Epilogu

Ukshin Hoti: Ndryshimi ndërkombëtar i kufijve nënkupton luftë të armatosur në përmasa evropiane

Profesor Ukshin Hoti, dekada më herët ka foluar edhe për problematikën e ndryshimit të kufijve. Ai me një thënie historike e ka përkufizuar këtë problem.

– Ndryshimi i kufijve mund të bëhet vetëm si produkt i marrëveshjes së superfuqive. Kosova Republikë nuk ndryshon kurrfarë kufijsh ndërkombëtarë. Ndërkaq, ndryshimi ndërkombëtar i kufijve nënkupton luftë të armatosur në përmasa evropiane.

Po ju sjellim edhe disa nga thëniet më interesante të mendjes së ndritur, profesor Ukshin Hotit;

– Politika e vërtetë është një kalkulim matematikor i pikave tangjente të rrymave të ujit me akullin mbi të.

– Përderisa me një vepër të bukur artistike mund të kënaqen shumë njerëz, me një vepër të bukur politike mund të shpëtohet një popull.

– Politika për fat të keq është një shkencë dhe një veprimtari shoqërore për të cilën shumë njerëz të pa informuar, as për njërën e as për tjetrën, e konsiderojnë veten kompetent. Në këtë pikë politika barazohet me poezinë. Sikurse që në poezi çdo vjershëtar nuk bëhet automatikisht edhe poet, edhe në politikë çdo njeri që merret me të nuk bëhet automatikisht njohës i saj.

– Demokracia nuk mund të jetë kundër elitës, por kundër elitizmit, d.m.th. kundër elitës për hir të elitës.

– Për vitet e ’80-ta, nuk pajtohem me emërtimin marksist-leninist. Emërtimi i tillë ka qenë në modë atëherë sikur që sot është në modë të themi se të gjithë jemi demokratë. Prapa marksizëm-leninizmit të tyre ka qenë i fshehur atdhetarizmi i tyre. Mos pajtimi me gjendjen ekzistuese.

– Çdo betejë politike që zhvillohet pa luftë të armatosur, mund të quhet rezistencë pasive. Kjo do të thotë që goditjeve dhe reprezaljeve të mos iu përgjigjesh në të njëjtën mënyrë. Mirëpo, po u shikua më thellë, edhe rezistenca pasive është aktive, për shkak se është aktiv faktori politik që të detyron për një sjellje të tillë.

– Gjatë 2500 viteve kemi luftuar duke i lënë problemet të zgjidhen më vonë. Por, gjithmonë kemi mbetur të shtypur për shkak se s’kemi pasur ndonjë guxim t’i zgjidhim problemet e brendshme paralelisht me zgjidhjen e pozitës ndërkombëtare.

– Kur një popull arrin t’i njohë jo vetëm interesat e veta, por edhe mënyrën e realizimit të atyre interesave, vetëm atëherë mund të flitet se mund të kihet shpresë dhe mbështetje për optimizëm. Por kur një popull mashtrohet me parulla të ndryshme, atëherë nuk mund të flitet as për shpresë dhe as për optimizëm.

– Ekziston vetëm një interes i denjë për njeriun, interesi i jetës me dinjitet njerëzor. Mendja do të duhej t’i njerëzojë interesat në mënyrë që realizimi i tyre konkret:

– Mos t’i shndërrojë njerëzit në bisha,

– Popujt në kope ujqërish,

– Kombet në përbindësha çeliku, baroti e plumbi.

Exit mobile version