Veprimtari Bardhyl Mahmuti ka botuar librin “Eskadronët e vdekjes”. “Eskadronët e vdekjes” është një roman që duhet ta lexojë çdo person që ka përjetuar luftën në Kosovë apo që dëshiron të mësojë se çka ka ndodhur në Kosovë gjatë zbatimit të gjenocidit ndaj shqiptarëve.
Libri tregon për krimet serbe në Kosovë. Brenda librit ka fakte të pakontestueshme dhe rrëfime të kriminelëve serb për luftën e Kosovës.
Bardhyl Mahmuti ka arritur të marrë dëshmitë e dëshmitarëve, respektivisht kriminelëve serb të cilët ia kanë dhënë një gazetari serb. Ushtari serb Millan F. është rrëfyer tek gazetari serb për krimet në Kosovë. Ai ka treguar se si është vrarë babai i Gjeneralit Agim Çeku.
“Gjatë operacioneve për shkatërrimin e forcave terroriste shqiptare, në fshatrat Lubeniq, Kralan, Staradran, Qyshk, Pavlan dhe Zahaq vramë rreth 400 shqiptarë. Në fshatin Qyshk, nënkoloneli Jordan Denkiq, që komandonte operacionet e Brigadës 125, i ndau në tri grupe burrat që duhej të vriteshin. Grupin e parë e futën në shtëpinë e Azem Gashit, grupin e dytë në shtëpinë e Demë Gashit, ndërsa grupin e tretë në oborrin e shtëpisë së Kadri Çekut. Pasi identifikuan Hasan Çekun, të atin e kolonel Agim Çekut, i cili kishte luftuar kundër nesh edhe në Kroaci përkrah ushtrisë kroate dhe tani drejtonte forcat terroriste në Kosovë, eskadronet e vdekjes me emrin “Shakali”, që përbëhej nga vullnetarë, e morën për krahësh atë burrë rreth të shtatëdhjetave, e futën në ahurin e lopëve, ia prenë kokën nga zverku dhe i vunë zjarrin stallës. Pasi u morëm të gjitha gjërat me vlerë, njerëzit që u përzgjodhën për atë botë, i vramë brenda shtëpive, u vumë zjarrin katundeve, ndërkaq gratë dhe fëmijët i vumë si bagëtinë përpara dhe u dhamë urdhër që të shporreshin në Shqipëri… Ishte e rëndë të dëgjoje ulërimën e femrave kur nxirreshin nga rreshtat e kolonave dhe, përskaj rrugës, përdhunoheshin nga ata që pak çaste më parë u kishin vrarë baballarët, vëllezërit, burrat… – lëshoi një ofshamë të madhe Stajko.