Veprimtari Bardhyl Mahmuti ka botuar librin “Eskadronët e vdekjes”. “Eskadronët e vdekjes” është një roman që duhet ta lexojë çdo person që ka përjetuar luftën në Kosovë apo që dëshiron të mësojë se çka ka ndodhur në Kosovë gjatë zbatimit të gjenocidit ndaj shqiptarëve.
Libri tregon për krimet serbe në Kosovë. Brenda librit ka fakte të pakontestueshme dhe rrëfime të kriminelëve serb për luftën e Kosovës.
Bardhyl Mahmuti ka arritur të marrë dëshmitë e dëshmitarëve, respektivisht kriminelëve serb të cilët ia kanë dhënë një gazetari serb. Ushtari serb Millan F. është rrëfyer tek gazetari serb për krimet në Kosovë. Ai ka treguar për vrasjet e malltretimet në fshatin Qirez të Skënderajt. /foto në artikull nuk është nga rasti i ndodhur, por përshkruan vuajtjet nga forcat gjenocidale serbe).
Rrëfimet janë tronditëse:
“Në oborrin e xhamisë në Qirez kishin grumbulluar 250 familjarë terroristësh dhe i kishin detyruar të këndonin serbisht, të pinin raki në xhami, të pshurrnin themelet e xhamisë, disa zhgërryheshin si derrat në baltë, disa gra me kambana në qafë pëllisnin si lopët dhe të tjerë me kapistra në qafë të hingëllinin si kuaj… “Ua kemi plasur zemrat armiqve, vëllaçko”, – fliste gjithë mburrje Dragani dhe tregonte si kishin parakaluar në sy të familjarëve me vajzat dhe gratë e tyre, si e kishin lënë derën e hangarit hapur, që të dëgjoheshin klithjet… Si i kishin kërcënuar gratë se do t’ua vrisnin fëmijët, nëse nuk bënin atë që u thuhej, kurse fëmijet ishin kërcënuar se do t’ua vrisnin nënat nëse nuk ndalnin cijatjet…
Më tutje ushtari tregoi për një rast tjetër “Gjatë operacioneve për spastrimin e terrenit, një pjesëtar i çetës së Stojkos u kishte lidhur duar e këmbë pesë anëtarëve të një familjeje. Fillimisht i kishte vënë zjarrin foshnjes në djep, që nuk kishte mbushur as katër muaj. Kishte pasur dëshirë të shijonte ulërimën e prindërve, kur të dëgjonin britmat e fëmijës dhe erën e mishit të pjekur të pjellës së tyre… Pastaj kishte djegur njëri pas tjetrit dy fëmijët e tjerë, gruan, burrin, dhe, në fund, i kishte vënë flakën shtëpisë.