Kosova do të përballet me sfida në momentin kur luftëtarët kosovarë do të fillojnë të kthehen nga frontet e luftës, thuhet në një raport të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
Raporti përfshin intervista me të dënuar nga gjykatat e Kosovës për pjesëmarrje në luftërat e huaja dhe me familjarë të tyre, si dhe faktorët shtytës pse kosovarët marrin pjesë në luftëra të huaja.
Zyrtarë të UNDP-së, kanë thënë se intervistimi i tyre ka qenë një proces i komplikuar.
Sipas të gjeturave të raportit, një ndër faktorët kryesor të shkuarjes në luftëra të huaja janë problemet sociale dhe ekonomike.
Zgjerimin e pikëpamjeve radikale sipas raportit, e ka ndihmuar shumë interneti dhe mediet sociale.
Në raport theksohen edhe arsyet pse gratë i bashkohen lëvizjeve ekstremiste të dhunshme, e që kanë të bëjnë me pozicionimin e dobët të tyre në shoqëri dhe gjithashtu shtytje është edhe gjetja e një jete më të mirë dhe për të gëzuar më shumë liri fetare, transmeton REL.
Hulumtimi i publikuar sot thotë se largimi i kosovarëve drejt Sirisë ka filluar në vitin 2012 dhe ka vazhduar edhe më tej deri në vitin 2015.
Deri më tani mbi 60 kosovarë janë vrarë në frontet e luftës në Siri e Irak, ndërsa mbi 120 janë kthyer në Kosovë.