fbpx
Lajme

UNDP: 59.1% e qytetarëve janë të kënaqur me Albin Kurtin, 63.7% për Vjosa Osmanin

Kënaqshmëria e qytetarëve me punën e presidentes, kryeministrit, Qeverisë dhe Kuvendit ka shënuar rritje të madhe krahasuar me një anketë të dhjetorit të vitit 2020, kur këto institucione kishin përbërje tjetër.

Këto janë të gjeturat e edicionit të 20-të të Përmbledhjes Pulsi Publik, i prezantuar sot nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë.

“Gjetjet e anketës së opinionit të Pulsit Publik të majit 2021 tregojnë një rritje domethënëse të kënaqshmërisë së qytetarëve me punën e institucioneve kyçe ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore të Kosovës, krahasuar me anketën e mëparshme të realizuar në dhjetor 2020”, thuhet në njoftimin e UNDP-së në Kosovë.

Sipas UNDP-së, anketa e fundit me qytetarët ka treguar se “Kënaqshmëria e regjistruar me performancën e kabinetit të ekzekutivit është 59.1%, gjë që përbën një rritje prej 37.8 pikë përqindje në krahasim me anketën e dhjetorit 2020 kur kjo vlerë ishte 21.3%”.

Po ashtu ka nivel më të lartë të kënaqshmërisë me punën e kryeministrit Albin Kurti. Ai mori drejtimin e Qeverisë në fund të marsit, pasi fitoi zgjedhjet me VV-në më 14 shkurt. Paraardhës i tij ishte Avdullah Hoti. Ai ishte në pushtet kur ishte zhvilluar anketa e parafundit e UNDP-së, në dhjetor 2020.

“Niveli i regjistruar i kënaqshmërisë me punën e kryeministrit është 59.5% (23% në dhjetor 2020), ndërsa kënaqshmëria me punën e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës është rritur nga 46.7% në dhjetor 2020 në 59.2% në maj 2021. Niveli më i lartë i kënaqshmërisë prej 63.7% është regjistruar me punën e Presidentes së Kosovës, krahasuar me 33.9% të regjistruar në dhjetor 2020”, thuhet në raportin e UNDP-së.

Ndër të gjeturat kryesore, janë edhe Indeksi i Demokratizimit (ID), që është rritur me 0.26 pikë (1.58) krahasuar me dhjetorin 2020, kur kjo vlerë ishte 1.32 pikë.

“Kjo tregon se shumica e respondentëve janë të kënaqur me trendet demokratike në Kosovë. Indeksi i Besueshmërisë Ekonomike (IBE) është rritur nga dhjetori 2020 (0.84) dhe ka arritur në 1.49 pikë, duke treguar një rritje të konsiderueshme të besimit të qytetarëve në perspektivën ekonomike të Kosovës. Gjetjet tregojnë edhe rritje thelbësore të ndjenjës së sigurisë tek të anketuarit, me 76.4% që ndihen të sigurt kur janë jashtë (në publik), krahasuar me 68.4% të regjistruar në dhjetor 2020”, thuhet në raportin e UNDP-së të përgatitur pas anketës së kryer.

E shqetësimet kryesore të qytetarëve, sipas anketës, janë papunësia (34.3%), varfëria (19.3%) dhe korrupsioni (9.3%).

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close