Varret Ilire të Selcës së Poshtme ndodhen në afërsi të qytetit të Pogradecit në Shqipëri, në fshatin Selcë e Poshtme. Në bregun e djathtë të lumit Shkumbin, në një lartësi prej 500 m mbi nivelin e detit, qëndrojnë mbetjet e qytetit të lashtë të Pelionit dhe nekropolit shoqërues.
Rruga romake Via Egnatia kalonte këtu drejt Selanikut. Edhe pse ka gjurmë të aktivitetit njerëzor në kohët e Neolitit, vendbanimi daton në Kohën e Hekurit (koha proto-urbane Ilire) përmes periudhës urbane Ilire (shekulli 5-të deri në shekullin e 2-të p.e.s.), dhe e arriti kulmin e saj gjatë si vendbanim i fisit Ilir të Enkeleasve në fund të Kohës së Hekurit, gjithashtu është pushtuar në periudhën Romake ku gjurmë shfaqen në një ndërtesë komunale.
Nga shekulli 4 deri në shekullin 1 p.e.s. qyteti ka qenë një rezidencë mbretërore e mbretërve Ilirë dhepër këtë arsye, ndoshta edhe një qendër e rëndësishme politike dhe ekonomike. Në vitin 1996, Shqipëria i përfshiu edhe Varret Mbretërore të Selcës së Poshtme në propozimin e listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Ka qenë pikërisht Kudret Barçi, roja me pagesë i varreve monumentale që prej vitit 1992 dhe deri në vitin 2002. Por që prej vitit 2002 është pushuar nga puna, por pavarësisht kësaj, ai kurrë nuk ka hequr dorë nga kujdesi për qytetin atik të Selcës dhe varret monumentale. Barçi duket një njeri i dashur, varfëria duket qartë në trupin e tij. Ai mban veshur një pallto me shumë arna. Në këmbë mban veshur një palë këpucë të grisura, ku në njërën këmbë dallohet gishti i madh që ka dalë nga çorapet e grisura dhe ato zharga që nuk dihet se kur mund të jenë blerë.
Flokët i janë zverdhur dhe duart i ka me kallo prej punëve të rëndomta të fshatit, por të gjitha këto nuk ia zbehin dot bujarinë dhe zemërgjerësinë këtij njeriu. Motivi i jetës së tij ka qenë të ruajë këtë pasuri të madhe që ka Selca. Kudret Barçi përveçse ish- mirëmbajtës i varreve dhe qytetit antik, ka shërbyer dhe vazhdon të kryejë punën e një ciceroni. Ai ka mësuar përmendësh gjithë historinë e varreve, dhe fati ka dashur që të jetë i pranishëm në shumë ekspedita arkeologjike, të cilat kanë kryer gërmime në Selcë. Mungesa e mirëmbajtjes nga specialistët ka bërë që kolonadat, që dekorojnë fasadën e varreve të gdhendura në shkëmb, të treten nga lagështira duke bërë që jeta e tyre të shkurtohet nga dita në ditë. E pyes me kuriozitet pse janë lënë në këtë gjendje.
Kudreti më thotë se “këto varre janë lënë në harresë. Nuk kujdeset askush. Unë kam punuar këtu që nga viti 1992 deri në vitin 2002, pastaj më prenë rrogën dhe varret mbetën pa mirëmbajtës”. Por insistimi im bëhet edhe më i madh, për të kuptuar se çka ndodhur realisht dhe e pyes nëse është interesuar pranë Drejtorisë së Monumenteve të Kulturës për këtë gjë, ai thotë se “ish-drejtoresha e Monumenteve në Korçë më tha që të mos i ruaj më. Unë i thashë se ato janë të rëndësishme për mua, më dhemb shpirti, por ajo ma preu shkurt” , – “nuk të detyron njeri” – thotë Barçi me një zë indinjues. Pas një pauze dhe disa foto të shkrepura, vazhdoj rrugën së bashku me Kudretin. Veç degradimit dhe mungesës së mirëmbajtësit, në këto varre nuk ka as tabela, të cilat japin informacion për monumentin. Madje nuk ka as tabelë “Monument Kulture”! I interesuar për vizitorë të huaj dhe se si ia bën që të komunikojnë me ta, ai më pohon se turistët nuk kanë munguar, madje mahniten nga bukuria e këtyre varreve dhe vlerat historike të tij. “Unë e kam pasur të vështirë në fillim të komunikoj me ta, por prej disa vitesh kam filluar të mësoj pak italishten (nga xhepi nxjerr një fjalor italisht- shqip, të palosur), se më vinte turp të mos komunikoja me ta, qoftë dhe pak. Këtu vijnë arkeologë të huaj dhe unë kam punuar me ta, nga ata kam mësuar disa fjalë dhe tani mundohem të flas ndonjë gjë”- më përgjigjet vendasi bujar.
Pas varreve ngjitemi sipër në sheshin e kodrës, aty ku dikur ngrihej qyteti antik. Vetëm pak muaj më parë aty ishin kryer gërmime arkeologjike dhe ishin zbuluar disa banesa që i përkisnin periudhës helenistike. Me Kudretin vazhdojmë bisedën duke e pyetur për gjithçka e ai përgjigjet për aq sa di. Në një moment e pyes për jetën në fshat, për punët me se merret dhe të ardhurat financiare. Kudreti me dëshpërim, dhe pa shpresë, më tregon se jeta aty është shumë e vështirë. “Unë jam invalid, se kam rënë kur isha fëmijë dhe nuk punoj dot. Marr borxhe për të çuar fëmijët në shkollë, se ata nuk duan t’ia dinë ke lekë apo jo, ata shikojnë shokët dhe duan të shkojnë në shkollë. Unë kam shumë tokë, por nuk e punoj dot se s’kam mundësi, prandaj e jap me qira ta shfrytëzojnë të tjerët. Nuk mbaj dot as bagëti se nuk u shërbej dot…” – më thotë Kudreti dhe ul kokën duke heshtur dhe duke dredhur një duhan. Nuk e shqetësoj më, pasi m’u duk sikur po e vija në siklet, duke e bërë të flasë për jetën e vështirë në këtë zonë.
Koha kalon shpejt dhe ne duhet të zbresim në qendër të fshatit, për t’u kthyer në Elbasan. Kudretit i lë numrin tim të telefonit e përqafohemi me të. Lëmë pas Selcën dhe varret e saj monumentale. Jeta në fshat është në heshtje, e në heshtje lëmë copëza historie shqiptare, dëshminë e gjallë të autoktonisë të popullit tonë, por që me ritme të shpejta po tretet nga uji e ngrica që përshkojnë sipërfaqen e mureve të këtyre varreve. Largohem nga Selca me një lloj dhimbjeje, ndaj hodha këto radhë si apel ndaj shtetit dhe institucioneve që duhet të ndërhyjnë për të parandaluar “varrosjen” e varreve të Selcës.
Një thirrje kjo sa e dëshpëruar, aq edhe nevojshme për të mbrojtur e për të ruajtur, çfarë i ka mbijetuar kohës. Me Selcën ndihemi krenar, por edhe të turpëruar. Krenar, se me të i tregojmë botës dhe popujve të tjerë që kemi ekzistuar që atëherë kur ju nuk ishit në ato troje ku jeni. Të turpëruar, se nuk dimë të ruajmë identitetin tonë. Dhe pastaj ankohemi se dashakeqësit ndaj popullit tonë kërkojnë të na ulin vlerat historike e të na konsiderojnë si një popull i ardhur vonë në këto troje, madje dhe me të drejtë në disa raste gjendemi gafil, duke mos njohur historinë e popullit tonë…