Lushi “kërcënon” Kurtin: Do të të rrëzojmë aq shpejtë sa do habitesh

Ish-pjesëtari i Batalionit “Atlantiku” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Uk Lushi, ka paralajmëruar kryeministrin Albin Kurti se mund të rrëzohet nga pushteti nëse vazhdon me hedhje hiri në sytë e qytetarëve.

Lushi, përmes një publikimi në Facebook të mërkurën i ka dërguar mesazh Kurtit që të mos nënshkruajë marrëveshje të dëmshme me Serbinë.

“Albin Kurti, mos u bëj matrapaz! Nëse diçka është e keqe mos e nënshkruaj. Mos e dëmto me dorën tënde interesin dhe të ardhmen e shqiptarëve. Mos shit dokrra retorike. Të kemi vendosur në krye të ndryshosh gjërat dhe t’i bësh më mirë. Nuk mundesh, e pakta dorëhiqu me nder”, deklaroi Lushi.

Lushi i ka sugjeruar shefit të qeverisë që të mendojë dorëheqjen para se të nënshkruajë marrëveshje të cilat konsiderohen të dëmshme për shtetin.

“Patrioti kur nuk mundet, jep dorëheqje. Nëse e di që diçka është e dëmshme dhe po e nënshkruan ti je më i keq se ata që bëjnë gabime dhe dëme nga padijenia”, tha Lushi.

Sipas Lushit, e ardhmja e qeverisë Kurti do të jetë në rrezik nëse vazhdon “me hedhje hiri në sytë tonë”.

“Retorika jote nuk kalon dhe nuk do ta pranojmë. Ne duam që të kesh suksese sepse suksesi yt është i yni. Por, nëse vazhdon me hedhje hiri në sytë tonë, do të të rrëzojmë aq shpejt sa do të habitesh!”, përfundoi ai. /Paparaci.com

Exit mobile version