fbpx
Opinione

UNITETI QË DO TË DUHEJ TA KISHIM!

Shkruan Ramadan Veliu

Sot më shumë se asgjë tjetër, do të doja që në këto momente të rënda t’i shihja të gjithë liderët partiak e shtetëror bashkë, unik, pranë njëri tjetrit dhe me njëri tjetrin.

Zhvillimet më të reja po na dëshmojnë për të satën herë sa të vegjël, sa pak, sa të pafuqi jemi duke qenë të përçarë, të armiqësuar e të inatosur me njëri tjetrin.

Liderët tanë na kanë hidhëruar sa e sa herë, na kanë gënjyer e zhgënjyer …ose edhe ata janë gënjyer nga dikush tjetër, por pavarësisht këtyre ne i kemi votuar dhe i kemi legjitimuar serish përmes votës. Ka qenë në dorën dhe në mundësinë tonë t’i ndalim ose t’i ndëshkojmë përmes ligjeve, normave dhe mjeteve të demokracisë. Por assesi nuk do të doja që të huajt e aq më pak armiqtë të vendosin “rend” mes nesh.

Sot do të doja t’i shihja bashkë të gjithë liderët dhe udhëheqësit shqiptarë me një fjalë, në një vend dhe me një qëndrim, unik, të vendosur dhe të mirëkuptueshëm me njëri tjetrin. Problemet tona duhet t’i zgjidhim vet, në shtëpinë tonë dhe pa u përzi të huajt.

Në luftën e fundit ne nuk kemi dalë jashtë vendit tonë për të sulmuar ndonjë vend a popull tjetër. Ne kemi mbrojtur familjet tona, shtëpitë dhe pronat tona, popullin dhe njerëzit tanë.

Nuk kemi luftëtarë e çlirimtarë të tepërt për t’ua falur armiqve. Nuk kemi politikan e as udhëheqës të këtij populli të nëpërkëmbur me shekuj, për t’ua dhënë armiqve që të tallen me ta e me ne; që t’i përbaltin ata e të bëhemi turpi i botës ne si popull e si shtet.

Sot duhet të jemi të gjithë një, sot e dëshmojmë para botës dinjitetin e integritetin tonë, sot i tregojmë botës sa e vlerësojmë veten dhe çfarë është ndërgjegjja jonë si komb e si popull.

Sot duhet të jemi të gjithë për një e një për të gjithë! Nëse për asgjë tjetër… së paku për hir të së ardhmes dhe për inat të armiqve.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close