Epilogu

UP me 177 ligjërues që nuk janë profesorë

Një analizë e mbajtjes së ligjëratave nga stafi pa titull akademik të profesorit në Universitetin e Prishtinës, prezantuar sot nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), tregon se në Universitetin e Prishtinës janë 177 persona që ligjërojnë lëndë edhe pse nuk janë profesorë dhe së bashku me profesorët, këta paraqesin 26 për qind të ligjëruesve në këtë institucion të lartë arsimor.

Gramoz Buçinca, përfaqësues i ORCA-s, tha në një konferencë për media para Rektoratit, se sipas statutit të UP-së detyra e ligjërimit në Universitet nuk është paraparë për asistentë dhe persona të tjerë të angazhuar në çfarëdo funksioni.

“544 lëndë në UP mbahen nga 177 persona që nuk janë profesorë. Së bashku me profesorët këta paraqesin 26 për qind të ligjëruesve në UP.

Asnjëri nga këta 177 persona nuk i është nënshtruar kritereve rigoroze statutore për profesor, me anë të së cilave mund të dëshmohet përgatitja e tyre për të mbajtur ligjërata. 76 prej tyre kanë vetëm gradën shkencore të masterit”, tha ai, transmeton kp.

Buçinca tha se shumica e tyre janë asistentë që po ashtu ligjërojnë, ndërsa shtoi se UP ka angazhuar 18 persona me gradë shkencore të masterit, në mbajtjen e 34 ligjëratave në nivelin e studimit master.

“103 asistentë, ligjërojnë 308 lëndë duke e ditur që detyra e asistentit është të mbajë ushtrime dhe të asistojë në punë të tjera akademike… Cilësia e studimeve rëndohet edhe më tepër kur shtojmë numrin e madh të bashkëpunëtorëve të jashtëm të cilët pa iu nënshtruar shqyrtimit të kritereve të rrepta statutare për punësim angazhohen në mësimdhënie, mbajnë provime e konsultime në ngarkesë të njëjtë sa një profesor. Krejt kjo i faturohet studentëve dhe taksapaguesve kosovarë”, tha Buçinca.

Sipas tij, mbajtja e ligjëratave me persona me përgatitje të tillë përveç se është në kundërshtim me Statutin rrezikon seriozisht kualitetin e mësimdhënies në universitet.

Buçinca në emër të ORCA-s kërkoi që të ndalohen improvizimet me burimet njerëzore në UP, dhe të angazhohen persona me kompetencë dhe kredibilitetin e duhur akademik.

Exit mobile version